Ja pse FSHF-ja përdor standarde të ndryshme ndaj “rebelëve” të saj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2018 | 21:26

Ja pse FSHF-ja përdor standarde të ndryshme ndaj “rebelëve” të saj

ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Për më se pesë dekada, në pozicione të ndryshme më ka lidhur puna me tre “rebelët” që guxuan të shkelnin rregullin e “ngurtë”, që Presidenti Duka ka vendosur në institucionin ku drejton, se asnjërit prej zyrtarëve të saj nuk i lejohet të bëjë publike ngjarje që ndodhin brenda gjirit të shoqatës së madhe që quhet FSHF. Por, çuditërisht, rebelimi më i madh u bë pikërisht nga tre zyrtarë që nuk janë njohur kurrë si të tillë dhe pikërisht nga zotërinjtë Dhori Prifti, Besnik Çela dhe Bujar Pregja. Z. Besnik Çela ia kushtoi gjithë jetën e tij përparimit të futbollit duke provuar pozicione të ndryshme, që nga ajo e futbollistit, trajnerit e deri në disa pozicione specifike brenda aparatit të FSHF-së.

U specializua aq shumë dhe punoi me mjaft pasion sa, në njëfarë kuptimi, prej tij mund të mësoje edhe hollësitë më të vogla që mbartte puna tepër komplekse e zyrtarëve të FSHF-së dhe drejtuesve të klubeve. Në një- farë kuptimi, ai u bë një kompetent, prandaj shokët nuk i flisnin në emër, por i ngjitën nofkën “kompetenti”. Disa thonë se u vetëquajt si i tillë, por sido që të jetë, e vërteta është se ai gjithmonë mbeti një punonjës besnik shembullor. Bujar Pregja, një nga arbitrat më të mirë të vendit, është i biri i arbitrit të madh shqiptar, z. Ramiz Pregja, po ashtu një figurë tepër popullore. Së bashku me të atin, ata kanë meritën e padiskutueshme që e udhëhoqën kolegjiumin e madh të arbitrave të Tiranës për më shumë se katër dekada.

Gjyqtari

Arbitrat e këtij kolegjiumi kanë mbajtur peshën kryesore të arbitrimit në futbollin shqiptar. Ai edhe sot është po aq aktiv si dikur, madje si djalë i ri është i gatshëm të japë kontributin e tij pa asnjë lloj hezitimi, kudo që i kërkohet. Rebeli i tretë, që në fakt ishte i pari, prandaj edhe e hëngri, është arbitri i mirënjohur korçar Dhori Prifti. Ai ka mbajtur një peshë shumë të madhe në kampionatet shqiptare, duke gjykuar me profesionalizëm shumë nga ndeshjet më të rëndësishme të tij.

Më pas, ai u bë një nga vëzhguesit më seriozë dhe profesionalë që kishte FSHF-ja. Si një person që rridhte nga një familje jo shumë e besueshme nga regjimi monist, ai ishte shumë i kujdesshëm dhe në të shumtën e rasteve ishte fjalë- pak. Por kur në vendin tonë u vendos sistemi i ashtuquajtur demokratik, Dhori e humbi vigjilencën e dikurshme. Si të thuash, ai u gjend bosh dhe kur u pyet nga njerëzit e medias nëse e kishte parë kryetarin e Bashkisë së Kavajës, që brenda ambienteve sportive, të qëllonte me grusht trajnerin Dede të Tiranës, ai tha: “Po, ai e qëlloi”.

Si një qytetar tepër i ndershëm, Dhori nuk mund të mohonte një realitet dhe aq më tepër kur një person i jashtëm dhunoi një figurë të nderuar të botës së futbollit. Për këtë “gabim” të madh u dënua mjaft rëndë, madje nga Enveri i ri, u dënua pa gjyq?! Nuk i është komunikuar asnjë lloj vendimi dhe nuk denjoi ta sqaronte njeri. Rregullisht këtë punë duhet ta bënte z. Tahir Kastrati dhe Komisioni përkatës i Vëzhgimit, por duke qenë se ai e ka si rregull që nuk ndërhyn në urdhrat e shefit të tij, sepse këto punë janë me zarar, Dhori Prifti, ashtu si dhe arbitri Lorenc Jemini, në heshtje u largua.

Çuditërisht, Jemini në njëfarë forme u rehabilitua dhe shumë mirë u bë. Po me Dhorin çfarë po ndodh? Vetëm para pak ditësh, si dhe shumë herë të tjera, zoti Tahir Kastrati deklaroi se nuk para pëlqen që të japë opinione apo të trajtojë probleme nëpërmjet medias. Tepër e çuditshme kjo për ofiqet që ai mban. Ai që e do sportin jo për interesat e vogla të një pagese të garantuar, por që kërkon sinqerisht përparimin e tij, duhet të jetë aktiv dhe të denoncojë çdo gjë dhe këdo që zhvillon praktika që e shkatërrojnë futbollin dhe demokracinë e brendshme të saj. Reagimet e të ashtuquajtur Shoqate Arbitrash janë bërë shumë qesharake kohët e fundit.

