Të zgjedhësh sportin si profesion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2018 | 21:38

Të zgjedhësh sportin si profesion

ARTAN SHYTI

aRTAN SHYTI

Këto ditë kur maturantët po zgjedhin profesionin e tyre të ardhëshëm, është e nevojshme që t’u kujtohet që edhe sporti mund të jetë një fushë shumë interesante shkollimi universitar. Shqipëria ka shumë arsye se përse kërkon që sa më shumë të rinj e të reja të marrin profesionin e sportit. Ndaj, duhen nxitur që të kryejne studimet brenda vendit e, mundësisht, sa më shumë prej tyre jashtë Shqipërisë, në universitete ku të mësojnë sesi duhet bërë sporti shqiptar i së ardhmes, në mënyrë që të mos i ngjajë atij aktual.

1530036158_provimiimatematikes

Sepse nëse duam që sporti shqiptar të ndryshojë për mirë, të rikthehet në dinjitetin që i takon, do të duhet, krahas veprimeve emergjente, të mendojmë edhe për të përgatitur drejtuesit e rinj të tij, të atyre që pas 10 e më shumë vitesh do të marrin në dorë fatet e zhvillimit të sportit. Duket sikur është larg, por vitet ikin shpejt dhe e kemi për detyrë që t’i ndërpresim hovin injorancës që na ka pushtuar, të përmirësojmë sistemin e studimeve në sport brenda vendit e të nxisim studentët tanë të sportit që të marrin edhe përvojën ndërkombëtare. Kjo është shumë e rëndësishme, është jetike për të ardhmen e sportit në Shqipëri.

Të gjitha vendet që kanë synuar zhvillimin e sportit më intensivisht sesa zhvillimi i përgjithshëm i shoqërisë kanë vënë edhe theksin te kualifikimi i njerëzve që do punojnë në sport, duke përgatitur specialistë cilësorë e duke “importuar” mend nga jashtë. Shqipëria nuk duhet e nuk mund të bëjë përjashtim nga ky trend. Ndaj, ndërsa duhet të synojmë që të përsosim sistemin tonë të Kualifikimit Universitar të Specialistëve të Sportit, ndërsa duhet t’i nxitim maturantët që të zgjedhin sportin si profesion, na duhet, në të njëjtën kohë, që të marrim në konsideratë edhe nxitjen që ata që munden, të shkojnë për të studiuar jashtë për sport.

Do të duhej që vetë sporti të kishte një sistem bursash për maturantë të ekselencës që të shkojnë në shkolla të huaja me emër në sport, pasi përvoja dhe kualifikimi i tyre do të ishte shumë i vlefshëm. Futbolli i ka të gjitha mundësitë ta bëjë këtë. Për sportin cilësor dhe masiv të së ardhmes në Shqipëri na duhen para dhe mend. Natyrisht, ka nga ata që mendojnë se mjaft i kemi edhe paratë edhe mendjen. Ndaj edhe kemi ngelur pa të dyja në sport. Por me mendjen e tyre nuk mund të shkojmë gjatë. Sporti është një profesion i bukur për ata që dinë ta bëjnë atë. Ndaj ata që zgjedhin të bëhen profesionistë të ardhshëm në sport, bëjnë një veprim të mençur sot! Me shpresën që do të bëhen profesionistë të mençur nesër!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"