Justifikimi i gabimeve të arbitrave nuk i ndihmon ata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2019 | 21:52

Justifikimi i gabimeve të arbitrave nuk i ndihmon ata

ARSEN HOXHA*

arsen hoxha

Më shumë se gabimet e arbtrave, që në pjesën dërrmuese kanë qenë të natyrës njerëzore, po influencojnë për keq disa gabime interpretuese të specialistëve të ftuar në studiot televizive. Ironia më e madhe është se në disa raste, mendime më objektive se ata, kanë dhënë të ftuarit e tjerë, që nuk e kanë praktikuar asnjëherë detyrën e vështirë të arbitrit.

Kjo ndodh se disa prej specialistëve nuk po shkëputen dot as nga e kaluara e tyre si arbitra, as nga hija e zezë e shefave të tyre, madje edhe kur ata nuk ua kërkojnë një gjë të tillë. Janë të shumta rastet që është abuzuar në javët e shkuara. Dikush mund të thotë se nuk u bë kiameti, por në fakt, dëmet që i sjellin fushës së arbitrimit, shpjegimet dhe justifikimet joprofesionale, kanë ndikim të lartë negativ në formimin e arbitrave, veçanërisht atyre të rinj.

jorgji asistentet arbitrat

Në minutën e tetë në ndeshjen Luftëtari-Bylis, një mbrojtës gjirokastrit ndërhyn në mënyrë tepër të rrezikshme. Nuk mund të themi se ishte e qëllimshme, por ishte plotësisht nga pakujdesia. Ishte një akt violent, që duhej ndëshkuar me karton të kuq (Shiko fotot 1, 2 dhe 3).

Arbitri gjykoi se kartoni i verdhë ishte i mjaftueshëm. Por, ajo që ndikon keq në qëndrimin e ardhshëm të po këtij arbitri apo të kolegëve të tij është se si do të veprojnë ata në rastet analoge të së ardhmes, kur nga eprorët e tyre dëgjojnë shpjegime që nuk kane asgjë të përbashkët me frymën e rregullave?

Kur thonë se është më shumë se sa e verdhë, është rozë si karton, natyrisht që mbetesh i habitur, sepse rregullorja, por edhe vetë sportistët apo sportdashësit, njohin vetëm dy kategorizime shkeljesh. Ato që duhen ndëshkuar me të verdhë apo me të kuqe. Po roza në cilën kategori futet? Mos vallë qëndron në ajër?

Capture

Si duhet ta kuptojnë arbitrat mendimin e eprorëve të tyre kur dëgjojnë: “Nuk do të ishte ndonjë çudi për ta nxjerrë me të kuqe, por them që kartoni i kuq tani ruhet shumë për t’u nxjerrë, sepse prish balancat e një ndeshjeje dhe ishte minuta e tetë. Mund të ishte edhe karton i kuq”.

Të gjithë arbitrat, në mënyrë të veçantë të rinjtë që i marrin si serioze këto orientime të dhëna nga më të vjetrit, orientohen gabim. Ata duhet të kenë parasysh se ajo çka rregullorja kërkon prej tyre, nuk është ruajtja e ekuilibrave nëpërmjet manovrimeve, por gjykimi me objektivitet të lartë dhe me kurajë i të gjitha shkeljeve që ndodhin gjatë lojës, duke filluar që nga sekondat e para e deri në rënien e bilbilit përfundimtar. Mendoni për një rast, një arbitër, që mbi bazën e justifikimit të gabuar, lë pa ndëshkuar një lojtar fajtor që meriton kartonin e kuq, thjesht se loja është në minutat e para të saj.

Çfarë qëndrimi do të mbajë ai më vonë, në një rast analog që ndodh diku nga mesi i lojës? Përsëri nuk do ta ndëshkojë? Po nëse e ndëshkon, a ka të drejtë morale ai, kur në minutat e para të lojës nuk e ndëshkoi lojtarin kundërshtar, që do të thotë se ekipit kundërshtar për faj të lojtarit të tyre do të ishte i detyruar të luante me një lojtar më pak?! Arbitri nuk i ruan dot ekuilibrat e ndeshjes duke falur fajtorët, duke bërë kështu dhurata për ta, por vetëm duke gjykuar me të njëjtin standard të gjitha shkeljet, pavarësisht se kush i bën dhe në çfarë minute ndodhin ato. Po ju rikujtoj vetëm qëndrimin tepër profesional që mbajti gjyqtari i FIFA-s, i cili gjykoi në Turqi ndeshjen me Shqipërinë. Ai pa hezitim fare ndëshkoi në tri raste me karton të verdhë lojtarët fajtorë, edhe pse ishin në minutat e para të lojës.

