Skënderbeu viktimë e arbitrit Meta, moviolistët duhet të pajisen me gjyzlykë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 20:31

FB Kategoria Superiore Lajmi i fundit Opinion

Skënderbeu viktimë e arbitrit Meta, moviolistët duhet të pajisen me gjyzlykë

ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Dy mbledhje të njëpasn jëshme të organizuara nga FSHF-ja për nivelin e ulët të gjykimeve në javët e fundit, si dhe mjaft analiza dhe opinione të bëra nga specialistë me përvojë, më krijuan bindjen se së paku në këtë javë të fundit, arbitrat do të jepnin maksimumin e asaj që dinë të bëjnë.

Por ai që në fakt di më shumë se të tjerët, nga siguria apo stereotipi i vjetër, ndenji po në pozitat e mëparshme, ndërsa katër arbitrat e tjerë gjykuan mirë.

Kridens Meta gaboi rëndë në ndeshjen Tirana-Skënderbeu. Skënderbeu u shndërrua në një viktimë të tij.

Ai nuk ndëshkoi me penallti një rast të pastër në favor të Skënderbeut, ku në vazhdimësi të aksionit kemi dy shkelje të pastra të mbrojtësit numër 32 të Tiranës.

Në foton Nr.1, sulmuesi korçar Nr.23 edhe pse zotërues i topit, ishte në një luftë të pastër trup më trup me mbrojtësin Nr.17 të Tiranës. Në foton Nr.2, 3 dhe 4, shohim të afrohet mbrojtësi tiranas Nr.32, i cili fillimisht ngre krahun e majtë në lartësinë e kokës së sulmuesit korçar dhe e shtyn atë edhe me trup, derisa e rrëzon në tokë. Duket qartë se nuk ka realizuar as edhe një kontakt të vogël me topin.

Skenderbeu-Tirana

Ndërkohë, shkelja më e dukshme edhe për një arbitër me pak përvojë, është fakti se të dy mbrojtësit tiranas e kanë vënë atë midis, pra përveç shtyrjes kemi edhe bllokim të sulmuesit nga të dy mbrojtësit, që ai të avancojë në drejtim të portës. Kjo është një superpenallti që tek “Abc News” nuk u trajtua fare, ndërsa në “Top Channel” u trajtua në një mënyrë qesharake. “Unë nuk shoh asgjë dhe arbitri nuk ka parë asgjë”, tha moviolisti Jemini?!

Dy gabime shumë të rënda i lejoi vetes arbitri Meta në rastin e golit të barazimit të Tiranës. Arbitri nuk detyrohet nga rregullorja që të ndërpresë rifillimin e lojës për të ndërtuar barrikadën nëse këtë nuk ia kërkon ekipi mbrojtës. Dhe, në këtë pikë ishte plotësisht brenda rregullores, por ajo e detyron arbitrin, veçanërisht në shkeljet në afërsi të portës kundërshtare, që loja të rifillojë pikërisht atje ku u bë shkelja.

Loja rifilloi së paku 2.5 metër më afër portës kundërshtare. Gabimi i dytë më i rëndë se i pari ishte se lejoi aksionin kur sulmuesi tiranas e goditi topin jo të ndalur por në lëvizje.

skenderbeu-tirana

Kjo është plotësisht e ndaluar. Moviolisti Janku ishte i vetmi në studion e “Abc News”, që nuk e dalloi dot se topi ishte në lëvizje dhe pamjet u përsëritën shumë herë. Pjesëmarrësit e tjerë në studio i kërkuan atij që të tregohej më realist. Moviolistët e mësipërm janë arbitra me shumë përvojë dhe është e pabesueshme që të pranosh se ata nuk janë të aftë që të dallojnë këto shkelje flagrante. E mira e të gjitha palëve do të jetë që studiot përkatëse t’i pajisin ata me gjyzlykë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com