Makthi i mbiemrit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2018 | 22:43

Makthi i mbiemrit…

ADRIATIK DOSTI

Në jetën e tyre shpesh njerëzit kanë vuajtur jo pak peshën e mbiemrit ose e kundërta ia kanë parë fort mirë hairin një gjëje të tillë. Disa e kanë pësuar prej mbiemrit jo pak e disa të tjerë i janë gëzuar atij si një lloj dhurate të rënë nga qielli … Në sport, e në veçanti në futboll, ku përgjithësisht aktorët e tij më së shumti njihen përmes mbiemrit, kjo gjë është fare evidente dhe e prekshme. Ndaj, që në fillim të këtij shkrimi dua të them se mbiemri nuk ka pse të shndërrohet në një lloj çante të rëndë shpine që nuk e mban dot në kurriz, por as edhe të kthehet në një lloj kamerdare shpëtimi për ata që nuk dinë not… Pra, thjesht, shkurt, qartë e saktë: gjithkush në jetën e tij të marrë atë që ai vetë meriton realisht, pa iu falur as mbiemrit e as emrit të prindërve të tij në kahun pozitiv, por edhe pa i paragjykuar ata për të njëjtin fakt në sensin negativ.

gg

Këta dy djem të rinj në fotot e mëposhtme quhen Marlind Lutfi Nuriu [djathtas] dhe Rei Avni Nuriu [majtas]… I pari 20 vjeç dhe i dyti 19. Dje futbollistë të Tiranës e sot për shkak të mbiemrit të tyre kanë përfunduar kundër dëshirës së tyre te Dinamo. Të dy djem të shkëlqyer, të sjellshëm, të edukuar, të arsimuar në mënyrën më të mirë të mundshme e me nga tri gjuhë të huaja, të zotëruara secili. Veç shkollës e dijes, pasioni e “hobby” i tyre që në fëmijërinë e hershme ishte dhe vazhdon të mbetet futbolli, si dhe ëndrra e tyre.

Por edhe e baballarëve të tyre dhe familjeve të tyre kuptohet lehtësisht ishte që kjo ëndërr të kthehej në realitet, ndaj investimi familjar i prindërve të tyre për t’i bërë djemtë futbollistë të mirë e mbi të gjitha për të plotësuar edhe dëshirën e flaktë të tyre familjare, si dhe vazhdimin e traditës bardheblu, ka qenë goxha i madh. E pikërisht, në momentin që ky investim material e moral duhej përligjur më shumë se kurrë, për djelmoshat Nuriu dhe prindërit e tyre vjen zhgënjimi i madh, i cili vështirë të justifikohet dot përmes ndonjë lloj arsyeje të besueshme e të pranueshme. Sepse për ne shqiptarët paska shumë raste që edhe logjika vetë nuk e pranon logjikën… Tirana që i përgatiti vetë vendos t’i lerë në stol e të mos i aktivizojë fare ose fare pak, edhe pse prej vetë drejtuesve të klubit, por edhe specialistëve të zëshëm të futbollit shqiptar, të dy futbollistet Nuriu, Marlindi dhe Rei, cilësohen e vlerësohen si tepër të talentuar e me të ardhme të shkëlqyer. Kur isha aty në Shqipëri, e pashë me sytë e mi se cilët ishin ata në të vërtetë.