Para disa vitesh u dhunua në mënyrë barbare arbitri Jemini që ishte më i miri i sezonit dhe shoqata heshti… Ishte vetëm reagimi individual i tij dhe më pas u formulua me shumë vonesë një reagim i shoqatës. Por çuditërisht nuk ndodhi kështu kur u qëllua me çakmak arbitri Koçi nga deputeti Braçe. Ngjarja ndodhi në darkë, por të nesërmen në mëngjes, i ashtuquajturi reagimi i shoqatës, kishte mbushur faqet e gazetave. Sikur të mos mjaftonte kjo, u përdor pa mëshirë edhe arbitri Koçi, që e detyruan të bëhej pjesë e lojës në media. Në të njëjtën mënyrë u veprua edhe me Idrizin.

Edhe në këtë rast arbitrat fierakë, që për ironi të fatit të gjithë ishin me origjinë vlonjate, u përdorën po në mënyrë të njëjtë. Deklarimet e arbitrave të mësipërm bien në kundërshtim flagrant me “rregullin e ngurtë” të zotit Duka për deklarata publike jashtë gjirit të FSHF-së. Ashtu si Dhori, me “siguri” që edhe këta do të dënohen. Por a do të ndodhë me të vërtetë kjo? – Është e sigurt se për arsyet që tashmë dihen, asgjë nuk ka për të ndodhur. Pyetja që shtrohet është se si u realizua që shoqata të mblidhej në mes të natës? Ai ishte me të vërtetë një reagim shoqate apo një reagim i formuluar me urgjencë nga zyrtarët e FSHFsë për të denigruar edhe më tej kundërshtarët e hapur të presidentit të tyre? Goditja me çakmak, natyrisht nëse është e vërtetë, është shumë e gabuar dhe e dënueshme.

Por çudia se si një deputet arriti të bëjë një gjest të tillë është false, sepse të gjithë shqiptarët i njohin tashmë shumë mirë deputetët dhe dhunën e tyre fshatareske. Edhe në vendin ku presupozohet se është ajka e kulturës sonë kombëtare, veç fjalorit tepër banal, a nuk jemi ne që i kemi parë të atakohen fizikisht me njëri-tjetrin, të godasin me ç’të mundin, madje kanë planifikuar që të qëllojnë edhe me tavolina? Ka ardhur koha që detyrimisht z. Kastrati, jo vetëm për hir të funksioneve, të sqarojë të vërtetën e dënimit të Dhori Priftit dhe me forcën e shoqatës që ai përfaqëson t’i kërkojë zotit Duka rikthimin e Dhorit. Nëse nuk e bën këtë, është një turp i rëndë që do t’i rëndojë thellë në ndërgjegjen e tij, sepse ai e di shumë mirë se sa korrekt dhe i ndershëm është ish-kolegu i tij, Dhori Prifti.

Unë e kam trajtuar edhe herë të tjera këtë problem, por deklaratat publike të bëra nga z.Pregja në lidhje me dhunën në Vlorë ishin shumë herë më të forta se ajo e Dhorit në Kavajë. E njëjta skenë ndodhi edhe me z.Besnik Çela, i cili para disa vitesh denoncoi publikisht dhunën që ushtroi ndaj tij presidenti i Klubit Bylis. Dhori u dënua, ndërsa dy “rebelëve”, të tjerë iu rrahën shpatullat… Por, pse kjo diferencë? Për mua personalisht veprimi i tyre është shumë i drejtë. Aktet e dhunës nuk duhen mbështetur, përkundrazi me forcë duhen denoncuar kudo. Por, ku është e veçanta midis tre “rebeleve”? Dhori Prifti u injorua totalisht nga institucioni i tij që nga “mbreti”, “veziri” dhe ishkolegët e tij vendimmarrës në komisionet e ndryshme.

U zhduk brenda 24 orëve, sepse denoncoi një mikun e zotit Duka. Z. Besnik nuk mbeti pa u ndëshkuar sepse denoncoi publikisht dhunuesin e tij, por sepse për koincidencë ai ishte edhe një person, që prej ndeshjes finale të Kupës së Republikës Bylis-Laçi, marrëdhëniet me presidentin e FSHF-së, z. Armand Duka, i kishte nën nivelin zero. Po kështu, nuk pamë të dënohet as Bujar Pregja që foli publikisht për ngjarjet në Vlorë. Ndodhi kështu se pse z. Idrizi prej kohësh është një nga kritikuesit më të mëdhenj në publik të z. Duka, si dhe të punës së FSHF-së, veçanërisht me arbitrat.

Ky është realiteti i hidhur. Zoti Duka, që prej natyrës së tij e ka tepër të vështirë të pranojë qoftë edhe një gabim të vogël, duhet të bëhet një herë burrë dhe të vendosë në vend drejtësinë ndaj Dhori Priftit. Këtë z. Duka duhet ta bësh se ke dënuar padrejtësisht jo vetëm një ish-arbitër shumë të mirë, por edhe një vëzhgues autoritar dhe tepër profesional. Mbi të gjitha, ke goditur padrejtë- sisht rëndë jo vetëm një njeri të përsosur, por edhe familjen dhe të afërmit e tij.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"