Çfarë duhet të dinë tiranasit e shkodranët për Mirel Josën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2022 | 19:47

Çfarë duhet të dinë tiranasit e shkodranët për Mirel Josën

Nga ADRIATIK DOSTI
Të dinë se ai ka lindur në Tiranë në 1 qershor të 1963 dhe është i biri i doktorit të respektuar e të shquar pediatër Shyqyri Josa, ndarë nga jeta pak vite më parë, të cilin fatmirësisht e kisha mik të mirë.

Mirel Josa2

Të dinë se është dhëndër i ish-trajnerit të Kombëtares sonë dhe i trajnerit të Tiranës gjithashtu, Prof. Shyqyri Rrelit ndarë nga jeta gjithashtu pak kohë më parë, një tjetër mik i imi i shkëlqyer.

Të dinë se ka qenë dy herë trajner i Tiranës, me të cilën ka fituar titullin dhe kupën, por edhe fatkeqësisht ishte në krye të saj edhe  në 2017 kur për herë të parë Tirana ra nga Superiorja e futbollit shqiptar.

Të dinë se vjen për herë të tretë te Vllaznia e fiton me shkodranët Trofeun e parë. Më parë ka qenë në pankinën e tyre në 2006-2008 dhe në 2010-2011.

Të dinë se, pas Trofeut të Kupës me Vllazninë, tashmë është trajneri rekordmen i titujve dhe trofeve në historinë e futbollit shqiptar, me 5 kampionate, 4 kupa e 3 superkupa, (12 në total), fituar me Tiranën, Skënderbeun, Vllazninë, por edhe me Prishtinën. Pas tij me 11 trofe renditet një emër i madh i futbollit tonë, Prof. Zihni Gjinali.

Të dinë që Mireli ka qenë trajner qe nga viti 2003 kur e nisi këtë profesion te Tirana, Vllaznia, Lushnja, Skënderbeu, Elbasani, Teuta, Shkumbini, Kukësi, Laçi e Prishtina.

josa

Të dinë se bëri historinë, teksa fitoi 4 tituj rresht në Korçë dhe ishte trajneri i parë shqiptar që çonte një skuadër tonën në Grupe, në Kupat e Europës.

Të dinë që ka qenë një ndër mesfushorët sulmues, por edhe mbrojtës më të mirë të futbollit shqiptar në vitet 80-90, kur luajti për Tiranën e dytë më të mirë në histori, pas asaj të Lym Allës, ku në periudhën 1980-1991 fitoi si lojtar 4 tituj kampionë e 3 Kupa të Shqipërisë, ku në 250 ndeshje shënoi 40 gola.

Të dinë se ai luajti futboll deri në vitin 1999, pra deri në moshën 36 vjeçare, ku vitet e fundit të karrierës veshi fanellat e disa skuadrave greke si të Aris, Kavalla, Lykoi, Aleksandropoli, Neapoli, etj.

Të dinë se luajti nga 1984-1992, plot 27 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë e ku shënoi vetëm 1 gol, por gol që mbahet mend gjatë, atë kundër Belgjikës në fitoren e Shqipërisë, 2-0.

Të dinë se, 4 nga golat e shënuar nga Mirel Josa gjatë karrierës së tij meritojnë të quhen gola historik. Sepse ne Kampionatin Europian të 18-vjeçarëve zhvilluar në Finlandë në 1982, ai luajti kundër Marko Van Bastenit dhe shënoi golin e vetëm të Shqipërisë në atë humbje tonën 1-3, por pikërisht ky gol e eliminoi Holandën për më tej. Sepse në 1983 në Trir të Gjermanisë shënoi gol kundër ekipit të Berti Vogst, në atë barazim historik 1-1, që e çoi Shpresën e Shqipërisë në çerekfinale përballë Italisë. Sepse, në 1984 në Tiranë, në eliminatoret e Botërorit shënoi golin e parë kundër Belgjikës në fitoren tonë të bujshme 2-0, ku goli i dytë mban për autor të paharruarin Ben Minga.

Shqiperi-Spanje bardhezi 3 Josa

Sepse në edicionin 1986-1987, në Kupën e Kupave, në sekondat e fundit të ndeshjes në Bukuresht, shënon golin e kualifikimit e të fitores së Tiranës 2-1 kundër Dinamos së Bukureshtit. E pra, një CV të tillë sportive do ta lakmonte çdokush. E mbi të gjitha, Mirel Josa një nga miqtë e mi më të mirë e më të hershëm në futbollin shqiptar, vlen të veçohet si një mik i mirë, si një qytetar i civilizuar, si një djalë i mençur, i qetë e i matur, si një çun Tirone që meriton veç respekt e mirënjohje për gjithçka ka bërë për futbollin shqiptar e për qytetin e tij. Dhe jam tepër i sigurt, që ata kodoshët që sot mbajnë veshur padrejtësisht fanellën e rëndë e historike bardheblu, pavarësisht se fluturojnë me Presh në By…ë dhe e quajnë veten kampionë, sot kur Josa shkon plot autoritet e dinjitet si trajner në Shkodër e i jep Vllaznisë sonë mike mbi 100 vjeçare një trofe kësisoj e një biletë për në Europë, duhet të ndihen të turpëruar. Sepse, asnjë palaço e renegat që shet e ble ndeshje dhe bën pazare në kurriz të të tjerëve (veçmas këtë sezon të sapo mbyllur kundër Shkodrës e në favor të Partizanit, Laçit e Kukësit), asnjë kloun e sharlatan që luan apo edhe flet në emër të SK Tironës dhe shkon e i ngul thikën pas shpine mikes e aleates sonë shekullore Vllaznisë, nuk meriton të quhet i familjes sonë bardheblu.

Shembulli i Ali Memës shumë vite më parë, por edhe ky i Mirel Josës sot, janë shuplaka më e mirë fytyrës për të gjithë ata që kërkojnë të armiqësojnë dy klubet tona djepe të futbollit shqiptar, qofshin këta tiranas apo edhe shkodranë, që kërkojnë të mbajnë ndezur sherre e mëri të sajuara pa asnjë shkak mes dy qyteteve tona, klubeve tona e mes tifozerive tona.

Është nder për ne tironasit e qytetin tonë, që në Vllazninë historike e në Shkodrën e civilizuar na përfaqëson një djalë tipik i mirësisë e i qytetarisë tiranase, por dhe tepër i aftë e profesionist si Mirel Josa, sikurse është privilegj e kënaqësi e veçantë për Shkodrën e shkodranët të kenë në krye të futbollit të tyre, një ndër lojtarët e trajnerët më të mirë e më të suksesshëm të historisë së futbollit shqiptar, e aq më shumë kur ai ju vjen nga familja e tyre mike bardheblu. Tirana e Shkodra duhet të jenë modeli i futbollit shqiptar për një mijë e një arsye, plus edhe modeli i qytetërimit, civilizimit, demokracisë, patriotizmit, antikomunizmit e i shqiptarisë, sepse të tilla kanë qenë jetë e mot e të tilla duhet të mbeten edhe për brezat e ardhshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"