Reja, kali i mirë nuk shitet me një të penguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2019 | 23:25

Reja, kali i mirë nuk shitet me një të penguar

ARSEN HOXHA*

arsen hoxha

Urime ekipit Kombëtar dhe stafit drejtues me në krye ju, z. Reja. Pas dëshpërimit, një erë e re erdhi në tri ndeshjet e fundit. Ekipi ka krijuar fizionominë e tij. Mesfushorët janë çelësi, ku topi, krejt ndryshe nga më parë, qarkullon lirshëm, saktë dhe me rrezikshmëri për kundërshtarin.

Reparti i mbrojtjes nuk po lejon më hapësira si në ndeshjet e shkuara. Lojtarët tanë sulmues po tregojnë më shumë besim dhe këmbëngulje për të shënuar, por akoma kanë nevojë për të bërë veprime edhe më të zgjuara, duke ia pasuar topin shokut se sa të gjuajnë vetë në drejtim të portës, aty ku mundësia për të shënuar është fare e vogël. Por ajo që sportdashësit i ka mbushur me entuziazëm, është se po shikojnë një ekip të motivuar mirë, me një lojë këmbëngulëse dhe agresive ndaj kundërshtarit.

edi reja

Më kuptueshëm, ata në tri ndeshjet e fundit dhanë të gjitha ato mundësi që dispononin, sepse në mënyrë të veçantë kishin kuptuar drejtë dhe u përpoqën në maksimum të vinin në jetë porositë tuaja. Të gjithë jemi të kënaqur, por deklaratat e tepërta, që në thelb shprehin vetëkënaqësi, duhet të jenë më të përmbajtura, sepse ato reflektohen lehtë te lojtarët. Praktika ka treguar se vetëkënaqësia është një lloj ndjenje, që shpesh i frenon lojtarët për të dhënë maksimumin, kur iluzioni i tyre është se janë “të mëdhenj”.

Në fakt, ne akoma nuk jemi të tillë. Jemi në rrugë e sipër. Kyçi i suksesit tonë është mobilizimi total dhe qëndrimi agresiv i pastër sportiv, për mos t’u lejuar frenat e lojës kundërshtarëve. Vetëkënaqësia shpesh të pengon për të dhënë maksimumin e duhur në fushë. Unë i trembem kësaj. Si njeri i futbollit dhe dashamirësi juaj, uroj që mos të bëni disa gabime të asaj natyre që bëri paraardhësi juaj. Marrëdhënia me lojtarët është kyçi i suksesit. Janë të shumta vërejtjet dhe pakënaqësitë që një trajner ka për mënyrën se si lojtarët në ndeshjen e radhës u paraqitën, por ato mendoj se duhet të jenë objekt i analizave brenda ekipit.

edi reja

Çdo lojtar është i vetëdijshëm për gabimet që i ka lejuar vetes në një ndeshje, por mendoj se kur trajneri i bën publike gabimet e tyre, një ndjenjë pakënaqësie i përfshin ata, që në njëfarë mase, është pragfillimi i një qejfmbetjeje, e cila nëse “trashet” edhe më shumë, arrin deri aty sa të ndikojë në marrëdhëniet midis lojtarëve dhe trajnerit. Kjo situatë ishte para se ju të uleshit në stol.

Rasti i portierit Strakosha ishte me të vërtetë i dhimbshëm, por jo i pajustifikuar. Kur ai u nis për të larguar topin, mendoj se mbrojtësi nuk do ta pengonte. Ndërkohë, mbrojtësi i ndodhur në pozicion jo të përshtatshëm, nuk pati mundësi ta shikonte këtë ndërhyrje të portierit dhe kështu e pengoi atë për të larguar topin. Ishte vetëm një aksident, që mund t’i ndodhë edhe portierit më të mirë të botës. Sportdashësit e kuptuan shumë mirë atë që ndodhi, prandaj edhe ata e konsideruan vetëm si një rastësi të keqe.

Ndërsa pranoni se Strakosha është një portier shumë i mirë, thënia juaj se do të mendoheshit për portierin e parë në ndeshjet e ardhshme, mendoj se nuk është e duhura. Ajo i tensionon marrëdhëniet kur thuhet publikisht, bazuar vetëm mbi një rast, sado i rëndë që të jetë ai. Është e drejta juaj që të caktoni portierin në ndeshjen e ardhshme, madje pa i dhënë llogari askujt, por deklarata juaj publike vetëm për një rast të tillë, mendoj se nuk është e duhura dhe në interes të punës. Ne shqiptarët përdorim një shprehje: “Kali i mirë nuk mund të shitet me një të penguar”. Ju uroj suksese në ndeshjet e ardhshme.

*Ish-arbitër i FIFA-s

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"