Marlind-Nuriu

Kur ika prej vendit tim shumë vite më parë, i kisha lenë motak që të dy dhe besoj se përvoja dhe eksperienca ime e gjatë në sport vështirë se më lejon të gaboj kollaj. Duke biseduar me emra të zëshëm të futbollit shqiptar, të tillë si Millan Baçi, Sulejman Mema, Astrit Hafizi, Ilir Shulku, Shkëlqim Muça, Alban Bushi, por edhe me zv/trajnerin e ekipit tonë kombëtar Ervin Bulkun, merr prej tyre pohimin se: “Po, të dy janë të mrekullueshëm, të talentuar e me goxha të ardhme në karrierën e tyre në futbollin shqiptar”… Atëherë si shpjegohet fakti që për të dy nuk paska vend te Tirana? Përse ata ndihen të zhgënjyer e zemërthyer e pse duhet ta “tradhtojnë” ekipin e tyre të zemrës? Me çfarë lapsi i bëjnë llogaritë drejtuesit e sotëm të bardhebluve dhe vërtet kaq e pasur qenka kjo Tirana jonë që përbuz talente të tilla, të akademisë së saj e më pas vete e kërkon lojtarë deri në Afrikë, Azi, Serbi, Bullgari, Rusi e gjetkë? E kur fatkeqësisht planet “e jabanxhinjve jo shqiptarë” dështojnë turpshëm fare e kur në ekip mbahen deri edhe futbollistë që marrin mijëra euro pa i rënë topit asnjëherë… E kur klubi shpenzon pa e ditur as vetë përsenë e të harxhuarit pa perspektivën e së nesërmes, atëherë vijnë edhe faturat e rënda të të bredhurit gjyqeve në FIFA e UEFA për të paguar gjobat e marrëzive të mësipërme… E vjen edhe më e turpshmja dhe më e papranueshmja prej të gjithëve ne, rënia për herë të parë e Tiranës, mbretëreshës, legjendës së futbollit shqiptar… në kategorinë inferiore sepse populli me të drejtë thotë se ç’të mbjellësh, atë do korrësh…

Nuriu

Ndërkohë që miellin tonë e kemi në sofër, madje cilësor, kërkojmë ta gatuajmë bukën me miell të huaj, duke harruar atë thënien e mençur të popullit tonë se kali i botës të lë në rrugë… Marlindit i duhet të vuajë faktin që i ati i tij është një emër tepër i njohur në futbollin shqiptar prej vitesh e vitesh. Ai quhet Lutfi Nuriu, prej katër mandatesh zv.President i FSHF-së, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të saj dhe një ndër njerëzit më të ndershëm e më punëtorë të futbollit tonë, të cilit ka vite që po i jep deri edhe shpirtin e s’i ka marrë mbrapsht kurrë qoftë edhe një 5 lekësh… Deri dje, nën drejtimin e Lutfiut president, kjo Tiranë njohu suksese të mëdha futbollistike, duke fituar tituj kampionë e kupa të vendit si rrallëkush.. Rei është djali i të vëllait të Lutfiut, një tjetër emër i tepër të njohur të sportit shqiptar, Avniut, kampion i bardhebluve në sportin e mundjes si dhe një mundës i shkëlqyer në përfaqësimin e fanellës sonë kombëtare.

Edhe për Avniun e njëjta histori. Deri dje, në bordin drejtues të bardhebluve së bashku me Papulin e Shefikatin i dhuruan Tiranës jo vetëm një ekip klasi, por edhe mjaft tituj, trofe e kupa. Pa hyrë më gjatë në historinë brilante sportive të familjes së respektuar Nuriu, që aq shumë i ka dhënë sportit të kryeqytetit, por edhe atij kombëtar, duke nisur që nga Mjeshtrit Namik Nuriu, Kadriu së bashku me të birin Denisin, etj. Natyrisht, duke shpresuar për ta përcjellë traditën e tyre përmes talenteve të mësipërm e personazhe të shkrimit tim Marlindit dhe Reit. “U detyruan që thjesht për të mos ua vrarë ëndrrën, pasionin e shpresën t’i çonin te Dinamo”, më thanë verën e shkuar kur u ndodha në Shqipëri vëllezërit Nuriu për djemtë e tyre. Të them të drejtën, u befasova dhe u zhgënjeva jo pak… “Te Dinamo? – ju thashë, duke shprehur hapur mosaprovimin tim për atë çka kishin bërë. – Si kështu? Si ka mundësi që nuk paska vend Tirana për fëmijët tuaj, aq më tepër kur ata vërtet vlejnë e nuk kanë nevojë për ndihmë a ndërhyrjen tuaj?”… As ata të dy vetë, e aq më pak djemtë e tyre, nuk e kishin kuptuar dot arsyen e mosaktivizimit në klubin e tyre të zemrës bardheblu, në klubin ku u rritën. Marlindi, mbrojtës i shkëlqyer krahu e deri edhe mesfushor krahu.

