KOKSH, një asamble zgjedhore joserioze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2021 | 22:20

KOKSH, një asamble zgjedhore joserioze

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Kandidimi për president i KOKSH ishte një propozim nga FSHF që më surprizoi, por edhe më ngjalli interes, ndaj u përgjigja pozitivisht. Gazeta “Panorama Sport” është dëshmitare dhe mbështetëse, me mundësinë që më ka dhënë vazhdimisht për të shprehur publikisht shqetësimet e mia rreth degradimit galopant të funksionimit të kësaj organizate të rëndësishme për sistemin sportiv kombëtar në çdo vend demokratik.

Natyrisht, e quaj detyrim impenjimin konkret, nëpërmjet kandidimit dhe fitores, për të kontribuar konkretisht në rikthimin e KOKSH në normalitetin e funksionimit të tij si mbështetës i fuqishëm i sportit në Shqipëri. Sporti shqiptar ka problematika të mprehta dhe të pazgjidhura, por KOKSH nuk ka dhënë në vite asnjë kontribut konkret për zgjidhjen e tyre. Financimi skandaloz publik, mbështetja fare e pamjaftueshme e sportistëve elitarë, promovimi i sportit si mjet i rëndësishëm i edukimit të rinisë etj. janë vetëm disa nga shqetësimet. Për fat të keq, nuk kemi asnjë prononcim zyrtar, asnjë projekt apo iniciativë serioze për zgjidhjen e tyre në dobi të sportit nga ana e KOKSH.

Por, shqetësimi im sot është serioziteti me të cilin po organizohet kjo asamble e përgjithshme zgjedhore. Dihet që asambleja zgjedhore është një moment i rëndësishëm në një organizatë sportive. Po si mund të jetë e tillë në KOKSH kur kjo asamble lihet të zhvillohet në kulmin e fushatës së zgjedhjeve politike, vetëm një javë përpara tyre!? Pse nuk mund të pritej të mbaronin zgjedhjet politike dhe në maj, qershor apo korrik të zhvillohej asambleja e KOKSH?

Sot që flasim, vetëm 10 ditë përpara asamblesë, unë si kandidat, nuk kam asnjë informacion zyrtar se cilët janë konkurrentët për president, konkurrentët për Komitetin Ekzekutiv, madje as orën, vendin ku do të zhvillohet, cili është rendi i ditës, sa kohë kemi apo a do të kemi kohë në dispozicion për të shpalosur programin përpara anëtarëve të asamblesë që votojnë. Nëse kjo mund të quhet asamble normale nuk di ç’të them… Edhe një shoqatë e thjeshtë sportive është shumë më serioze në organizimin e asamblesë zgjedhore sesa këto standarde të KOKSH.

Ky është një tjetër tregues i amullisë dhe situatës katastrofike në këtë organizatë, por kjo ma forcon edhe më shumë bindjen për të kandiduar dhe më rrit përgjegjshmërinë e impenjimit. Ndaj, u bëj thirrje të gjithë atyre përfaqësuesve të federatave dhe shoqatave anëtare të KOKSH që ta shfrytëzojnë këtë moment të rëndësishëm, siç janë zgjedhjet e organeve drejtuese të KOKSH, për të mbyllur një kapitull të turpshëm të kësaj organizate dhe për të filluar një epokë të re pune, serioziteti, bashkëpunimi në këtë organizatë të rëndësishme për fatet e sportit në Shqipëri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"