Opinion/ Kampionati, në kërkim të tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2017 | 21:18

Opinion/ Kampionati, në kërkim të tifozëve

Opinion nga YLLI AGA

ylli-aga

Nëntë javët e para të këtij kampionati kanë shfaqur shumë elementë, të cilët e bëjnë të veçantë krahasuar me shumë nga paraardhësit. Një mbi të gjithë ndeshjet e fituara nga ekipet udhëtuese. 15 fitore në 45 ndeshjet e luajtura deri më tani janë një rekord, që shembin plotësisht mitin e fushës vendëse, e cila merr një vlerë të shtuar në një vend që pati shpikur rregullin e veçantë për të dhënë tri pikë për ndeshjet jashtë, në një kohë që sukseset në shtëpi vlerësoheshin ende me dy pikë.

Ndërkohë që edhe përqindja e golave të shënuar ka një përmirësim me dy kampionatet e fundit dhe me gjasë do të vijojë në këtë trend. Gjithashtu, për ta bërë panoramën më tërheqëse, janë edhe elementë të tjerë për të cilët deri më tani nuk është folur apo shkruar asnjë fjalë, pikërisht dhuna dhe paracaktimi i rezultateve, si për të dëshmuar se gara deri në këtë moment është e pastër. Por të gjitha këto normalisht do të duhej të shoqëroheshin me një numër më të lartë tifozësh në shkallët e stadiumeve, por një gjë e tillë nuk po ndodh dhe arsyet me këtë logjikë është e vështirë t’i kërkosh të gjitha te futbolli i luajtur.

KUR SHQIPËRIA MBANTE REKORDIN E TIFOZËVE PËR NDESHJE

Në mesin e viteve ’80, kampionati shqiptar po kalonte një nga momentet më të mira të periudhës moniste. Investimet në infrastrukturë (të pranueshme për kohën), masivizimi dhe mbi të gjitha një punë më profesionale po shpërblehej me një rivalitet të skajshëm në garat kombëtare dhe me rezultate më të mira në arenën ndërkombëtare.

E gjitha kjo kishte ndikuar për një prezencë të jashtëzakonshme të tifozëve nëpër stadiume, që në sezonin 1985-’86 raportohej të ishte me një mesatare mbi 6000 për ndeshje, e cila, e lidhur me numrin e popullsisë, ishte në mënyrë absolute më e larta në kontinent. Por në këtë pikë meriton të merren në konsideratë edhe disa elementë të rëndësishëm:

loro borici bosh vllaznia skenderbeu

-qytetet tona kishin një strukturë të qartë sociale dhe të pacenuar nga lëvizjet demografike dhe në njëfarë mënyre njerëzit identifikoheshin lehtë me qytetin dhe elementët më të rëndësishëm të tij, siç realisht ishin skuadrat e futbollit.

– klubet e futbollit, përgjithësisht formësoheshin në pjesën më të madhe prej banorëve të tij, një element që e bënte më të fortë lidhjen mes qytetit dhe ekipit, që ndikonte të mos ndiheshin shumë ndryshimet nga një kategori në tjetrën.

– ndeshjet e futbollit ishin absolutisht aktiviteti më i rëndësishëm për jetën e qytetit.

– mënyra e jetesës diktonte ndjekjen e futbolli në mënyrë masive.

– ndeshjet luheshin në ditën e vetme të pushimit javor.

– aktiviteti sportiv zhvillohej krejtësisht izoluar dhe ishte e pamundur që të konkurrohej nga kampionatet elitarë të kontinentit. Cilatdo qofshin arsyet, pamjet e stadiumeve të tejmbushura dhe rivaliteti i lartë në fushën e lojës diktuar nga cilësia e tri skuadrave të kryeqytetit dhe disa nga ekipet e rretheve me Flamurtarin dhe Vllazninë më me stabilitet dhe të tjera që bënin shumë mirë si Elbasani, Lokomotiva, Apolonia, Luftëtari, Tomori, Besa dhe të tjera injektojnë nostalgji.