44

Të trumbetosh se po eliminohen kartonët e kuq deri në limitin e mundshëm, sepse nuk do asnjëri të shikojë një ndeshje me një lojtar më pak, është njëlloj sikur të thuash se rregulli 12, që bën fjalë për ndërhyrjet e palejueshme dhe sjelljet e pahijshme, është hequr nga rregullat e lojës.

Në minutën 27-të kemi një penallti të pa dhënë në favor të ekipit gjirokastrit. Lojtari sulmues nr. 14 shkon me top në drejtim të portës kundërshtare (Foto 1). Lojtari mbrojtës kundërshtar i afrohet dhe me gjoks e shtyn nga prapa sulmuesin (Foto 2). Në foton 3, sulmuesi gjirokastrit godet topin majtas për t’u shmangur nga mbrojtësi, por nuk mund të spostohet majtas, sepse siç duket në fotot 4 dhe 5, lojtari mbrojtës e shtyn atë nga prapa duke e spostuar përfundimisht nga mundësia për të luajtur me topin. Në foton 6, duket shumë qartë se sa është spostuar lojtari sulmues nga topi si pasojë e shtytjes nga prapa të bërë nga mbrojtësi.

Kjo është një penallti e pastër, sepse:

-Lojtari mbrojtës e shtyn atë nga prapa dhe e sposton nga mundësia për të vazhduar zotërimin e topit.

-Në asnjë rast të vetëm, lojtari mbrojtës nuk është në një luftë trup më trup, sepse ai nuk ndodhet në krah të sulmuesit dhe në mundësi të barabarta për të luajtur topin. Ai, deri në përfundim të aksionit, shtyn nga prapa lojtarin sulmues.

Ky me të vërtetë që ishte një aksion i shpejtë, por arbitri Jorgji nuk mund të justifikohet, sepse ndërhyrja nga prapa në një lojë pa top e lojtarit mbrojtës ishte fare e pastër.

Por të justifikosh arbitrin duke thënë: “Nuk ishte penallti, sepse po ta kishte prekur, do të kishte rënë direkt”, është joprofesional. Kur jepet një dënim, jashtë apo brenda zonës së penalltisë, në rregullore nuk ka asnjë kusht se lojtari sulmues duhet të bjerë patjetër në tokë. Vendimtare është se kontakti fizik i mbrojtësit nga prapa sulmuesit influencoi tek ai, në mënyrë që të mos realizojë goditjen e topit në portë? – Nëse po, ajo është një penallti e pastër, edhe nëse sulmuesi mund të mos bjerë fare në tokë. Thënia tjetër se, ai lojtari (sulmues) nuk do të kishte bërë edhe tre hapa, pastaj është kujtuar se duhet të bjerë, është qesharake. Po të shikojmë fotot 5 dhe 6, duket shumë qartë se edhe kur topi së paku ka ngelur 4 metër prapa dy lojtarëve, mbrojtësi vazhdon ta shtyjë me trupin e tij sulmuesin.

Rregullat e lojës e përcaktojnë shumë qartë se asnjë mbrojtës nuk ka të drejtë të shtyjë, pengojë apo tërheq nga prapa lojtarin sulmues. Ai mund të ndërhyjë vetëm nga anash, kur ka mundësi që të godasë topin. Në të kundërt, është faull dhe brenda 16-metërshit, penallti.

Moslejimi i ndërrimit të lojtarëve për një kohë të gjatë, vetëm thjesht se nuk po punonte tabela elektronike, është një varfëri e madhe mendore dhe intelektuale në radhë të parë e vet arbitrit, Jorgji, arbitrit të katërt dhe ndihmësve të tij, por edhe e delegatit dhe vëzhguesit që në këtë situatë qesharake, hezituan të jepnin kontributin e tyre të vlefshëm, nëse zgjidhjen e mendonin krejt ndryshe nga arbitrat në fushë. Tabela është një mjet ndihmues, kurrsesi nuk mund të jetë përcaktues nëse duhet të bëhet një zëvendësim apo jo. Atë e bëjnë zyrtarët e ndeshjes dhe jo mjetet ndihmuese. Mendimi i dhënë se trajneri i Luftëtarit duhesh dëbuar nga fusha, është po aq i çuditshëm sa edhe qëndrimi i arbitrave në fushë. Qëndrimi i tij ishte tepër modest dhe i lavdërueshëm në atë situatë aq anormale që u krijua nga vetë arbitrat në fushë.

Për këtë temë është folur edhe shumë herë të tjera, por ende nga ata që marrin përsipër analizën e punës së arbitrave, më e rëndësishme është marrja në mbrojtje e arbitrave që gabojnë apo institucionit që i ka ata në varësi, sesa tregimi i së vërtetës profesionale, për të ndihmuar arbitrat e tjerë, veçanërisht të rinjtë, që të rrisin nivelin e tyre të gjykimit.

* Ish-arbitër i FIFA-s

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"