Akademia “Goga Basket”, pasqyrë për biznesin në ndihmë të sportit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2019 | 21:15

Akademia “Goga Basket”, pasqyrë për biznesin në ndihmë të sportit

ASTRIT GREVA *

Astrit Greva

Para 5 vitesh në një takim me biznesmenët Igli Goga dhe Zhani Noti, ish-basketbollistë të Durrësit, më treguan projektin për ngritjen e një akademie sportive me profil basketbollin, duke ndërtuar disa terrene sportive dhe hapjen e kurseve për të gjitha moshat e vogla nga 6 deri në 18 vjeç.

M’u dukën ide të mira dhe interesante, por jo i bindur plotësisht nëse mund të realizoheshin iniciativa të tilla, që kërkojnë buxhet dhe shumë durim nga organizatorët. Por, ajo që ndodhi brenda një periudhe të shkurtër me realizimin e projekteve ishte vërtetë impresionuse:

U ngritën terrene sportive, u gjet kuadri i zgjedhur dhe filloi puna me grupet e të moshave. Shumë shpejt u shfaq në përfaqësim të shoqatës, i pari ekip për femra dhe mori pjesë në Kampionatin Kombëtar, duke debutuar me shumë sukses e duke mbushur sallën e sportit me shikues, që prej shumë vitesh ishte e boshatisur. Shumë shpejt u ngrit akademia “Goga Basket” dhe shoqata me të njëjtin emër.

U ngritën terrene moderne sportive si fusha basketbolli, volejbolli, tenis etj. Por, mbi të gjitha u ndërtuan salla të mbyllura për shumë skuadra dhe pallati i sportit supermodern, plus së fundmi pishina së bashku me ambientet e akomodimit për sportistët dhe për të gjithë vizitorët, me kushte relaksi përreth qendrës. Akademia mori emrin “Dhimitraq Goga”, një ish-basketbollisti dhe trajneri legjendar të Durrësit.

image1

Një mësues dhe qytetar që e bën krenar të gjithë komunitetin durrsak. 11 vite radhazi trajner i skuadrës kampione për të rinj dhe fitues i shumë trofeve me të rritur e bënë atë një person publik shumë të dashur për të gjithë shokët, kundërshtarët, artistët, gazetarët e sidomos për sportdashësit e basketbollit. Ai u bë simbol i vlerave të mira për shumë lojtarë e trajnerë të talentuar të Durrësit dhe Kombëtares, si Herzeg, Reka, Profkola e dhjetëra të tjerë që kontribuuan më vonë për basketbollin durrsak e kombëtar.

Familja Goga është me traditë të hershme në Durrës në fusha të ndryshme. Nipi i tyre, Perikli Goga (Igli), themelues i kësaj shoqate, e modernizoi nga vit në vit e së fundmi mori edhe kënaqësinë e gjithë këtij investimi, duke u shpallur kampion i Shqipërisë me skuadrën e meshkujve në Superligë për vitin 2019. Arriti të kthente titullin në Durrës pas shumë viteve, duke i kthyer këtij qyteti lavdinë e të qenit në majën e basketbollit pas plot 60 vitesh e me shumë gjasa do të vijojë edhe për vitet në vazhdim.

Akademia sot është e kompletuar me një staf të mirë kuadrosh, të cilët janë të etur për më shumë, pasi synohet pjesëmarrja edhe në kompeticonet europiane. Aktiviteti dhe arritjet e kësaj akademie janë një pasqyrë apo shembull për të gjitha bizneset e mëdha, që me pak shpenzime për sportin, mund të sjellin ndryshime të mëdha në cilësinë dhe masivitetin në të gjitha sportet. Ata që do të kenë mundësinë të vizitojnë kompleksin sportiv “Goga Basket” do të më japin të drejtë për këta pak rreshta që po ia dedikoj me modesti. * Astrit Greva, trajner i merituar i basketbollit.

* Astrit Greva, trajner i merituar i basketbollit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"