Rei një mesfushor organizator tipik. I pari anëtar i ekipit tonë kombëtar Shpresa dhe i dyti gati për të qenë pjesë e tij. Së çfarë ka klubi bardheblu me Lutin e Nushen e me pozicionet e tyre brenda e jashtë futbollit shqiptar, unë nuk e di dhe as që më intereson ta di fare, sikurse nuk e di se çfarë nuk shkon mes tyre. Di vetëm faktin që vëllezërit Nuriu, familjen e fisin Nuriu e njoh fort mirë prej dekadash dhe vlerësoj në maksimum ndershmërinë, korrektesën, seriozitetin, punën dhe kontributin e tyre kolosal, si te Tirana, po ashtu edhe në ndihmë të sportit tonë kombëtar. Mua si njeri të sportit më shqetëson, madje jo pak, fakti se përse duhet t’i djegim e dënojmë kësisoj talentet tona të së nesërmes, këta djem të rinj me goxha të ardhme e që shpresojnë mjaft në futbollin bardheblu e atë shqiptar?!

Përse ata duhet të vuajnë historitë e mbrapshta apo edhe t’u gëzohen historive të pamerituara të djeshme të dikujt në kurriz të tyre për mirë a për keq vetëm e vetëm për hir të mbiemrit a emrit të baballarëve të tyre?! “Në sajë të kontributit jo të vogël të Marlindit e Reit, – thotë trajneri i sotëm i Dinamos, Allmuça, – ekipi ynë sivjet u rendit në pesëshen e parë të grupit dhe pas 6 vjetësh ndihet i qetë e i sigurt që do qëndrojnë në kategorinë ku është e nuk do bjerë më poshtë”. Pra, një tjetër pohim vlerësues i një tjetër tekniku për vlerën e cilësinë e tyre dhe ndërkohë te Tirana askush nuk shqetësohet se si ka mundësi që këta talente përfunduan te Dinamo e aq më keq me parametra financiare 0.

Në dëm të klubit… dhe thënë saktë ua falëm Dinamos se për Tiranën ishin të destinuar të ngrohnin vetëm stolin dhe nuk do mund të luanin se baballarët e tyre quheshin Luti e Nusha dhe Presidenti i sotëm a drejtuesit e tyre nuk na i paskërkan fort qejf ata… Histori tipike anadollake shqiptare ndaj të cilave sporti ynë ka vuajtur e vazhdon të vuajë jo pak, por edhe të dëmtohet gjithashtu jo pak. Me të drejtën e një njeriu të hershëm të sportit e të futbollit shqiptar në veçanti, rezervoj të drejtën time personale të pyes publikisht: kush qenka ky person apo qoftë edhe institucion t’i mohojë kësisoj e padrejtësisht të drejtën një prindi për ta parë fëmijën e tij aty ku ai dëshiron, gjë për të cilën ai ka investuar jo pak financiarisht e moralisht e gjithashtu ka sakrifikuar jo pak edhe familjarisht?

