Hapeni sportin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 15:37

Hapeni sportin!

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Në këto kohë të zymta për njerëzimin, kur vihet në provë ekzistenca dhe vazhdimësia e jetës, duket sikur të flasësh për sportin është një absurditet. Në fakt e shohim këtë edhe në refuzimin konstant te ne për të lejuar aktivitetet sportive, ndërkohë kur grumbullimet e njerëzve në shkolla, lokale apo në çdo ambient publik dhe privat janë shumë më të rrezikshme se sa një ndeshje volejbolli, pingpongu apo një garë atletike. Sporti fatkeqësisht konsiderohet një luks i tepërt në këto kohë “COVID”-i, por realisht nuk është ashtu.

Të gjithë ata që dinë dhe kuptojnë rolin dhe vendin e sportit në shoqërinë aktuale dhe imagjinojnë projeksionin e saj në të ardhmen, e kanë të qartë se ky popullaritet dhe kjo prani e sportit në jetën shoqërore dhe individuale të njerëzimit jo vetëm që nuk është luks, por është një nevojë jetësore.

Globi do të luajë.

Njerëzimi do të bëjë sport.

Sepse i mungon në jetën e përditshme kënaqësia spontane që loja të jep.

Sepse i mungon në jetën e përditshme sforcimi fizik që në milionavjeçarë e ka shoqëruar, zhvilluar dhe përsosur. Sepse i mungon euforia apo hidhërimi kolektiv që loja apo ndjekja e lojës së të tjerëve të jep, në një jetë që përditë e më shumë behët individualiste.

Sepse loja është mënyra më e mirë për të mësuar të fshehtat e jetës shoqërore dhe për ta bërë sa më të mirë atë. Sepse sot kur shkon te mjeku dhe ankohesh për çdo lloj sëmundje apo i kërkon këshillë për parandalimin e tyre, gjëja e parë që të rekomandon është të lëvizësh, të bësh sport, të luash.

Sepse sot ndër 10 veta që vdesin nga sëmundjet joinfektive 6 vdesin nga mungesa e lëvizjes që është baza e lojës, thelbi i sportit.

Sepse ata që janë të fortë fizikisht janë edhe më imunë ndaj flamave të tilla si kjo që po kalojmë.

…sepse…sepse

Ka shumë sepse, por asnjëra prej tyre dhe të gjitha bashkë nuk do të arrijnë të shpjegojnë plotësisht sekretin e kësaj lidhje shpirtërore të njerëzimit me sportin.

Sporti po shndërrohet përditë e më shumë në një besim, në një “fe”. Ai është pa dyshim feja e re e mijëvjeçarit të tretë dhe dishepujt e tij shtohen çdo ditë.

Ndaj pasi të habitemi apo jo për këtë popullaritet të jashtëzakonshëm të tij, ajo që mbetet është ta shijojmë e të kërkojmë që loja të mbetet e tillë: spontane apo e organizuar, fëmijësh apo profesionistësh, por gjithmonë e drejtë, e pastër, e ndershme.

Ndaj hapeni sportin sepse i jepni një mundësi më shumë jetës!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"