Pritshmëritë e Këshillit Kombëtar të Sportit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2022 | 22:00

Pritshmëritë e Këshillit Kombëtar të Sportit

Së fundmi Këshilli i ri Kombëtar i Sportit (KKS) u rithemelua. Teorikisht zëvendësoi një KKS të krijuar pesë vite më parë, i cili, përveç mbledhjes së parë, nuk bëri më asnjë mbledhje tjetër e nuk këshilloi askënd, madje nuk këshilloi edhe kryetarin e tij, zv.ministrin e Sportit, që të zgjohej nga gjumi e të bënte të paktën një punë që të justifikonte rrogën e pesë viteve dhe uzurpimin e një karrigeje që nuk e mbushi dhe nuk e meritoi kurrë. Tashmë kemi një KKS të ri. Të ri në përbërje, por që rrezikon të mbartë problematikat e vjetra sepse duket se pas gjithë këtyre viteve, që nga i largëti vit 1996, kur në ligjin e parë të sportit u përfshi edhe ky institucion, akoma nuk është kuptuar roli dhe misioni i tij.

Artan-Shyti

KKS është parashikuar nga Rizvanolli dhe ne të tjerët që punuam me të për këtë ligj të vitit 1996, që të luante rolin e analizuesit dhe aprovuesit apo kundërshtuesit paraprak të politikës shtetërore të sportit në përgjithësi dhe të veprimeve konkrete për implementimin e saj nga ana e Ministrisë së Sportit. Më konkretisht, në KKS ministria duhet të prezantonte projektligje, projektvendime, projekturdhra që rregullojnë funksionimin e sportit, të cilat duhet të merren në shqyrtim, diskutohen, eventualisht modifikohen, nga ana e aktorëve kryesorë të sportit që garantojnë realizimin e këtyre politikave apo që zbatojnë këto akte nënligjore apo ligjore, që janë federatat shqiptare të sportit dhe KOKSH.

Nisur nga ky mision, edhe përbërja e KKS duhet të reflektojë praninë e të gjitha federatave shqiptare të sportit si anëtaret e pazëvendësueshme në këtë këshill. Që do të thotë se përbërja e KKS nuk mund të përcaktohet nga vullneti i qeverisë, por është objektivisht e caktuar nga zgjedhjet e federatave shqiptare të sportit, sepse vlerësimin e politikave shtetërore të sportit apo kritikën e tyre nuk mund ta bëjnë individë të zgjedhur nga vetë ministria, por duhet ta bëjnë drejtuesit e zgjedhur të federatave shqiptare të sportit, nga KOKSH dhe, eventualisht, drejtues të zgjedhur të botës akademike. Që nga i largëti vit 1996, roli dhe misioni i KKS ka qenë praktikisht inekzistent. Sidomos në mandatin e fundit ai u shndërrua edhe në qesharak në përbërje, jo për faj të individëve të nderuar anëtarë të tij, por për humbjen totale të raporteve të përfaqësimit. Nëse duam që realisht KKS e re të mos vazhdojë (mos) ekzistencën famëkeqe të mandatit të fundit duhet që, pasi të përshëndesim rithemelimin e tij:

Të ndryshohet VKM e përbërjes së tij duke futur në KKS presidentët e të gjitha federatave shqiptare të sportit.

– Të paraqitet për vlerësim dhe diskutim në KKS strategjia kombëtare e sportit e qeverisë ose, të paktën, programi konkret i veprimeve institucionale të ministrisë për legjislacionin aktual.

– KKS me përmbajtjen aktuale, me respektin maksimal për çdo individ anëtar të tij, ka shumë pak fuqi institucionale për të këshilluar ministren, jo për mungesë aftësish, por sepse me përjashtim të presidentit të KOKSH dhe federatave që janë anëtare dhe të rektorit të UST, pjesa tjetër nuk ka tagrin institucional të përfaqësimit të organizatave sportive kombëtare që realizojnë politikën shtetërore të sportit. Në këtë kontekst, të deklarosh sportin në shkollë si prioritet kombëtar me një projekt që financohet me trefishin e fondeve të të gjitha federatave dhe të mos kesh në KKS presidentin e federatës së sportit shkollor dhe atë të federatës së sportit universitar është një paradoks real… Duke shpresuar që KKS e re dhe kryetari i tij të mos ndjekin shembullin famëkeq të paraardhësve, mbetet thjesht t’i urojmë: Suksese e këshilla të mençura!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"