Po me Vironin ç’patën xhanëm?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2021 | 16:30

Po me Vironin ç’patën xhanëm?

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Dukej sikur thagmat e KOKSH-it nuk do të habisnin më askënd por nuk qenka e vërtetë. Ky institucion i rëndësishëm i sportit shqiptar ka një aftësi skandaloze për të prodhuar çmenduri që turpërojnë jo vetëm ideatorët e tyre, por gjithë ata që punojnë e jetojnë me sportin në Shqipëri.

Një grup individësh me kontribute ekstremisht periferike në sport, që një konjukturë e tmerrshme i ka sjellë në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH, kanë arritur deri në absurdin që të vendosin shkarkimin e Kryetarit të KOKSH, dhe këtë ia kanë imponuar anëtarëve të asamblesë, duke marrë firmat me metoda aspak transparente dhe jo statutore.

Këta individë që Viron Bezhani i ka demaskuar hollësisht që prej gati tri vitesh, menduan se mund të hakmerren ndaj tij duke inskenuar një shkarkim skandaloz që nuk lë statut e ligj pa shkelur. Por hakmarrja nuk duket se është qëllimi i vetëm.

Çmenduria e tyre arrin deri në verbim total sepse dihet tashmë që Bezhani e ka mbaruar mandatin e tij në drejtimin e KOKSH dhe vetëm një asamble statutore, e thirrur nga ai dhe vetëm nga ai, e cila do të miratonte ndryshimet në statutin e KOKSH,i jepte praktikisht fund mandatit të Kryetarit dhe Kryesisë së KOKSH, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja të organeve drejtuese.

viron bezhani

Bezhani ka gjashtë muaj që kërkon të bëjë këtë asamble statutore, por projekt-statuti nuk ka qenë gati. Këtë asamble statutore e thirri në 13 dhjetor dhe qeveria e anuloi për protokoll COVID-i. Pastaj e kishte thirrur në 15 janar, me idenë për ta bërë “online”, nën shembullin pozitiv të asamblesë statutore të FSHF-së. Po atëherë përse “thirret”, në shkelje të plotë të statutit, një tjetër “asamble” në 10 janar, për të miratuar po këto ndryshime, por edhe për të “shkarkuar” presidentin!? Kujt i duhej ky shkarkim që nuk lë statut e ligj pa shkelur dhe, si i tillë nuk ka asnjë vlerë juridike!?

Përse duhej shkarkuar një president që kishte thirrur një asamble për të plotësuar detyrimin e miratimit të ndryshimeve statutore dhe pastaj çuarjen e KOKSH në zgjedhje? Përgjigjja e vetme është se ideatorët nuk i kanë dashur ndryshimet statutore. Kanë dashur të mbajnë individët me votë, një rast absurd unik në botë. Kanë dashur të miratojnë kufizimet absurde politike të kandidatëve për t’i hapur rrugë ndonjërit që, pasi ka “shirë” deri tani në KOKSH, do të bëhet president që të shijë akoma edhe më shumë…

Njëkohësisht kanë dashur të bëjnë përgjegjës vetëm Bezhanin për çfarë ka ndodhur deri tani dhe të dalin vetë të pastër. Ndërkohë që Bezhani ka meritën e madhe të demaskimit të plotë të tyre në sytë e opinionit sportive kombëtar, duke iu hequr çdo mundësi kandidimi të mëtejshëm.

bezhani

Të paktën moralisht… Ajo që është bërë nga ky grupim injorantësh institucionalë është një sabotim i pastër i rrugës që kishte nisur KOKSH për të miratuar ndryshime të domosdoshme, megjithëse të pamjaftueshme, në Statut dhe për të shkuar drejt një procesi zgjedhor që do të synonte pastrimin e organeve drejtuese nga një tufë grabitqarësh që e degjeneruan KOKSH deri në ekstremin e pabesueshëm.

Për fat të mirë nuk ju eci por duket se shkarkimi i presidentit e ka bërë gjithë asamblenë të pavlerë. Jo më kot FSHF-ja, si federata më e qartë juridikisht e ka çuar në gjyq pavlefshmërinë e kësaj “asambleje”. Siç çoi në gjyq dhe nxori të pavlefshme asambletë që po i njëjti grupim individësh, thirri në 13 dhe 23 dhjetor. Dy asamble të jashtëzakonshme në 10 ditë, rekord absurditeti institucional botëror…

E ardhmja e KOKSH është larg individëve që e kanë keqpërdorur sistematikisht atë. KOKSH duhet t’i kthehet sportit. Ai duhet të drejtohet nga një Komitet Ekzekutiv që përbehet nga federatat e mëdha olimpike si ato të futbollit, basketbollit, volejbollit, atletikës, peshëngritjes, notit, mundjes, etj. Duke lënë vend edhe për federatat e tjera që të përfaqësohen. Përndryshe nuk mund të përfaqësojë realitetin e sportit në Shqipëri. Situata që po kalon KOKSH sot është vendimtare për të ardhmen e tij.

Ose merr kthesën 180 gradë drejt ligjshmërisë, duke u vënë në shërbim të zhvillimit të sportit në Shqipëri ose do të vazhdojë në tatëpjetën drejt greminës ku e kanë drejtuar ata që kanë abuzuar me të në vite për interesa personale. Kjo është sfidë për të ardhmen e sportit dhe jo për fatin personal të disa karrigethyerve…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"