Është koha që Enea Jorgji të demonstrojë karakter të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2019 | 21:49

Është koha që Enea Jorgji të demonstrojë karakter të fortë

ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Ashtu si unë, janë të shumtë ata që kanë shfaqur mendimin se Enea Jorgji mund të bëhet një arbitër shumë i mirë. Aktivizimi i tij në disa nga aktivitetet futbollistike të UEFAs është përcjellë me kënaqësi nga të gjithë sportdashësit shqiptarë.

Por sado dashamirës të jesh, shpesh ngel i çuditur nga disa vendimmarrje të tij. Është e natyrshme që edhe ai, si çdo gjyqtar tjetër në botë, nuk mund t’u shmanget disa gabimeve që klasifikohen si të natyrës njerëzore. Për fat të keq, ajo që përbën edhe objektin kryesor të këtij shkrimi është se çfarë po ndodh në karakterin e arbitrit Enea Jorgji?!

emerson sinjo

Janë të shumta rastet kur Enea, veçanërisht në vendimet brenda zonës së 16- metërshit, pra në ato që shpesh vendosin fatin e lojës, përdor standarde të ndryshme. Madje, jo vetëm në ndeshje të ndryshme, por shpesh edhe brenda së njëjtës ndeshje! Krejt ndryshe nga disa prej kolegëve të tjerë, Enea ka qenë shumë i ndjeshëm në ndëshkimin e shkeljeve që kërkojnë profesionalizëm të lartë, por po ai Enea lë pa ndëshkuar me 11- metërsh ndërhyrje tepër brutale të mbrojtësve ndaj sulmuesve.

Nëse ato nuk janë të qëllimshme, Enea shkakun duhet ta gjeje te tërësia e veçorive psikike kryesore të tij, që shfaqen në veprimtarinë dhe në sjelljen e tij, në vendimmarrjet e vendimeve të atyre që ai dallon në një ndeshje. Ne thelb, këto qëndrime janë shprehja më tipike e karakterit të një arbitri. Vetëm këto tregojnë nëse kemi të bëjmë me një arbitër me karakter të fortë, të butë apo të lëkundur. Për fat të keq, Enea Jorgji i ka shprehur të tria. Por nga një arbitër i nivelit të lartë, ku atij i besohen ndeshjet më të rëndësishme, ai duhet të demonstrojë vetëm karakterin e fortë dhe të qëndrueshëm dhe asnjëherë të kundërtin e tij.

enea jorgji

Në ndeshjen Kukësi–Partizani arbitri Jorgji la pa ndëshkuar një prekje të pastër të topit me dorë nga ana e mbrojtësit. Dora e mbrojtësit kuksian nuk ishte në pozicion natyral, por e ngritur lart dhe që në thelb zmadhonte hapësirën për të penguar topin e nisur nga sulmuesi në një drejtim të caktuar.

Në ndeshjen Vllaznia–Tirana la pa ndëshkuar një ndërhyrje të gabuar të mbrojtësit tiranas ndaj sulmuesit shkodran, që po shkonte në drejtim të portës. Ndërhyrja e tij ishte e qëllimshme. Mbrojtësi nuk ishte i interesuar që të largonte topin, i cili ndodhej në krahun e djathtë të lojtarit sulmues, por vrapon majtas prapa mbrojtësit, duke e shtyrë në mënyrë të dukshme atë. Në çfarëdo pozicioni që të ndodhej Jorgji, duket qartë hapësira midis vendndodhjes së topit dhe ajo e lojtarit. Ky ishte një gabim shumë i rëndë dhe i pajustifikuar për një arbitër cilësor. Shpesh, veprime të tilla mund të klasifikohen lehtë në atë që unë e kam quajtur si arrogancë në vendimmarrje. (Shiko fotot 1-2-3).

bhsd

Identik është rasti i minutës 94, ku Jorgji lë pa ndëshkuar ndërhyrjen e gabuar të sulmuesit tiranas ndaj mbrojtësit shkodran. Gabimi i parë i Jorgjit është se ndodhet shumë larg prej aksionit, por gabimi më i rëndësishëm i tij është se duket qartë që sulmuesi i ndërhyn nga prapa lojtarit mbrojtës. (Shiko fotot 4-5-6). Pretendimi për një 11-metërsh të paakorduar në favor të Vllaznisë nuk është i drejtë, pasi pengimi i lojtarit sulmues është bërë jashtë zonës së 16-metërshit. (Shiko fotot 7 dhe 8).

jh

Unë shpresoj që Jorgji ta kuptojë qartë mesazhin tim. Ai duhet t’u qëndrojë strikt parimeve të një gjykimi të unifikuar, të cilat prej tij kërkojnë vullnet të fortë dhe vendosmëri për të arritur në një gjykim korrekt, që do të thotë se ai duhet të demonstrojë një karakter të fortë dhe të qëndrueshëm. Karakteri i lëkundur apo i dobët nuk duhet të jetë pjesë e një arbitri cilësor. Këtu nuk flitet për gabime të rastit (njerëzore), por për standarde.

Në ndeshjet e tjera…

Në ndeshjen Kukësi–Laçi nuk u dha një 11-metërsh i pastër në favor të Kukësit. Në një rast të pastër për të shënuar gol, një sulmues laçian konsiderohet në pozicion jashtë loje padrejtësisht. Sinjalizimi i asistentit ishte i gabuar.

Në ndeshjen Skënderbeu– Bylis arbitri u gjend në një gabim të dyfishtë. Ai nuk ndëshkoi me 11-metërsh pengimin e pastër me trup që mbrojtësi korçar i bëri sulmuesit ballshiot?! Por ajo që nuk është aspak profesionale është veprimi i tij në bashkëpunimin me asistentin. Nëse arbitri kërkon mendimin e asistentit, ai duhet ta zbatojë atë. Atje është shumë e paqartë se çfarë ka ndodhur në atë bashkëpunim, por ajo që u pa më pas nuk ishte profesionale.

Si në rastin e arbitrit në Kukës, ashtu edhe atij në Korçë, evidentohet një paqartësi e arbitrave për kompetencat e tyre. Puna kolegjiale është e rekomanduar, por është detyrë dhe përgjegjësi e arbitrave që ai t’i marrë vendimet në mënyrë individuale. Konsultimin me asistentët ai do ta bëjë vetëm në ato raste kur pozicioni i tij nuk ka qenë i përshtatshëm dhe ai nuk është i sigurt. Ka ardhur koha që arbitrat tanë ta kapërcejnë sa më shpejt këtë krizë të mosndëshkimit të shkeljeve të bëra nga mbrojtësit në zonën e 16-metërshit. Tri javët e para janë një bilanc i disfavorshëm për ta.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"