Gjithsesi, një element meriton të mbahet në vëmendje për atë, rënia e numrit të tifozëve, krahasuar me shifrën rekord të 1985-’86 në kampionatet pasardhëse. Shumëkush mund ta kujtojë që “TVSH”, si transmetuesi i vetëm në atë kohë, provoi që ndeshjen e vetme në javë të mos e transmetonte “live”, por pasi ajo të kishte përfunduar, një zgjedhje që gjithsesi nuk e përmirësoi situatën. Stadiumet nuk janë më destinacioni i preferuar për qytetarët kohët kur, pothuajse i gjithë qyteti, shkonte në stadium është e pamundur të përsëritet më.

Shkoder stadiumi bosh

Dhe, me siguri, fajin për këtë nuk duhet ta kërkojmë vetëm te futbolli, por pa hequr mëkatet e tij. Në këtë pikë, gjithsecili mund të rendisë arsye pa fund dhe, sipas këndvështrimit të tij, por në disa pika mund të biem në një emërues të përbashkët:

-ndryshimi rrënjësor i mënyrës së jetesës, krahasuar me atë të para viteve ’90, i cili ka krijuar një raport krejt të ri të gjithsecilit me qytetin e tij dhe rrjedhimisht edhe me klubin e futbollit.

-lëvizjet e mëdha demografike, të cilat kanë ndryshuar strukturën dhe identitetin e qyteteve tona, të cilat kanë parë të largohet pjesa më vitale dhe që kishte lidhje të fortë me klubet e futbollit.

-gjendja social-ekonomike i ka detyruar një pjesë të madhe të njerëzve të heqin dorë nga ndjekja e ekipit të zemrës nga stadiumi. Një pjesë prej tyre i përkasin shtresës së të varfërve dhe në Shqipëri numërohen me mijëra që jetojnë në kufijtë e mbijetesës, një pjesë tjetër shumë e lidhur me punën, të tjerë në emigrim.

-një arsye është se futbolli nuk përfaqë- son interesin e vetëm në kohën e lirë për shumë njerëz.

– njerëzit po bëhen gjithnjë e më vetmitarë (janë gjithnjë e më të shpeshta rastet, që edhe kur bëhen bashkë për raste të ndryshme, vetizolohen duke iu përkushtuar telefonit dhe rrjeteve sociale).

-infrastruktura e stadiumeve në shumicën e rasteve lë për të dëshiruar, veçanërisht në ditë të ftohta apo me shi. Dhe për njerëz që kanë krijuar një lloj standardi në jetën e tyre është e papranueshme të frekuentojnë impiante të tilla.

-konkurrenca me ligat më të mira të Europës. Në një treg gjithnjë e më global, një situatë e tillë është e pashmangshme. Treguesi më i mirë janë stadiumet e mbushura edhe në kategoritë inferiore në Angli apo Gjermani, që konfirmojnë me klubin apo ngjyrat ku ndihen të përfaqësuar.

-cilësia e garës, e cila me siguri ndikon tek ai grup njerëzish që kanë mundësi për të ndjekur vetëm një ose dy ndeshje në javë dhe në mënyrë të kuptueshme zgjedhin eventet më të rëndësishme të kontinentit.

-aplikimi deri në absurd i dënimeve kolektive për tifozëritë dhe mosdënimi i tifozëve më problematikë.

-mungesa e tifozëve nuk është një sëmundje shqiptare, por po ndodh në të gjitha ligat e dorës së dytë apo më poshtë në kontinent. Disa statistika: Në Maqedoni, ndeshja e kampionëve të Vardar me Skopje kishte 400 tifozë, në Mal të Zi Rudar përballë kampionëve të Buduçnost kishte 300 tifozë, në Kroaci, Slaven Koprivnica përballë kampionëve të Dinamo Zagreb kishte 2313 tifozë, në Slloveni Krsko kundër kampionëve të Maribor kishte 1400 tifozë, në Bosnje kampionët e Zrinjskit kundër Radnik kishin 900 tifozë, në Bullgari sfida më e rëndësishme, ajo mes kampionëve të Ludogorets dhe CSKA Sofje, kishte 5700 tifozë, në Rumani kampionët e Vitorul kundër Sepsi kishin 2000 tifozë. Këto shifra e bëjnë të duket normale dhe në sinkron me të gjithë tregun ballkanik numrin e tifozëve në stadiumet tona.

