Duka po bën skandal me Shoqatën e Arbitrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 19:50

Duka po bën skandal me Shoqatën e Arbitrave

Nga ARSEN HOXHA
E kam ndjekur me indiferentizëm pragfushatën e zgjedhjeve për presidentin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, sepse çdo garë në atë institucion është një komedi që shpesh anon si tragjikomedi. Arsyeja është e thjeshtë.

-1200-630-arbitrat_cmim

Atje mungon edhe koncepti më elementar i rregullave demokratike. Pjesë e atij teatri, më shumë sesa vetë Duka dhe pjesëtarët kryesorë të aparatit të tij, janë bërë vetë personat që kanë të drejtën e votës. Duka tallet me ta, ata tallin veten e tyre.

Ajo që më bëri të shkruaja këtë artikull, ishte një informacion krejt i rastësishëm që e mora nga një debat që po zhvillonin me njëri-tjetrin në rrjetet sociale dy shokë të mi. Atje mësova se Shoqata e Arbitrave akoma nuk ka zgjedhur drejtuesit e saj, edhe pse kanë kaluar dy vjet nga koha normale e përcaktuar në statut.

Ndoshta drejtuesve të kësaj shoqate u pëlqen të qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe të përfitojnë ato favore ekonomike dhe shoqërore që fitojnë prej saj, por si e lejojnë këtë shkelje të madhe dy drejtuesit kryesorë të këtij institucioni si z. Armand Duka dhe Ilir Shulku? Me ç’të drejtë ata për dy vjet firmosin borderotë për pagesë të jashtëligjshme për ta? Kjo është një shkelje e pastër dhe një abuzim me detyrën, që natyrisht dikush duhet të përgjigjet në vendin e duhur.

Për të gjithë është e qartë se kjo shkelje është plotësisht e paramenduar, jo morale dhe plotësisht antidemokratike. Qëllimi i vërtetë i saj është marrja e sigurt e votës së kësaj shoqate, që gjithmonë ka qenë e garantuar.

ARSEN HOXHA

Ka qenë ky qëllimi kryesor, që edhe pse cilësia e arbitrave ka qenë në vazhdimësi e dobët, ndoshta për 20 apo më shumë vite e kanë drejtuar të njëjtët persona dhe çuditërisht për kryetar të saj asnjëherë nuk ka tentuar të konkurrojë edhe një person tjetër. Pyeta me shaka njërin prej ish-arbitrave i cili ka vite të tëra që çdo natë shikon ëndrra për atë pozicion.

Pse nuk kandidove? – i thashë unë.

– Po tallesh, – më tha ai me njëfarë pikëllimi.

– A mund të fitoj unë kundër Dukës…?

Ky është realiteti i hidhur në atë federatë ku të drejtat e një shoqate shumë të rëndësishme merren me arrogancë nëpër këmbë nga një sulltan i kohëve moderne që quhet Armand Duka. Këto veprime janë shkelje antiligjore dhe abuzim direkt me detyrën e tij, për të cilat ai duhet të përgjigjet.

Unë mendoj se koha deri në datën 2 mars, datë që do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme për kryetarin e FSHF-së si dhe për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të saj, është plotësisht e mjaftueshme që ato të zhvillohen normalisht duke u dhënë fund abuzimeve të së kaluarës. Unë shumë qartë e kam thënë edhe herë të tjera se kandidatët për kryesinë e kësaj shoqate duhet të dalin vetëm nga radhët e arbitrave në aktivitet. Asnjë njeri tjetër nuk ka punë në atë shoqatë.

Këtë arbitrat duhet ta kërkojnë me forcë dhe si kusht të vetëm për të marrë pjesë në ato zgjedhje. Zyrtarët që paguhen nga FSHF-ja janë vetëm për të mbrojtur interesat e tyre dhe absolutisht si deri më sot, jo të arbitrave.

Praktika ka treguar se ato përmirësime që u bënë në shpërblimin e tyre nuk erdhën si pasojë e kërkesave të bëra nga kryesia e shoqatës, por që për hir të së vërtetës erdhën nga këmbëngulja e z.Koço Kokdhima në cilësinë e kryetarit të përkohshëm për krijimin e Ligës Profesioniste, që ashtu si çdo iniciativë tjetër, edhe pse në aparencë e përkrahur nga z.Duka, ka dështuar sapo ka nisur.

Me sa unë kam informacion, Komiteti i Arbitrave të FSHF-së ka pushuar së funksionuari dhe është vënë në shërbim të zyrtarëve të saj.

Nëse informacioni që unë kam rezulton i saktë, atëherë do parë me përgjegjësi nëse ka një vendim të Komitetit Ekzekutiv për këto ndryshime rrënjësore të bëra në funksionimin e saj apo është thjesht si mjaft herë të tjera, një urdhër i kundërligjshëm i sovranit, i cili diku duhet të japë llogari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"