E kam fjalën kur fëmija e meriton vërtet dhe nuk kushtëzohet nga emri a mbiemri i prindit a i familjes së tij… Kush qenka ky njeri apo edhe klub që nuk pyetka fare për gjithë atë investim profesional e moral bërë ndaj filizave dhe talenteve të tij të së nesërmes dhe i lëshoka kësisoj pa ndierë kurrfarë përgjegjësie e aq më keq akoma i dëmton me një lloj paragjykimi të caktuar e krejtësisht dashakeq? E pra, është disi paradoksale, paragjykuese e dashakeqe të mendosh që domosdoshmërish te Tirana, që ta meritosh e ta veshësh fanellën bardheblu, u dashka mbajtur mbiemri Halili që të luash sepse ndryshe nuk ka sesi shpjegohet që Nurët qenkan të padëshirueshëm e të pavlefshëm për klubin e tyre të zemrës…

Edhe përpos faktit që u lindën, u rritën, u përgatitën e u formuan pikërisht aty, në klubin ku ëndërruan të ishte shtëpia e tyre sportive. Dhe tani le të dalim te fenomeni ynë tipik, alla shqiptar: pesha negative apo pozitive e mbiemrit dhe pasojat e tij… Dikur dhëndrin e Hysni Kapos e vumë në krye të futbollit shqiptar. Quhej Mehdi Bushati dhe kishte qenë një futbollist i mirë, por karriershkurtër. E meritonte apo jo histori më vete, pasi mendoj se po të mos kish qenë dhëndër blloku nuk do qëndronte për vite e vite me radhë aty ku qëndroi, sepse kishte të tjerë drejtues e kuadro më të përgatitur e më të zotë se ai që, në fund të fundit, u shndërrua në një figurë përçuese tipike të politikës shqiptare në sport në kohën në fjalë. Dikur te Dinamo luante një djalë i mirë, por edhe futbollist i zoti dhe quhej Agron Hazbiu, i cili herë- herë prezantohej edhe me mbiemrin Dauti… E pra, ishte djali i Kadri Hazbiut të famshëm të kohës. Në një ndeshje në Kavajë midis Besës e Dinamos, ky Agroni vete e i shkul nga gjoksi në mënyrë demonstrative e në formë pakënaqësie me gjykimin e tij stemën e FSHF-së arbitrit të ndeshjes. Dhe ç’ndodhi më pas? Asgjë… Sepse askujt nuk ia mbante bytha ta dënonte djalin e Kadriut, byroist e ministër të Brendshëm. Në vitet 70-të, në një ndeshje në Tiranë mes Partizanit e Besëlidhjes, dëmtohet rëndë i biri i ministrit të Mbrojtjes dhe tifozit nr.1 i të kuqve, Vladimiri, djali i Beqir Ballukut. Dhe sytë tanë panë se si për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar një ambulancë hyn në fushën e lojës për t’i ardhur në ndihmë djalit të Ministrit, gjithashtu byroist. A do ta bënte kjo “ambulancë” një veprim të tillë për dikë tjetër, aq më shumë që sa e sa futbollistë ishin dëmtuar më parë në stadiumet e fushat tona të futbollit, e për ta mezi ishte gjendur një barelë sa për t’i larguar nga fusha e më pas edhe për t’i transportuar deri në spital. Vite më parë, në fushën e klubit Partizani luhej një ndeshje kupe mes Partizanit dhe Peqinit.

Ndeshje që u shndërrua në një betejë të vërtetë shkelmash e grushtesh sa u desh ndërhyrja e policisë që u thirr me urgjencë për këtë lloj ngjarjeje të pazakontë për atë kohë.. Protagonisti quhej Tit Isai, nipi i ministrit të Brendshëm, Hekuranit… Aa për t’u hedhur hi syve opinionit publik e dënuan të mos luante nja dy-tri ndeshje dhe vetëm kaq. I njëjti rast analog, por në sens të kundërt, mund të thuhet për Mirel Josën, që ishte dhëndër i trajnerit të famshëm të Tiranës e të kombëtares sonë, Shyqyri Rrelit. Ishte vërtet futbollist i shkëlqyer e djalë i mrekullueshëm, ndaj dhe gojët e mendjet e liga kishin heshtur, se ndryshe të qenit dhëndër i Shyqit do t’ia shkatërronte fare karrierën Mirelit. Sepse edhe Rrelit të respektuar do të mundoheshin t’i gjenin ndonjë kleçkë sa për t’ia larguar Mirelin nga futbolli.

