Mjaft me dënime kolektive, për dhunën duhet të hiqen pikët!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 19:06

Mjaft me dënime kolektive, për dhunën duhet të hiqen pikët!

ARSEN HOXHA

Kur një miku im filloi të më fliste rreth një artikulli në median sportive, bazuar në një propozim “privat” që unë i paskam bërë FSHF-së për t’i hequr 6 pikë Skënderbeut për dhunën e ushtruar nga tifozët e saj në ndeshjen me Partizanin, ngela i shtangur. E them këtë sepse bëhej fjalë për një bisedë miqësore dhe diskutim virtual që kishte përfunduar në gazeta dhe portale. U ndjeva disi keq, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se kjo është bota e medias sot, e pamëshirshme, duke mos falur asgjë që mund të përbëjë lajm…

Arsen Hoxha studiu

Megjithatë, në respekt të sportdashësve korçarë, që në kujtesën time, së bashku me sportdashësit shkodranë, gjirokastritë apo kavajas dhe disa qyteteve të tjerë, që kanë ngelur si model i kulturës sportive, më duhet të bëj një sqarim të detajuar. Unë jam njeri i sportit, me një aktivitet për mbi 6 dekada, dhe nuk kam si të kërkoj nga organet e specializuara që të marrin masa, të cilat nuk janë të parapërcaktuara në rregulloret ekzistuese.

Së pari, është e rëndësishme të sqaroj se diskutimi im për ato që ndodhën në atë ndeshje ka qenë një diskutim konfidencial me dy prej miqve të mi që jemi shok në “Facebook”. Në konfidencë me miqtë e mi po flisja për vendosjen e standardeve që i kanë shumë vende të tjera në luftën kundër dhunës. Këtu është “kleçka”: sepse kam thënë “se sa do të dënohej Skënderbeu nëse do të kishim standarde perëndimore” dhe jo “se sa duhet ta dënojnë komisionet përkatëse të FSHF-së”.

dhuna

Por le të qëndrojmë te standardet… Për të ndihmuar sadopak futbollin shqiptar në luftën kundër dhunës, e shoh të arsyeshme që të sjell edhe një herë në vëmendjen e të interesuarve ato që unë kam thënë për këtë problem në gazetën “Panorama Sport” dhe “Tema”, ku bëra një analizë të kampionatit të shkuar: “Një problem shumë i rëndësishëm në këtë sezon kanë qenë marrëdhëniet jo të mira të Shoqatave të Tifozëve me FSHF-në apo me drejtuesit e klubeve.

Mjaft nga drejtuesit e këtyre shoqatave nuk kanë demonstruar kulturën e nevojshme për të udhëhequr një shoqatë dhe shpesh e kanë orientuar atë në rrugë të gabuar sepse, së pari, ata nuk dinë se ku janë kufijtë e tyre. Është e domosdoshme që sa më shpejt të jetë e mundur të hartohet një rregullore e ngjashme me ato të vendeve me futboll të përparuar, ku të jenë të specifikuara të gjitha llojet e marrëdhënieve midis palëve. Kryetarët e shoqatave duhet të jenë të arsimuar mirë dhe të aftë për të negociuar me kulturë e jo si deri më sot”…

dhuna-ne-stadium

Por për fat të keq, asgjë nuk kemi parë të bëhet deri më sot. Ja arsyeja, për të cilën unë kam propozuar disa herë që në rastet kur në stadiume ka dhunë masive dhe me lëndim njerëzish, të vendoset rregulli me heqje të 3 pikëve në rastin e parë dhe 6 pikëve në rast përsëritjeje. Praktika ka treguar se dhunuesit as nuk duan ta dinë se sa milionë lekë paguajnë si gjobë klubet. Por kur janë të qartësuar se dhuna do t’u sjellë heqjen e 3 ose 6 pikëve, sipas rastit, do të kemi një autokontroll apo kontroll reciprok, në një nivel shumë herë më të lartë.

Unë mendoj se dënimi i të gjithë sportdashësve të një qyteti për të mos ndjekur ekipin e tyre në stadium për 4 ose 5 javë, vetëm për shkak të një grupi të dhunshëm, nuk është i duhuri dhe jo vetëm për sportdashësit dhe cilësinë e zhvillimit të ndeshjes nga ekipi i tyre, por edhe për financat e dobëta të klubeve tona. Përgjegjësia ligjore për dhunën që ndodh në fushë është e përcaktuar qartazi. Ajo është e klubeve që nuk marrin masat e duhura për zhvillimin normal të ndeshjes.

Në këtë këndvështrim, ata janë përgjegjës dhe është normale që të dënohen duke filluar që nga gjobat e deri te heqja e pikëve, por dënimi i gjithë sportdashësve të një qyteti, që absolutisht nuk është i përzier në aktet e dhunës, është jo i drejtë. Klubet le të zbulojnë vetë tifozët e dhunshëm dhe t’i përjashtojnë ata nga radhët e tifozëve të tyre.

Kur në stadiumet e kryeqytetit ishte bërë e modës që tifozët të këndonin në kor në mënyrë të deformuar dhe fyese këngën që flet për vajzat e Korçës, unë kam qenë i vetmi që kam kërkuar nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik, që FSHF t’u japë arbitrave pushtetin e duhur, që pas ndërprerjes së lojës dhe një paralajmërimi të fortë, në rast përsëritjeje të ndërpresin përfundimisht lojën dhe ekipit mik t’i jepen 3 pikët në tavolinë.

tifozet skenderbey

Unë e di shumë mirë se as grupimet e tifozëve të ekipeve të Tiranës, as të Skënderbeut dhe as të ekipeve të tjera, në thelb nuk përfaqësojnë sportdashësit korrektë dhe shembullorë të qyteteve të tyre, prandaj edhe puna me këto grupime për edukimin sportiv dhe qytetar të tyre është detyrë dhe përgjegjësi e klubeve. Futbolli është një lojë që zhvillohet midis miqsh. Është turp që sportdashësit, për të ndjekur një ndeshje, të shkojnë nëpër stadiume të përgatitur sikur po shkojnë në një luftë.

Është kjo arsyeja që unë them se ashtu si edhe në trafikun rrugor, masat ndaj shkelësve të rregullave duhet të jenë tepër të forta. Ata që janë kundër forcimit të rregullave, në radhë të parë pranojnë të vënë në rrezik jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Edhe pse është folur shumë rreth kësaj teme, unë nuk arrij ta kuptoj se çfarë i pengon organet përkatëse që të hartojnë ligjet e duhura dhe ato t’i bëjnë të qarta për të gjithë sportdashësit shqiptarë…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"