A është ky sporti që duam?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2019 | 22:45

A është ky sporti që duam?

ARTAN SHYTI

Artan Shyti

Sporti në botë zhvillohet bazuar në modele të qarta. Modeli i vendeve perëndimore nënkupton që zhvillimi i sportit është iniciativë e njerëzve të organizuar në klube, pastaj federata kombëtare, e pastaj në federatat ndërkombëtare. Shteti është pak prezent, vetëm në mbështetjen specifike në nivel kombëtar për raste të veçanta.

Në nivel lokal mbështet zhvillimin e sportit duke krijuar ambiente sportive për të gjithë ushtruesit. Cilësia sportive në nivel lokal është përgjegjësi e individëve dhe klubeve sportive. Modeli i ish-vendeve komuniste. Këto vende, të mësuara me praninë e plotë të shtetit në çdo fushë të jetës, e kanë edhe sot shtetin shumë të pranishëm në sport, por kryesisht në nivel qendror duke mbështetur federatat e sporteve.

Ndërsa në nivel lokal, prania e shtetit është e papërfillshme. Në kuadër të ndryshimeve të ndodhura në këto vende, shteti po humbet praninë e tij dhe po shkon gradualisht në parametrat e vendeve të tjera perëndimore.

armand duka edi rama

SPORTI YNE

“Modeli” shqiptar është një model jashtë çdo sistemi. Në nivel qendror kontributi për sportin është i papërfillshëm, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Mbështetja financiare e federatave është skandaloze dhe nuk përligjet nga situata ekonomike e vendit. Për shembull, Kosova është shumë më keq se ne ekonomikisht dhe ka një buxhet qendror të Ministrisë së Sportit, që është 15-fishi i buxhetit tonë.

Nga ana tjetër, në nivel lokal kemi një anarki totale. Nuk ekziston asnjë kriter për sasinë dhe drejtimet e mbështetjes financiare dhe organizative të sportit. Në vend që pushteti lokal të zërë pozicionin e tij të natyrshëm, të mbështetësit të pjesëmarrjes së njerëzve në sport, duke financuar ambientet sportive dhe projekte që përfshijnë sa më shumë ushtrues, drejtuesit lokalë janë shndërruar në pronarë klubesh, kryesisht futbolli, por jo vetëm, duke bërë shpenzime marramendëse të fondeve publike, pa kriter, pa objektiva dhe pa rezultate.

Në sportin lokal, për shumë elementë organizativë, koha ka mbetur në praktikat e komunizmit… Në një kuadër kompleks, ne kemi një sport të deformuar në strukturën dhe përmbajtjen e tij. Sot një federatë shqiptare e një sporti të rëndësishëm financohet nga pushteti qendror, më pak sesa financohet nga pushteti lokal një ekip i po këtij sporti. Pra, nga i njëjti shtet më shumë para ka një klub anëtar sesa gjithë organizata kombëtare ku ky klub është anëtar…

Gjithashtu, FSHF nuk merr asnjë fond nga Ministria e Sportit, ndërkohë që shuma totale e klubeve të futbollit që financohet nga pushteti lokal është rreth 10 milionë euro në vit dhe pa këto para, futbolli lokal nuk do të ekzistonte… Financimet publike lokale janë në 90% të destinuara për sportistët elitarë, në formën e mbulimit të pagave dhe shpenzimeve të përditshme dhe shumë pak për atë që është misioni real i pushtetit lokal në sport: ndërtimi i ambienteve sportive dhe promovimi i sportit për të gjithë.

KONKLUZION

Kjo situatë kaotike prodhon vetëm dështim në cilësi dhe harxhim fondesh publike pa asnjë efektivitet. Ndaj, ajo që duhet bërë urgjentisht është reformimi i plotë i Sistemit Sportiv Kombëtar për të krijuar një fizionomi të qartë dhe moderne të sportit shqiptar, një balancim të sportit qendror dhe atij lokal dhe pozicionit të strukturave publike në to.

Sa më shumë të vonohet ky reformim, aq më e vështirë do të jetë dalja nga amullia institucionale që mbizotëron në të gjitha nivelet. Në të kundërt, ky që kemi mund të jetë sporti që meritojmë aktualisht, për shkak të paaftësisë sonë, por në asnjë mënyrë, nuk është sporti që i duhet të ardhmes së shqiptarëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"