Partizani u vetëkënaq, Jorgji mbytet edhe me një lugë ujë, por nuk mori urdhër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2021 | 14:36

Partizani u vetëkënaq, Jorgji mbytet edhe me një lugë ujë, por nuk mori urdhër

Nga Arsen Hoxha

arsen hoxha

Tani që ky kampionat i fortë dhe interesant përfundoi, disa mendime mund të jepen më lehtë, gjithmonë me dëshirën se mund të influencojnë sadopak në përmirësimin e së ardhmes. Në Kategorinë Superiore është një president që dallon shumë nga të tjerët. Sjellja qytetare, toleranca dhe modestia janë gjithmonë prezente në veprimtarinë e tij. Ai është Edmond Hasanbelliu. Rezultatet e vitit të kaluar dhe këtij aktual, edhe pse nuk janë plotësisht për meritë të tij, sepse në fushë luajnë futbollistët të drejtuar nga stafi teknik, të udhëhequr nga mjeshtri Martini, vlera e tij është e padiskutueshme. Ai i udhëhoqi në mënyrë të suksesshme të tijtë. Pa dyshim që Vllaznia zbukuroi veten dhe historinë e saj. Në një moment kritik, disa analistë influencuan negativisht, jo vetëm në moralin e lojtarëve, por edhe të drejtuesve të saj. U publikua padrejtësisht, se gjoja një komplot kompromisesh po dëmtonte ecurinë e saj. Kushdo që njeh psikologjinë e futbollit dhe ecurinë e tij, kupton lehtë se qëndrime të tilla janë praktikë e përditshme.

Më ka rastisur shpesh që në Shkodër të më emëronin për të gjykuar, kur në stadiumin e saj luanin ekipet e Partizanit, Tiranës dhe Dinamos, të cilat realisht ishin edhe ekipet më të forta. Në të gjitha këto ndeshje, stadiumi mbushej plot e përplot. Kur dy javë më vonë në Shkodër luante një ekip tjetër, por që ndeshja ishte më e rëndësishme, sepse ai ekip kishte pikë të përafërta me Vllazninë, stadiumi ishte gjysmë i mbushur?! Kjo është psikologjia e futbollit. Ndaj ekipeve të forta mobilizimi është shumë herë më i madh. Vllaznia ishte një ekip i tillë dhe ndaj saj nuk pamë të bëhej asnjë komplot. Sidoqoftë, nuk mohojmë meritat e të tjerëve nëse themi se për pak gjë, ceremonia e dorëzimit të kupës mund të bëhej në Shkodër. Ashtu duhen të ndjehen ata moralisht. Meritë të padiskutueshme kanë drejtuesit e saj (Voltana Ademi, Alban Xhaferi dhe Matko Djarmati), që luftuan me vetëmohim për të bërë realitet atë që premtuan publikisht në fillim të kampionatit. Laçi është model i shpirtit të lartë të mobilizimit. Laçianët zhvillojnë ndeshje të nivelit të lartë teknik, por meritë të veçantë ka presidenti luftarak Laska, që di ta shndërrojë në psikologji të përgjithshme të lojtarëve dhe stafit të tij, këtë cilësi tepër pozitive që ka. Ai është një shembull shumë i mirë, që duhet studiuar me kujdes edhe nga presidentë dhe stafe, që edhe pse kanë mundësi më të mëdha, ekipet e tyre paraqesin luhatje jo të vogla në vlerësimin dhe mobilizimin e ekipeve me të cilat ndeshen.

