Sporti i krundeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2018 | 22:47

Sporti i krundeve

 ARTAN SHYTI

Pasi u ekzaltuam me sportin e të tjerëve, së fundmi, edhe me Botërorin e “Kroacisë”, me iluzionin që edhe një vend i vogël mund të bëjë një sport të madh e, për pasojë, që edhe ne të kemi të drejtë të ëndërrojmë që një ditë…(?!), besoj se ka mjaftuar koha për t’u “zgjuar” e për të parë përsëri realitetin e hidhur të sportit shqiptar dhe për të kuptuar se në këtë realitet, ëndrrat tona për t’i ngjarë Malit të Zi, Serbisë apo Kroacisë(!?) janë edhe më të parealizueshme se utopia…

aRTAN SHYTI

Sepse nuk duhet ndonjë sy shumë i mprehtë specialisti për të kuptuar që sporti ynë, jo vetëm që nuk mund të bëhet kurrë i madh me mënyrën e sesi po drejtohet, por që është shumë e çuditshme sesi po mbijeton e nuk po “ul qepenat” përfundimisht. Të drejtosh sportin në mënyrën sesi është drejtuar e po drejtohet ai, do të thotë të tallesh me pasionin e sportistëve, me sakrificat e specialistëve, me shpresën e të rinjve.

Do të thotë, figurativisht, të marrësh për të drejtuar makinën e sportit pa pasur as patentë për karrocë dhe ta çosh drejt greminës pa asnjë dridhje qerpiku, i ndërgjegjshëm që, kur të vijë buza e greminës, zbret, e lë të bjerë dhe shkon në punën tënde, larg sportit që nuk është e nuk mund të bëhet kaq kollaj profesion. Dhe kjo ka ndodhur shpeshherë në këto 28 vite. Një vend i vogël mund të bëjë sport të madh dhe të konkurrojë me të mëdhenjtë e (ndoshta) të fitojë, vetëm kur investon para të madhe në sport. Dhe ka raste që edhe paraja e madhe nuk mjafton, sepse duhet edhe të dish se ku ta investosh.

basket kombetarja

Por nëse ka njerëz që mendojnë se mund të bëhet sport në Shqipëri me 700,000 euro buxhet federatash(?!), kur Kosova, shumë herë më e varfër se ne e ka 11 milionë euro të njëjtin buxhet, këta njerëz janë thjesht sabotuesit dhe varrmihësit e sportit shqiptar sepse, jo vetëm nuk ndryshojnë realitetin ekzistues, por edhe e justifikojnë atë në mënyrë që të justifikojnë paaftësinë e tyre për ta ndryshuar. Ndërkohë kur duhet të kërkojmë, sepse na takon, 10- fishimin e buxhetit aktual të shtetit për sportin. Ky është treguesi dhe standardi që do t’i rijapë jetë sportit.

Dhe do të duhen të paktën 5 vite me buxhet 10 milionë euro që të kthehet optimizmi se sporti në Shqipëri mund të ringjallet. Do të duhet që basketbolli, volejbolli të kenë të paktën 1 milion euro buxhet vjetor si federatë. Atletika, mundja, peshëngritja jo më pak se 500 mijë euro. Dhe asnjë federatë tjetër më pak se 100-200 mijë euro. Këto janë paratë e shtetit. Pastaj, se çfarë japin privati, biznesi, sponsori është shtesë mbi to.

Mund të duket e pamundur, por paratë janë aty. Duhet të dish t’i marrësh! Paratë e sotme të buxhetit të shtetit për sportin janë thjesht krundet që kanë mbetur, mbasi fushat e tjera kanë ndarë “miellin”. Këto marrim sepse këto meritojmë. Jo sportistët apo trajnerët, por ata që drejtojnë. Prandaj, ky sport që kemi iluzionin që po bëjmë, mund të quhet në të gjitha kuptimet: Sporti i krundeve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"