Kampioni i Europës që na diskrediton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2020 | 17:09

Kampioni i Europës që na diskrediton

Nga Artan ShytiArtan-Shyti

Një rus që ka marrë pasaportë shqiptare ka dalë kampion Europe në gjimnastikë. Lajm i bukur dhe njëkohësisht i veçantë. Edhe për faktin që ndryshon një tendencë shumëvjeçare që sportistët shqiptarë i ka bërë “grekë”, “gjermanë” apo “italianë” dhe, si të tillë, u kanë dhënë medalje të tjerëve. Vetëm grekëve nja 30 medalje olimpike…

Por, nëse hyn pak më thellë në këtë ngjarje, fillojnë e dalin disa “petë lakrori” që ta heqin kënaqësinë e kësaj arritjeje të rëndësishme sportive dhe të ngjallin keqardhje e zemërim. Gjimnastika shqiptare vërtitet prej vitesh në një situatë absurde të ekzistencës së dy “federatave”. Ligji i sportit (neni 16, pika 3) përcakton qartë që shteti, pra, ministria, njeh vetëm një federatë dhe askush tjetër nuk mund të përdorë këtë emërtim përveç asaj të njohur nga shteti. Aktualisht kemi një federatë që njeh shteti dhe një “federatë” tjetër që ministria nuk e njeh si të tillë, por që vazhdon të ekzistojë si federate dhe, për absurdin më të madh, kjo e fundit njihet nga KOKSH dhe është anëtare e saj!? Pra, më thjesht, ministria njeh një federatë gjimnastike, ndërsa KOKSH, që është vetë një organizatë e cila duhet të njihet nga ministria (ligji i sportit, neni 14, pika 5), i bën karshillëk kësaj të fundit dhe njeh një organizatë tjetër si federatë!? Dhe ministria bën sehir…matvei-petrov

Ky është një tjetër tregues i skandalit menaxhues shtetëror të sportit dhe ky është një fakt tashmë evident prej kohësh. Por problemi aktual është që sportisti kampion Europe ka garuar për “federatën” e gjimnastikës që nuk njihet nga ministria. Ndërkohë që ministria duhet ta shpërblejë sepse ka përfaqësuar Shqipërinë dhe dalë kampion Europe!? Ngado që ta rrotullosh, nuk e zgjidh dot. Ose nuk njeh federatën dhe nuk e shpërblen që do të ishte skandal, sepse të mos shpërblesh një kampion Europe që ka garuar me flamurin shqiptar është më shumë se skandal. Ose, duke e shpërblyer, do të “lëpish” atë që ke “pështyrë” duke njohur një federatë që nuk e ke quajtur të tillë prej vitesh, dhe njeh dy federata, duke shkelur ligjin e sportit. Çfarëdo zgjidhjeje nuk është zgjidhje. Ndërkohë që mjaftonin 30 ditë për ta zgjidhur përfundimisht këtë situatë që ekziston prej vitesh… Këto janë kostot që paguajmë për paaftësinë tonë shumëvjeçare në drejtimin e sportit. Ose, më mirë, këto janë shpërblimet e kampionëve të Europës që nuk paguajmë dot…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"