Kush guxon të tallet me atletikën shqiptare!?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 21:51

Kush guxon të tallet me atletikën shqiptare!?

Nga Artan Shyti

atletika

Atletika është, aktualisht, sporti individual cilësor në Shqipëri. Natyrisht, jo i vetmi. Por, ndër sportet më të përhapura botërisht, ku atletika është “mbretëreshë”, atletët shqiptarë janë me siguri shumë cilësorë në nivel ballkanik e, madje, europian. Luiza Gega, Izmir Smajlaj janë realitete të rëndësishme europiane. Theksoj realitete europiane në ATLETIKË.

Pastaj, po vjen mbrapa një grup atletësh të tjerë: Elvi Velikaj, 19 vjeç, 7.63 kërcim së gjati dhe 15.60 m në kërcim trehapësh, rezultate shumë premtuese, sidomos ai në kërcimin së gjati edhe në nivel europian. Franko Burraj në 400 m, 46.70 sek, një rezultat fantastik për moshën e tij. Dhe pastaj David Nikolli, 3.37 minuta në 1500 m etj.

Për ata që marrin vesh nga atletika, këto janë rezultate të larta ndërkombëtare, të cilat bëhen edhe më të spikatura kur di se në çfarë kushtesh stërviten e garojnë këta atletë. Por, nuk ka nevojë që të marrësh vesh nga atletika që të kuptosh nivelin e lartë të Luiza Gegës dhe Izmir Smajlajt.

Në këtë Shqipëri copë-copë në sport të sjellësh medalje të arta nga aktivitete europiane është një luks i pamerituar për sportin shqiptar. Praktikisht, sporti shqiptar nuk i meriton këto nivele rezultatesh me atë që u ofron këtyre sportistëve. Dhe kjo mungesë merite bëhet ulëritëse kur dëgjon që atletikës si federatë, nga granti për sportin i janë akorduar 8.5 milionë lekë për gjithë vitin 2021!?!?

Federata e Atletikës e Kosovës të njëjtin grant e ka 220 mijë euro… 8.5 milionë lekë nuk i mjaftojnë secilit nga këta atletë të rreshtuar më lart për të përballuar stërvitjen, trajtimin dhe pjesëmarrjen në garat kombëtare dhe ndërkombëtare të një sezoni. Si ka mundësi që papërgjegjshmëria të shfaqet në të tilla nivele skandaloze!?

Si ka mundësi që me paratë e buxhetit për sportin bëhen qoka absurde sipas tekave dhe interesave personalë të drejtuesve që hynë “din” e dolën “zdin” nga katër vjet mandat!?

Drejtuesit shkojnë e vijnë, ndërsa atletët e këtij kalibri janë një pasuri kombëtare që në këtë rast po shpërdorohen dhe keqtrajtohen. Dhe kështu krijohen, fatkeqësisht, kushtet që të mos “prodhojmë” të tillë në të ardhmen.

Ndaj, ata që guxojnë të keqtrajtojnë xhevahiret e atletikës shqiptare duhet të maten mirë. Se, nëse nuk do të japin llogari sot për këtë, me siguri, e ardhmja do t’i kryqëzojë si një kombinim absurd i paaftësisë me injorancën…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"