Ja armiqtë e futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2019 | 23:33

Ja armiqtë e futbollit

ANTONIO GHIRELLI

Antonio-Ghirelli

Federata, Liga dhe TV, publik e privat, po bashkëpunojnë me një zell të pashembullt për shkatërrimin e asaj loje aq të kushtueshme e tunduese që quhet futboll. Mbipesha skandaloze e lodhjeve të parakampionatit dhe lëmshi i krijuar midis turneve indigjenë, kupave për shoqëritë e klubeve dhe garave eurobotërore midis skuadrave kombëtare, përfaqësojnë tashmë një atentat të suksesshëm ndaj rregullsisë së kampionateve, ndaj rezistencës së lojtarëve dhe ndaj interesit të spektatorëve.

FIFA nga ana e saj, jo pa bashkëpunimin e UEFA-s, solli një kontribut të çmueshëm në këtë çrregullim, duke ndryshuar orë e çast rregullat e lojës, pas pesëqind vjetësh të një konservatorizmi kokëfortë, gjë që e kishte bërë football-in të vetmen gjë të qartë midis një rrëkeje planetare dyshimesh, plot zhgënjime dhe revolucione të dështuara. Por goditjen e fundit po ia japin transmetuesit televizivë italianë, si ato publike edhe ato private, si televizioni i zonjës Mora ti, ashtu edhe ato të kavalier Berlusconit dhe të debutuesit Cecchi Gori – ky i fundit i impenjuar në një front të dyfishtë, te Videomusic dhe Telemontecarlo.

6896826-kUd-U46000911513174yYF-1224x916@CorriereMezzogiorno-Web-Mezzogiorno-593x443

E diela e parë e sezonit ishte katastrofike, të paktën për “RAI”-n. Në qoftë se i kemi numëruar mirë, në harkun e më pak se dymbëdhjetë orëve u derdhën mbi spektatorët plot gjashtëmbëdhjetë transmetime, një lloj torture kjo e ushtruar me mjete nga më të ndryshmet, që nga kronika e drejtpërdrejtë e deri te sinteza, që nga debati deri te procesi, që nga prezantimi deri te kronika e regjistruar. Në këtë ushtrim sadist, të dielën debutuese u dalluan “Rai 3” dhe “Italia 1”, titullarë të plot 9 prej gjashtëmbëdhjetë rubrikave.

Duke filluar që nga ora 18.00 bombardimi u dendësua aq shumë, derisa transformoi në një makth aluçinant mbrëmjen e dëgjuesit të gjorë, i cili nuk dinte si ta përballonte drogën e ekranit, duke u hedhur nga Galeazzi te Biscardi, nga De Laurentiis te Colombo, nga Volpi te Vianello, nga “Gialappa’s” te Gigi Garanzini e Sandro Piccinini, të shoqëruar me atë bishtin e “ekspertit”, ish-lojtarë belbëzues, trajnerë të dështuar e kronistë debutues, pse jo edhe vogëlushe me buzëqeshje të shkëlqyeshme e almanak gjysmak.

Kurrë ndonjëherë lakmia e konkurrencës, uria për “audiencë”, nuk kanë arritur të prodhojnë defekte më të mëdha se këto, duke e shkapërdarë publikun dhe idetë (kur ato ekzistonin) në një mori absurde emisionesh pa peshë, të tepërta, përsëritëse.

Mario+Pennacchia+Antonio+Ghirelli+Prize+Ceremony+hHTsidgrh9gl

Dy gabimet më të mëdha të 27 gushtit ogurzi, për fat të keq i përkasin mama “Rai”-t, e cila nxori në dritë një edicion lëkurëtrashë të “Novantesimo minuto”-s, duke e detyruar të pafajshmin Galeazzi (i diskutueshëm si “soubrette” në krah të së këndshmes Mara Venier, por në mënyrë të pakundërshtueshme, i zoti si gazetar televiziv) të përdorë pra, një truk të marrë, atë të mosparaqitjes së rezultatit të ndeshjeve në prezantimin fillestar; dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, të gjitha kronikat e ndeshjeve u çelën me leximin e formacioneve.

E dyta, që është një marrëzi akoma më e pafalshme, është kalimi i “Domenica Sportivo” në kanalin e tretë, ku asnjë italian me banim jashtë shtetit nuk mund ta shohë. Ndërprerja e papritur e kampionatit për t’i lënë hapësirë takimit të të kaltërve me Slloveninë, u dha mundësinë drejtuesve të Saxa Rubra-s të mënjanojnë të paktën disa nga këto gabime, siç edhe u tha me nxitim të nesërmen e 27 gushtit ogurzi.

Gjithsesi, mbetet handikap-i i një programacioni të çmendur, me një lumë emisionesh prej të cilave të paktën tre të katërtat mund të zhduken qetësisht ose të paktën të ridimensionohen, zhdërvjelltësohen, ritmohen, për të evituar që overdoza të prishë shijen e platesë televizive. Në gazetari (ashtu si në spektakël nga ana tjetër) nuk vlen sasia, por cilësia. Në ekran cilësinë e garantojnë tre faktorë: ritmi i emisionit, esencialiteti i informacionit dhe zotësia (aspekti fizik, fantazia dhe profesionalizmi) e redaktorëve.

Shfaqja më e thjeshtë dhe më e qartë e kësaj të vërtete kaq fisnike është “Pressing”, rubrika e Raimondo Vianellos, që shkon drejt e te publiku falë inteligjencës dhe ironisë së “anchor-man”-it të saj Një emision pa peshë, retorik dhe gri rezulton më i trishtuar se një ditë me shi në det. Një e diel e përgatitur me gjashtëmbëdhjetë rubrika televizive mbi të njëjtën çështje del shumë më e patretshme se sa një supë lakrash kokëzeza me kontorno qepësh.

Është e vërtetë që futbolli, sporti më i bukur në botë, përbën një tundim të parezistueshëm në hartimin e programacionit të çdo rrjeti, falë popullaritetit të tij të pafund (në Itali e jo vetëm në Itali) dhe kostos relativisht më të ulët në krahasim me një varietet apo film. Por në qoftë se televizionet publike e private, me pjesëmarrjen e shoqërive, Ligave apo Federatave, do të vazhdojnë ta manipulojnë rrezikshëm këtë sport, herët a vonë baraka do të shembet.

Përktheu: DORIANA DRINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"