Ilir Suli, krenaria dhe turpi ynë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2021 | 13:52

Ilir Suli, krenaria dhe turpi ynë

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Pamjet e Ilir Sulit që i kërkonte intervistueses dhe të gjithë atyre që po e dëgjonin të iknin nga Shqipëria më ngjallën trishtim. M’u kujtua ai Ilir që refuzoi në rininë e tij të lavdishme, oferta tunduese për të ikur nga Shqipëria dhe veshur uniformë tjetër e nderuar flamur tjetër, kundrejt përfitimeve që Shqipëria as nuk ëndërronte t’ia jepte dot.

ilir suli

Nuk iku, për fatin tonë të mirë dhe fatin e tij të keq… Ndërsa shumë të tjerë u tunduan, ai jo. Qëndroi në Shqipëri dhe u bë krenaria jonë. Mburreshim me të, e prisnim me kuaj e karroca, e nderonim e shpërblenim. Me fjalë shumë, me para shumë pak. Sot, që Ilir Suli shfaqet i zhgënjyer para kamerave rastësisht, ajo krenari e dikurshme duhet të kthehet në turp. Duhet të na vijë turp nga vetja që një sportist të jashtëzakonshëm e kemi lënë në mëshirë të jetës së vështirë që e pret çdo ish-sportist në një vend si ky i yni që s’ka turp të nderojë llojlloj paçavuresh, por që nuk gjen kohë dhe vëmendje të mendojë për njerëz që i kanë dhënë atij lavdi, duke sakrifikuar rininë e tyre.

Askush nga institucionet nuk lëvizi, nuk u prononcua, nuk ndali që të merrte përgjegjësi, sadopak përgjegjësi. Dhe kjo është shumë më e rëndë, sepse tregon se ky vend jo vetëm nuk di, por edhe as nuk do që të mendojë për sportistët elitarë. Shqipëria është një vend me fat që ka pasur dhe ka sportistë të tillë, por këta sportistë kanë fatin e keq të kenë lindur në Shqipëri dhe të garojnë për të.

sILIR sULI

Ndaj, të gjithë ata që janë krenuar dikur me Ilir Sulin duhet sot t’u vijë turp për fjalët që ai thotë, për situatën ku ndodhet. Sidomos, atyre që këtë ndjenjë turpi kanë fuqi ta shndërrojnë në veprime konkrete në mbështetje të tij dhe të kolegëve të tij sportistë dhe ish-sportistë elitarë të Shqipërisë. Ilir Suli nuk ka nevojë për lëmoshën e askujt. Shqipëria ka nevojë që krenaria e saj dikurshme e të mos jetë turpi i saj i sotëm!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"