Durrësi, përtej një fitoreje sportive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 22:28

FB Kategoria Superiore Lajmi i fundit Opinion

Durrësi, përtej një fitoreje sportive

ARTAN SHYTI

Artan Shyti

Të asistoje në ndeshjen e futbollit Teuta-Skënderbeu 1-0, ditën e diel, në stadiumin “Niko Dovana”, ishte një emocion i cili e kapërcen kontekstin sportiv që ka zakonisht një ndeshje futbolli.

Në një qytet akoma të tronditur, ku jeta po i kthehet normalitetit me vështirësitë e natyrshme të pasojave të një traume të rëndë, organizimi dhe zhvillimi i një eventi sportiv është shumë gjëra njëkohësisht: Është një kontribut, sado i vogël, në këtë rikthim të vështirë në normalitet.

Teuta Lorenco Vila

Është një moment optimizmi që i injektohet një situate ku optimizmi është me pakicë dhe ku një ndeshje futbolli mund të komentohet edhe si një ngjarje e panevojshme. Është një emocion, për fat të mirë pozitiv, për tifozët durrsakë të sportit, të cilët, të paktën për ato 90 minuta, iu gëzuan fitores sportive në një tërësi humbjesh shumë më të rënda e më jetike. Është një mundësi për të treguar qytetarinë e tifozëve të mrekullueshëm durrsakë, të cilët, me iniciativën e tyre, krijuan një koreografi mbresëlënëse në kujtim të jetëve të humbura në këtë tragjedi që goditi qytetin, veprim që mori vlerësimin dhe miratimin e të gjithë spektatorëve të pranishëm e, me siguri, edhe të atyre që ndeshjen e ndoqën nga shtëpia.

teuta skenderbeuu

Është një bashkim simbolik i të dyja ekipeve përpara ndeshjes që shpreh solidaritetin e gjithë sportit shqiptar rreth Durrësit dhe banorëve të tij. Durrësi duhet e do të ringrihet përsëri në këmbë, duke rimarrë vendin që i takon, atë të një qyteti në pararojë të zhvillimit ekonomik e shoqëror të Shqipërisë.

Teuta-Skenderbeu

Një kontribut modest, por me siguri të mirëpritur në këtë ringritje duhet e do të japë edhe sporti i qytetit në të gjitha dimensionet e tij. Prandaj, rehabilitimi i ambienteve sportive dhe kapërcimi i pasojave të tërmetit edhe në to mbetet një ndër shumë detyrat që duhen përballuar. Në të njëjtën kohë edhe mobilizimi i sportistëve të Durrësit për të kontribuar me sukseset e tyre në rikthimin e gëzimit dhe optimizmit.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com