Sot, në “funeralin” e KOKSH, për ringjalljen e tij!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 17:00

Sot, në “funeralin” e KOKSH, për ringjalljen e tij!

Nga PROF.DR.ARTAN SHYTI

KOKSH sot praktikisht ka pushuar së ekzistuari. Kjo është realizuar nëpërmjet një vetëvrasjeje të pastër institucionale, të kompletuar dje nga një komision anonim,i cili ka njoftuar mbrëmë që 23 federata anëtare të KOKSH nuk kanë të drejtë të votojnë në Asamblenë e 17 prillit sepse nuk kanë dokumentacionin në rregull… Pra nga 41 anëtarë në total, 23 prej tyre, më tepër se gjysma, u është komunikuar që nuk mund të votojnë në Asamble. Kuptohet që arsyetimet për këtë veprim të paprecedent janë nga më absurdet dhe nuk vlejnë të përmenden.

Artan-Shyti

Gjithashtu, si një prej kandidatëve për president,kam marrë vesh rastësisht, sepse askush nuk më ka njoftuar zyrtarisht, që nuk plotësoj kushtet për të kandiduar!? Motivacioni: nuk kam dërguar kartën e identitetit dhe diplomën universitare, dokumente që nuk i janë kërkuar FSHF që më ka kandiduar dhe, natyrisht as mua si kandidat… Të përjashtosh nga kandidimi për president, një zv.rektor me titull prof.dr. si në rastin tim, sepse nuk ka paraqitur diplomën e shkollës se lartë (!?), është tallje e ulët jo me mua, por me institucionin e KOKSH. T’i kërkosh një federate dokumente të ekzistencës së saj, kur e ke regjistruar si anëtare të KOKSH në gjykatë, para tri vitesh, është të tallesh me atë federatë dhe anëtarët e saj. Të kërkosh dokumente për 23 federata sot, ndërkohë që një muaj më parë në asamblenë kur duheshin votat për të miratuar statutin dhe shkarkuar presidentin, këto dokumente nuk ishin të nevojshme për të qenë anëtar i asamblesë(!?),nuk ka nevojë për koment. Mos të pranosh kandidaturat e presidentëve të peshëngritjes, notit, etj, për anëtarë të KE-së me motive skandaloze, është mungesë respekti jo vetëm për individët e nderuar, por edhe për federatat që ata drejtojnë.

KOKSHII

Të quash normal faktin që, vetëm dy ditë përpara asamblesë do të merret vesh përfundimisht kush voton dhe kush votohet, është një çmenduri e plotë. Për sa më sipër, por jo vetëm për ato, KOKSH praktikisht ka vdekur si institucion. Kjo perceptohej prej kohësh në skandalet ku është përfshirë në vitet e fundit. Por, në aktualitetin e sotëm kjo vdekje klinike dyvjeçare, ka marrë certifikatën e “mjekut”. Zgjidhja është vetëm “varrosja” e “kufomës” aktuale dhe rithemelimi i KOKSH me vullnetin e shumicës dërrmuese të anëtarëve të tij, të cilët kanë sot shansin e fundit që të “ringjallin”këtë organizatë. Përndryshe, KOKSH do të vazhdojë të vijë vërdallë si një i vdekur i pakallur, në realitetin sportiv kombëtar duke na turpëruar të gjithëve. Të paktën të gjithë ata që u ka mbetur pak cipë në fytyrë…

PANORAMASPORT.AL

Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"