Po vite më parë, në fillim 1990-ës, djali i xhaxhait tim, Edmond Dosti, ishte në kulmin e formës së tij sportive te Partizani e gjithashtu golashënuesi më i mirë i futbollit shqiptar, por vetëm pse unë si gazetar isha në oponencë të vazhdueshme me FSHF-në dhe kritikuesi nr.1 i saj, Moken (Edmondin) nuk e thërrisnin në ekipin Kombëtar. Specialistët e kohës pranonin njëzëri se i takonte të ishte pjesë e tij përpara shumë të tjerëve. Të tillë fat kanë pasur edhe djemtë e trajnerëve tanë të shquar, Bejkush Birçe e Mehdin Zhega. Kur dikush, për qejfmbetje të ndryshme ndaj tyre të periudhave kur ata qenë trajnerë nëpër klube të ndryshme a në Kombëtare, inatin ua nxirrnin te djemtë e tyre, Altini dhe Kreshniku, edhe pse këta djem meritonin shumë më tepër se çka morën.

I njëjti fenomen me të birin e talentuar të ish-trajnerit tonë të shquar dhe njërit prej drejtuesve të sotëm të FSHF-së e specialistit të zot të futbollit tonë kombëtar, Vasili Bici. Ditmari, të cilin Partizani e masakroi se na paska pakënaqësi ndaj të atit të tij e pse federata nuk na e paska fort qejf këtë klub apo pse Vasili është pjesë e kësaj federate. Kujtoj që fjala vjen në sensin e kundërt, Ermal Tahirin, të birin e ish-drejtuesit shumëvjeçar të sportit e futbollit tonë Azizit, që edhe pse e meritonte të aktivizohej e të luante sepse vërtet vlente cilë- sisht, më së shumti e linin në stol dhe i nxirrnin kësisoj ndonjë lloj inati personal që mund të kishin me të atin e tij. Të njëjtën gjë vërej sot te Laçi, kur futbollisti Bardhi meriton të jetë në formacionin bazë të ekipit e të luajë rregullisht, por qenia e të atit të tij kryetar bashkie, krejt padrejtësisht ia kufizon pa as më të voglën logjikë e arsye një gjë të tillë.

Dhe historitë tona shqiptare, të viktimave e maktheve të mbiemrit vazhdojnë e janë pa fund. Janë sa qesharake e po aq trishtuese që dikë e bëjnë të supermerituar pa qenë kurrsesi i tillë, e dikujt i hyjnë në hak padrejtësisht duke i thyer e vrarë ëndrrën e vet pa asnjë lloj shpjegimi profesional e moral. Unë nuk e di se deri kur do të vazhdojë kjo histori me biografi-mirët e biografi-këqijtë shqiptarë, por ama një gjë e di me siguri: që një orë e më parë duhet të heqim dorë nga këto lloj praktikash të dëmshme, jo vetëm profesionalisht, por edhe moralisht. Sepse, askush nuk ka asnjë lloj të drejte të gjykojë a paragjykojë dikë thjesht për shkak të mbiemrit të tij apo emrit të prindit të tij. Gjithsekush duhet gjykuar e vlerësuar vetëm në bazë të aftësive e meritave të tija personale, pa i ngrënë hakun kurrsesi për atë që di e që bën më mirë se dikush tjetër kushdo qoftë ai, çfarëdo lloj gjëje përfaqësoftë ai e çfarëdo emri e mbiemri e posti dhe funksioni pastë. Mos ua vrisni ëndrrat fëmijëve tanë e mos ua thyeni zemrën kësisoj se është mëkat! Jepini gjithsekujt e me të drejtën e tij e të zotit pikërisht atë që meriton e asgjë më shumë…!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"