Seria A, ky do të jetë viti i revolucionit të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2019 | 22:15

Seria A, ky do të jetë viti i revolucionit të madh

ARRIGO SAKI

Saki55

Italia ka qenë gjithnjë një vend që ka shfaqur rezistencë ndaj ndryshimeve, por mbase në futboll mund të asistojmë në një kampionat ndryshe.

“Takticizmat” apo “difensivizmi” tipik italian mund t’i lërë vend strategjisë, emocioneve dhe kurajës. Parashikoj një Seri A ndryshe nga sa jemi mësuar në 60-70 vitet e fundit, kur mendonim të mos pësonim e më pas të gjenim një zgjidhje për të shënuar. Kam besim se do të asistojmë në një kampionat më pak “kaps” e me më shumë sulmues sesa mbrojtës.

seria a

Duke ndërtuar mësohet më shumë sesa duke shkatërruar, ndaj do të nevojitet optimizëm për të ecur me hapin e kohës. Kjo risi do të na afrojë me shkolla futbolli të cilat janë më të zhvilluara sesa ajo italiane e ku futbolli interpretohet si sport ekipor dhe ofensiv.

GRUSHT SË VJETRËS – Autorët e këtij revolucioni janë disa dhe do të na ndihmojnë të varrosim përfundimisht “catenaccio”-n e famshëm. Kontributi madhor pritet nga ekipet e mëdha dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Juventusi, Napoli, Interi, Milani dhe Roma janë protagonistet, por pa harruar Atalantën, Sampdorian, Sasuolon e Xhenoan që do të duhet të ndjekin ato që vendosin ritmin.

Duhet harruar e kaluara, mbrojtja dhe individi. Njerëzit e kësaj kthese të madhe janë trajnerët me rolin e dyfishtë të skenaristit dhe regjisorit. Sarri, Ançeloti, Konte, Xhampaolo, Fonseka, Gasperini e të gjithë me radhë janë ekspertët që, duke përmirësuar individët, do të zhvillojnë kampionatin, duke sjellë rezultate përmes bukurisë që futbolli ka në thelb.

TË VETËM “JO” – Besimi vjen nga mentaliteti kolektiv i futbollit që trajnerët e Serisë A kanë nisur të predikojnë. Kjo lojë, e parë me optimizëm, do t’i japë një kuptim tjetër aventurës që do të nisë me Serinë A. Trajnerët nuk mund t’ia dalin të vetëm. Do të kenë nevojë për mirëkuptim, mbështetje dhe pak kohë, sepse ndryshimi i madh nuk vjen kurrë në një çast.

Fakti që nuk mund të bëhen parashikime e bën më të bukur një kampionat dhe Seria e sivjetshme rezervon shumë të papritura. Do të duhet që skuadrat të jenë të tilla jo vetëm në fushë, por edhe në shpirt, duke garantuar futboll dhe sidomos argëtim.

Post Scriptum: Në fillim të aventurës sime te Milani nuk munguan vështirësitë. Berluskoni më pyeti nëse kisha nevojë për ndihmë dhe i thashë “po”. Një ditë më pas ai grumbulloi futbollistët dhe u tha: “Ky trajner gëzon besimin tim absolut. Kush e ndjek, do të qëndrojë. Kush nuk e ndjek, do të largohet. Që nga ai moment nuk humbëm më asnjë ndeshje të vetme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"