Rënia e Partizanit në sezonin e kaluar filloi pikërisht në ato momente kur pseudospecialistët u thurën shumë lavde lojtarëve dhe drejtuesve teknikë të Partizanit. Të krijohej përshtypja se edhe kupa do të jepej po atë natë, madje po në atë studio edhe pse nuk kishin mbaruar ende edhe gjysma e ndeshjeve të kampionatit. Pas një ndeshjeje tepër të rëndësishme dhe të vështirë, lojtarët e Partizanit e kthyen në praktikë që të humbnin pikë me ekipe ndjeshëm më të ulët se niveli tyre. Edhe në ndeshjen e shumëpërfolur Partizani-Vllaznia, ata u udhëhoqën nga ai mentalitet, sepse në ato 90 minuta nuk u panë asnjëherë që të shprehnin maksimumin e mobilizimit të tyre. Vetëkënaqësia e ka dëmtuar seriozisht përfaqësimin e saj. Praktika të tilla, që pas një fitoreje të bujshme, trajneri apo lojtarë të veçantë që ftohen në studio për t’u mbushur me lëvdata, ka rezultuar t’i ketë dëmtuar ato ekipe në ndeshjet e ardhshme. Dëshiroj që presidenti i respektuar Demi dhe stafi i tij, ta kuptojnë drejt këshillën time shoqërore, e cila synon që sportdashësit e ekipit të shikojnë një Partizan të nivelit të lartë dhe luftarak, ashtu siç ka edhe traditën.

Jorgji

Arbitrat, sikurse është tradita, përsëri nuk u shpëtuan dot kritikave. Ata përballuan me sukses shumë nga ndeshjet më të forta të kampionatit, siç ishin ato midis Partizanit, Teutës, Vllaznisë, Laçit dhe Tiranës. Patën një përmirësim të ndjeshëm nga vitet e kaluara. Disiplina u kontrollua më mirë. U dallua më shumë loja burrërore nga ajo e rënda. Ka pasur më shumë kurajë dhe objektivitet në dhënien e penalltive, por për fat të keq është gabuar rëndë në disa raste, që kanë ndikuar direkt në rezultatin e ndeshjes. Ajo qe bie në sy është se, ende nuk interpretohen drejt teknikisht rastet e ndodhura, veçanërisht ato të ndërhyrjeve nga prapa, kur praktikisht nuk ekziston asnjë mundësi dyluftimi apo ato të prekjeve të topit me dorë. Enea Jorgji aq sa ka treguar se është një arbitër shumë i mirë dhe i aftë të drejtojë edhe ndeshje tepër të vështira, po aq ka treguar se mbytet edhe me një lugë ujë të vetme dhe për pasojë t’i ketë lënë vetes vend për kritika nga më të fortat në drejtim të tij. Në ndeshjen Partizani–Vllaznia ai gaboi shumë rëndë.

Duke iu referuar asaj që unë pashë të filmuar, nuk mendoj se vendimi i tij naiv erdhi si pasojë e një paragjykimi apo komandimi nga lart. Nëse do të ishte kështu, ai do të sinjalizonte menjëherë për një penallti në favor të Vllaznisë dhe nuk do të urdhëronte për një goditje nga këndi. Deri këtu, ai ishte shumë mirë, por a justifikohen për një arbitër të nivelit të lartë ato që bëri më pas? Natyrisht që jo. Po cilat janë arsyet që atë e çuan në veprime të gabuara? Mendoj se janë ato që unë ia kam evidentuar Jorgjit edhe herë të tjera. Ai duhet të studiojë me vëmendje rregullat e lojës dhe të thellohet në interpretimet e tyre. Vendimet e arbitrit, i cili gëzon autoritetin e plotë për të zbatuar “Rregullat e Lojës”, duhet të bazohen vetëm në opinionin e tij përfundimtar. Jorgji ishte në një pozicion të përsosur për të dalluar atë që ndodhi dhe ishte fare e pastër. Mbrojtësi i Partizanit nuk po lëvizte krahun në drejtim të topit që po vinte. Përkundrazi, krahu i tij po shkonte në drejtim të lëvizjes së topit që po shkonte në trupin e mbrojtësit të Partizanit. Protestat e mbrojtësve shkodranë e lëkundën shumë shpejt besueshmërinë e tij në vendimin e marrë. Dhe, çuditërisht, ai kërkoi mendim nga asistenti prapa portës i cili kishte një pozicion absolutisht të disfavorshëm për të parë atë që ndodhi. Një asistent apo zyrtar tjetër i mençur, asnjëherë kur pyetet nga arbitri nuk duhet të japë vlerësim nëse nuk është plotësisht i sigurt. Në këto raste, heshtja është shumë herë më e mirë sesa një hamendësim. Ai vendim, ndoshta ndryshoi shumë gjëra në rreshtimin e ekipeve, që fatkeqësisht cenoi edhe imazhin e arbitrave edhe në këtë kampionat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"