Luajmë pa ide, të dobët në qarkullimin e topit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2018 | 23:20

Luajmë pa ide, të dobët në qarkullimin e topit

ASTRIT HAFIZI

hafizi

Shqipëria nuk ka qarkullim topi. Problemi ka filluar që në minutën e parë dhe, nëse shihni më vëmendje, në minutën e tretë dorëzuam topin rrezikshëm. Ne jemi sot një skuadër që hera-herës përfundon në errësirë, sepse askush nuk na nënvlerëson më. Shkuam në Europian dhe pas kësaj tani nuk të fal më njeri. Efekti surprizë për Shqipërinë ka humbur me kohë.

Tani ne duhet të luajmë si një skuadër e pjekur, por ama nuk e bëjmë dot këtë sepse nuk kemi qarkullim topi. Lagerbak ka bërë një punë të lavdërueshme, madje qartazi e kishte studiuar shumë më mirë Shqipërinë sepse ia kishte parë defeket që ka kryesisht në qarkullim topi sot skuadra e Panuçit. Nuk është më Norvegjia që luante me topa të gjatë me Torre Andre Flo apo me ndonjë “pykë” tjetër.

Është një skuadër që luan mirë me topin e shtruar, por edhe lufton fort për topat në ajër. Nuk e kuptoj sesi luajmë kështu. Shikoni pjesën e dytë: u rreshtuan të gjithë te mesi i fushës, i jepnin topin Mavrajt dhe ai niste një top të gjatë tërë kohën… Po si mund të luhet me një skemë si kjo kur Norvegjia ka lojtarë më shtatlartë se ne?! Këtë nuk e kuptoj dot… Duhet një reflektim i shpejtë dhe serioz për t’i bërë gjërat në mënyrën e duhur në të ardhmen sepse nuk shkojmë dot shumë larg në këtë mënyrë.

Marrë nga “SuperSport”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"