– besimi te një garë e ndershme. Sigurisht ka një ndikim, por që e ndarë në përqindje, logjikisht duhet të jetë në nivelin më minimal. Pasi nëse do të ndikonte vërtet, do të pasqyrohej më së shumti te Skënderbeu, si klubi më i akuzuar, por korçarët numërojnë numrin më të lartë të tifozëve. Apo meqë te lojërat me dorë besimi është gati absolut, pallatet e sportit do të ishin plotësisht të mbushura, por edhe aty konstatohen lehtësisht stolat e boshatisur.

partizani luftetari

Punët e dobët e klubeve

Prej vitesh, tanimë klubet tona të futbollit funksionojnë edhe si shoqëri tregtare. Por, çuditërisht, një fakt i tillë nuk ka ndikuar që të bëhet një punë e madhe për një menaxhim më të mirë apo më shumë marketing, pasi koha e ka treguar se, në ndeshje të caktuara, tifozët janë aty dhe kanë arritur të mbushin stadiumet, por që nuk kanë arritur t’i joshin për t’i pasur klientë të përhershëm. Dhe, për këtë fakt, sërish mund të rendisim arsye të shumta:

-klubet tona nuk po arrijnë të krijojnë një “brand”, ku të ndihet i përfaqësuar i gjithë komuniteti që përfaqëson.

-në shumicën e rasteve klubet e kanë bazuar punën e tyre në funksion vetëm të rezultatit të momentit dhe janë të pakta rastet kur kemi një projekt afatgjatë.

-klubet tona, në jo pak raste, i kanë kthyer duelet me rivalet e tyre në një betejë që shkon përtej fushës së lojës, duke artikuluar akuza pa fund dhe duke sjellë përplasje mes tifozërive.

-aludimet për fiksime rezultatesh kanë sjellë largim në masë të tifozëve. Mosdistancimi prej tyre dhe mungesa e mbrojtjes për të tilla akuza i kanë bërë të duken fajtorë në sytë e publikut të gjerë.

-tregohet një kujdes minimal me ekipet e moshave, duke bërë që edhe prurjet prej tyre në ekipin e parë të jenë minimale dhe rrjedhimisht krijohen shumë pak shembuj për qindrat e të rinjve që stërviten me qëllimin për të përfaqësuar një ditë qytetin e tyre.

-në stadiume nuk janë krijuar kushtet e duhura për të pritur dhe ndarë në sektorë të veçantë një pjesë të madhe të grupeve të shoqërisë, pasi jo në pak raste tribuna të caktuara qëndrojnë të mbyllura, duke detyruar të qëndrojnë së bashku si tifozët e thjeshtë ashtu dhe ata ultras.

-ka shumë pak oferta për të tjera grupe të shoqërisë si fëmijët, femrat apo moshën e tretë, të cilët, në momentin që shkojnë në stadiume, në shumë raste përballen me raste të një sjellje agresive. Futbolli ynë është duke kaluar një nga momentet më të mira të historisë së tij, konfirmuar me statusin e ekipit kombëtar në garat kontinentale, por edhe rezultatet e ekipeve tona në Kupat e Europës, si kurrë më parë, meritojnë një vëmendje më të madhe nga ana e tifozëve dhe një punë më profesionale të klubeve tona për të pasur një mbështetje më të madhe nga ana e tifozëve. Sepse, në fund të fundit, futbolli luhet për ta dhe cilatdo qofshin rezultatet, me stadiumet e boshatisura asgjë nuk do të kishte vlerën e duhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"