“Fair Play” jo si detyrë, por si lartësim moral

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2021 | 21:19

“Fair Play” jo si detyrë, por si lartësim moral

ARTAN SHYTI

artan shyti

Ngjarja në ndeshjen Tirana-Kastrioti meriton një reflektim si një situatë e pazakontë, ashtu siç ndodhin shumë situata në sport. Të gjithë pamë se nuk u respektua rregulli i pashkruar që kur një lojtar dëmtohet, ekipi kundërshtar, nëse e ka topin në zotërim, e nxjerr jashtë që lojtarit t’i vihet në ndihmë. Tirana nuk e bëri këtë dhe shënoi gol. Duke parë ngjarjen në fjalë, m’u kujtua rasti i Paolo di Kanios.

Një lojtar italian shumë kontrovers me histori konfliktesh, si lojtar në Itali, Skoci e Angli, ai hyri në historinë e futbollit sepse në dhjetor 2000 kur luante me Uest Hemin kundër Evertonit, në momentet e fundit të ndeshjes, kur të dy ekipet duhet të fitonin patjetër, ndaloi me duar topin që po i vinte si krosim për të shënuar një gol të lehtë, pasi pa që portieri kundërshtar i Evertonit ishte rrëzuar i dëmtuar. Stadiumi u ngrit i gjithi në këmbë për të nderuar këtë veprim.

Di Kanio2

FIFA i dha në vitin pasardhës çmimin botëror të “Fair Play”-t dhe praktikisht, Di Kanio hyri në histori. Kjo m’u kujtua kur pashë lojtarin e Tiranës të shënonte një gol të bukur dhe të rëndësishëm për Tiranën, ndërkohë që kundërshtari i tij ishte shtrirë i dëmtuar. Për mua dhe shpresoj jo vetëm për mua, ndalimi i topit me duar, në vend të goditjes me kokë do të ishte veprimi i duhur. Një vendim jo i lehtë për t’u marrë, por në vendimet e vështira qëndrojnë vlerat me të mëdha.

Nuk po e qortoj futbollistin se nuk bëri atë që unë mendoj se duhet të bënte. Sporti është i bukur, i veçantë, pasi nuk të jep shumë kohë për të zgjedhur veprimin e duhur. Por, nëse ndeshja do të ndalonte në atë moment, si pasojë e një gjesti “alla Di Kanio”, unë besoj se përfitimet për të gjithë do të ishin shumë më të mëdha sesa nga shënimi i atij goli. Rregulli i pashkruar i “Fair Play”-t krijoi në atë çast mundësinë për të shënuar jo një gol, por një moment historik, jo vetëm për individin, por për gjithë futbollin dhe sportin shqiptar.

Kemi nevojë për të tilla momente po aq, e ndoshta më shumë sesa momente të shënimit të golave. Një rregull i pashkruar nuk respektohet si detyrë, si nen rregulloreje. Ai është detyrim moral që nuk kërkohet me dhunë, por vetofrohet. Ndaj, plotësimi i tij edhe në rastet kur “prish punë” është niveli më elitar i lartësimit profesional dhe njerëzor. Të shpresojmë për herën tjetër…!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"