Alibia është perfekte: dhuna në Vlorë, kozmetikë për skenarin e kompromiseve!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2018 | 22:59

Alibia është perfekte: dhuna në Vlorë, kozmetikë për skenarin e kompromiseve!

GËZIM SINEMATI

sinemati

Gaboi Vlora me arbitrat apo gabuan arbitrat me Vlorën? Sikur të ishte kjo pyetja më pikante e javës, e një jave ku kompromisi në rezultate u mbulua mrekullisht pas maskës së dhunës, ky do të quhej një marifet diriblues… Të një dhune që shërbehet me mjeshtëri aktori nga zyrtarët tanë të talentuar, të cilët ndiejnë dhimbje “prindi” sapo goditet në kokë një arbitër, aq sa harrojnë të mbyllin edhe saraçineskën e golave, që po përmbytin fushat.

Ndaj pyetja ç’ishte kjo që ndodhi në Vlorë, sikur injekton amnezi që të harrojmë ngjarjet e stisura në ndeshjet e tjera, aty ku është “çarë” koka e vetë futbollit, e cila nuk shërohet enkas nga”kirurgët”, që të përfitojnë sa më shumë nga pacienti i sëmurë. Dhe cili nuk e pranon se pacienti -futboll në këto momente po jeton çastet më tragjike. Apo kur mendon se dënimi vjen i dyfishtë… nga jashtë dhe nga brenda. Nga jashtë është ngritur frikshëm, sipër kokës së “Skënderbeut”, shpata e UEFAs, kurse nga brenda, kemi një komandant ndëshkues, një Skënderbe-president, pa fe sportive, për të cilin tregohet anekdota se shpatën e tij nuk mbajnë dot gjithë klubet bashkë, as edhe një Federatë e tërë…

flamurtari vllaznia

“Në tokën ku ka shumë ‘Skënderbej’ edhe ruleti i fatit duket se punon më shumë për të keqin sesa për të mirin. Pritet dënim për ekipin e ‘Skënderbeut’, atë që ka dhënë shfaqjen më të bukur në cilësinë e lojës, kur nuk e shkelte betimin për sjellje nderi, kurse ‘Skënderbeu’ tjetër, ai i prapësisë në zyra spikat për shfaqjen despotike, për komandimin totalitarist të garës së kampionatit.

Ai që jo vetëm nuk dënohet, por ka besimin e tepruar se është i pagjykueshëm. Një zot që edhe pse po jeton rënien nga qielli dhe nga froni, pasi futbolli që ai di të komandojë nuk ka lidhje me lojën që kemi shijuar ndër vite, po i gëzohet harbimit të tij. Një harbim i rrezikshëm sa po jetojmë tragjiken si normale: në fushat e lodhura të futbollit, nga fëmijët te burrat janë mësuar të falen në një kishë amorale, ku predikohet se fituesi nuk del më nga fusha, nuk del më nga arti kolektiv me topin, por nga lidhjet që ke me djallin… “.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"