OPINION/ Eduard Prodani: Humbësi i madh është futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2021 | 14:17

OPINION/ Eduard Prodani: Humbësi i madh është futbolli

Nga EDUARD PRODANI

eduard prodani

Ndonëse tingëlloi si një surprizë, vendimi për krijimin e një lige europiane futbolli, jashtë skemës ekzistuese te menaxhuar nga UEFA, është diskutuar dhe paralajmëruar prej kohësh. Në formën tashmë të faktit të kryer, ai përbën pa dyshim një zhvillim negativ në futbollin europian dhe atë botëror. Klubet nismëtare janë ndër ato që kanë bërë historinë e futbollit dhe secili prej tyre ka numra të frikshëm ndjekësish në tërë kontinentet e botës. Ato sot është vështirë të quhen klube të Anglisë, Spanjës apo Italisë, sepse në të vërtetë janë klube ndërkombëtare.

Pra, ky është dukshëm moment shumë delikat për të ardhmen e futbollit dhe pavarësisht nga drejtimi dhe zgjidhja që mund të marrë procesi që ka nisur futbolli, nuk do të jetë më asnjëherë ai i pari. Ligat përfaqësojnë marrëveshje biznesi, synimi kryesor i të cilave është mbrojtja e interesave të ngushtë dhe maksimizimi i fitimeve për anëtarët e tyre. Ato kanë lindur praktikisht në të njëjtën kohë me futbollin e organizuar me aktivitet përgjithësisht brenda kufijve politikë të vendeve të tyre. Në këtë kontekst, duhet thënë se historikisht FIFA dhe UEFA i kanë shkurajuar idetë dhe iniciativat ndër vite për krijime ligash, duke argumentuar avantazhet e sistemit të centralizuar, por gjithmonë duke u përpjekur të gjejnë gjuhën e bindjes dhe kompromisit me klubet. Ndërkohë, pavarësisht përmbajtjes së fjalës “ligë” në tituj, kompeticionet europiane të UEFA-s në të vërtetë nuk janë liga komerciale dhe nuk funksionojnë si ato. Kjo, sepse skemat, organizimi, vendimet dhe, më e rëndësishmja, shpërndarja e të ardhurave bëhen nga UEFA.

E thënë më thjesht, nëpërmjet të ardhurave që vijnë nga organizimi i veprimtarive, UEFA mbështet dhe promovon zhvillimin e futbollit në tërë vendet anëtare të UEFA-s, mbi kritere që teorikisht synojnë zhvillimin dhe përhapjen sa më të gjerë të futbollit. Se përse nuk është e drejtë iniciativa aktuale e klubeve të mëdha dhe përse krijimi i asaj që po e quajnë “Super Ligë” është i dëmshëm për futbollin në tërësi, kjo është një temë shumë e gjerë për të cilën mund të shkruhet dhe debatohet gjatë. Por, ndërkohë, mendoj se ka vend për një diskutim të rëndësishëm për të kuptuar fenomenin e për të nxjerrë konkluzione. Kujtdo mund t’i lindin pyetje të tilla, si: Përse të sillen me kaq papërgjegjshmëri këto klube të mëdha që kanë bërë historinë e futbollit europian? A nuk e kuptojnë ato se po presin degën e pemës ku qëndrojnë edhe vetë? Përse tani nuk arrihet më të gjenden zgjidhje kompromisi mbi kërkesat e klubeve ashtu si është vepruar dekada me radhë? Ndonëse fenomeni është shumë kompleks, një nga faktorët kryesorë për krizën e krijuar është vetë UEFA. Për ta kuptuar këtë, duhet bërë një analizë e thjeshtë se çfarë imazhi dhe potenciali UEFA ofronte dikur, të themi në kohët e presidentëve si Johanson etj., dhe çfarë ajo ofron dhe përfaqëson sot. E dyndur në vitet ‘90 nga njerëzit e federatave të reja, krijuar pas shpërbërjes së vendeve ish-komuniste, UEFA u përball me një proces ndryshimesh sasiore dhe cilësore, që për fat të keq rezultuan jopozitive për imazhin, integritetin, performancën dhe besueshmërinë ndaj saj.

Devocionit fisnik dhe meritokracisë në menaxhimin e punëve të futbollit duket se ia zunë shpejt vendin drejtimi arrogant, arbitrariteti, tarafet, interesi i ngushtë dhe manipulimet. Personazhe me formim dhe prejardhje nga më të çuditshmet u zgjodhën në poste drejtuese të institucionit dhe trafiku i votave për këto poste duket se u bë një “biznes” i rëndomtë nëpër korridoret e atij institucioni. Rrjedhim i drejtpërdrejtë i këtij procesi janë skandalet korruptive, që shpërthyen hapur pak vite më parë në UEFA, por edhe një listë e gjatë skandalesh, të ngjashme në federatat anëtare prej nga ky institucion e ka shumë të vështirë të dalë i pacenuar në imazh dhe autoritet. Ilustrime të qarta të procesit janë edhe disa “pika takimi të nxehta” të UEFA-s me Shqipërinë, që kanë lënë të zhgënjyer shumë prej nesh. Të tilla kemi për shembull dy vendimet e turpshme të trupave të disiplinës së UEFA-s për ndeshjen e Kombëtares në Serbi, trajtimin selektiv dhe dënimin shproporcional të klubit Skënderbeu, ndërhyrjen mjerane të një zv.presidenti “alien” në asamblenë zgjedhore të FSHF-së në mbështetje të kandidatit të tarafit të tij, si dhe raste të tjera më pak të njohura.

Për t’u kthyer te tema kryesore, është e qartë se përplasja me klubet kryesore të kontinentit në formën si po ndodh është pasojë direkte e rënies së padiskutueshme të imazhit, autoritetit dhe rolit të UEFA-s në menaxhimin e futbollit europian. Rrjedhim i drejtpërdrejtë i mënyrës së gabuar të menaxhimit të saj në vite. Konsekuencë direkte e paaftësisë së organeve të saj drejtuese. Më tej, përbërja aktuale e trupave të saj vendimmarrëse e bën shumë të vështirë që ai institucion të mund të ngrihet mbi problematikat dhe ekzigjencat e të gjejë autoritetin e liderit për të imponuar zgjidhje kompromisi. Epitetet banale dhe kërcënimet që dëgjuam të kenë dalë nga goja e numrit një, janë shenjë shumë e qartë e kësaj gjendjeje të mjeruar dhe paaftësie. Nga lufta me klubet e mëdha do të humbin të dyja palët, por humbësi më i madh do të jetë futbolli. Edhe sikur të gjendet një kompromis, ai s’mund të jetë veçse i përkohshëm. Buka nuk duhej lënë të thyhej. Tashmë është vonë.

Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"