Mbi autoritarizmin në sport

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2021 | 16:24

Mbi autoritarizmin në sport

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Sporti, që nga fillimet moderne të tij në Angli e pastaj në gjithë botën, është bazuar në funksionimin e tij, në konceptin e shoqatizimit që do të thotë: “Bëjmë sport së bashku – drejtojmë së bashku”.

Me gjithë ndryshimet e mëdha që ka pësuar sporti, me gjithë rritjen e peshës dhe rëndësisë së tij në shoqëri, përsëri ky nocion ka mbetur i paprekur dhe sot në gjithë botën sporti organizohet dhe funksionon në bazë federatash që janë, ekskluzivisht, shoqata.

Shoqatë do të thotë që vendimet i marrin të gjithë anëtarët bashkë dhe të gjithë janë të barabartë në këtë vendimmarrje. Jo më kot, me statut, federatat kanë vetëm organe kolegjiale vendimmarrjeje dhe organi më i lartë është asambleja e përgjithshme që bashkon të gjithë anëtarët periodikisht dhe merr vendimet më të rëndësishme që pastaj zbatohen nga organet e tjera si komiteti ekzekutiv. Ky nocion nuk ka ndryshuar dhe nuk pritet të ndryshojë edhe në të ardhmen.

Shoqatat nuk kanë president, pra individ me pushtet, por vetëm kryetar, si drejtues të institucioneve kolegjiale që menaxhojnë shoqatën. Në shoqatë individët kanë vetëm mandat përfaqësimi, pra përfaqësojnë shoqatën në marrëdhënie me të tretët, por në asnjë rast vendimmarrjeje si individ. Vendimet i marrin organet dhe individët i zbatojnë.

Ky është postulat!

Por çfarë po ndodh në Shqipëri?

Me një vijueshmëri të frikshme nëpër federata po instalohet autoritarizmi, pra vendimmarrja e një personi apo e një grupi të ngushtë personash duke nëpërkëmbur vullnetin e anëtarëve dhe statutet. Po rritet pesha e individit dhe po zbehet roli i asamblesë deri atje sa ato nuk mblidhen fare ose bëhen formalisht e quhen analiza vjetore(?!).

Gjithashtu, ka një tendencë të qartë që të hiqet përkohshmëria e drejtuesve individë që sanksionohet me kufizimin e mandateve të drejtimit, duke e bërë të pakufizuar. Duke shfrytëzuar situata koniunkturale të caktuara që lidhen kryesisht me paaftësinë totale të shtetit, është hequr kufizimi i mandateve, siç është normale të jenë, dhe po shkohet drejt pafundësisë së zotërimit të karrigeve “presidenciale”.

Paradoksi i madh i kësaj situate është kjo dëshirë e madhe për të kontribuar vullnetarisht për vite e vite me radhë në një aktivitet që nuk jep asnjë përfitim material dhe që kënaqësinë e arritjeve duhet ta ketë normalisht të kufizuar në një kohë të mjaftueshme 8-12-vjeçare. Me pak fjalë, nuk ka shpjegim normal kjo “ngjitje” dhjetëravjeçare pas një karrigeje që ka vetëm stres dhe telashe “vullnetare”…

Ndaj këtij fenomeni duhet ndërhyrje ligjore. Ligji i sportit duhet të përcaktojë qartë detyrimet statutore të respektimit të kolegjialitetit në drejtimin e federatave shqiptare të sportit.

Ai mund të ndërhyjë edhe në kufizimin e mandateve personale të drejtimit në sport. Askush, sado i vlefshëm që të jetë, nuk ka nevojë për më tepër se dy, maksimumi tri mandate, për të shpalosur talentin dhe përkushtimin e tij në zhvillimin e një sporti, në një detyrë vullnetare.

Drejtuesi individ në federatë është si peshku. Ditën (mandatin) e tretë fillon e qelbet erë. Dhe era nuk qelb atë që e lëshon, por sportin që ai drejton…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"