Mirë teatri, po pista e atletikës?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2020 | 21:50

Mirë teatri, po pista e atletikës?

ARTAN SHYTI

Artan Shyti

Historia e Teatrit të ri Kombëtar më solli ndërmend, përsëri, historinë e stadiumit të ri kombëtar në Tiranë.

Stadiumi i ri është shumë i bukur dhe të ndjekësh një ndeshje në të është më në fund një kënaqësi dhe jo një vuajtje, siç ka qenë në strukturën e vjetër. Për këtë, të paktën për këtë, jemi të gjithë dakord, edhe ata që nuk duan ta shprehin hapur këtë dakordësi.

Pastaj, të tjerat, olimpik apo vetëm futboll, formula e financimit, kulla apo jo kulla, aty apo në bulevardin e ri janë çështje opinionesh të cilat janë në të drejtën e tyre të jenë të ndryshme.

Por, ajo që ka interesin tim dhe besoj jo vetëm timin, është fakti që, bashkë me stadiumin e vjetër u prish edhe pista e atletikës, e vetmja që kishte Tirana. Me atë pistë lidhen shumë kujtime personale si atlet, trajner, por edhe si kryetar i Federatës së Atletikës në periudhën 2000-2004, sepse kam “lypur” atë pistë në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës, me argumentin se Shqipëria ishte i vetmi vend anëtar i asaj federate ndërkombëtare, me mbi 200 anëtarë, që nuk kishte një pistë sintetike në kryeqytetin e tij.

Pista erdhi falas, e vetmja pistë e falur deri në atë kohë nga IAAF, dhe u ndërtua. Besoj ka qenë një ditë e shënuar për të gjithë ish-atletët dhe atletët e Shqipërisë. Sot kryeqyteti është përsëri pa pistë.

Por, ndërsa në vitin 2004 Shqipëria nuk kishte asnjë pistë, në një qytet tjetër sot kemi Korçën që ka dy pista atletike me tartan, Shkodrën me një pistë dhe Elbasanin po ashtu. Pra, nuk kemi emergjencë kombëtare pistash si para 20 vitesh. Dhe kjo është shumë gjë e mirë.

Ndërkohë, kryeqyteti, Tirana, nuk ka një pistë atletike me tartan…

Transformimi i stadiumit “Qemal Stafa” nga një stadium olimpik në një stadium futbolli nuk ishte një veprim për t’u mburrur. Por tashmë kjo është një çështje e ezauruar.
TEATRI KOMBETAR
Bashkia do të shpenzojë 30 milionë euro për një teatër të ri. Shumë mirë bën. Por po kjo bashki duhet të gjejë 300 mijë euro për një pistë të re me tartan në Tiranë. Është një kosto minimale për të korrigjuar një gabim historik dhe një shifër e pallogaritshme kur dëgjon koston e teatrit të ri.

Dhe nuk besoj se ka nevojë të dalin atletët e Tiranës në protestë që bashkia të sensibilizohet, sepse nuk besoj se do të dalin. E kanë më kollaj të dalin të vrapojnë te “pista” me tartan te diga e Liqenit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"