A me të vërtetë do të guxojnë kështu?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2021 | 20:10

A me të vërtetë do të guxojnë kështu?

Nga BESNIK DIZDARI

…Disi zbehtë megjithatë, të duket sikur diçka kërkon të lëvizë. Aty-këtu po flitet se një shoqatë me emërtimin “Shoqata për Mbrojtjen e Kampionatit Kombëtar të Futbollit” po kërkon të lindë. Sidomos tash mbas njoftimit se Komiteti Ekzekutiv i FSHF paska vendosur që kampionati i Kategorisë II (rrêjshëm I) do të zhvillohet – ashtu siç jemi lodhur duke e kërkuar përmes shkrimeve tona – në një grup të vetëm me 16 skuadra, vendim ky që papritmas mohon gjithçka ka reklamuar me vite vetë kjo FSHF.

unnamed

E, shoqata paska dëshirë të formohet sepse FSHF po guxuaka përsëri të organizojë një kampionat të parë kombëtar, me vetëm 10 skuadra me 4 periudha (faza) të mërzitshme, duke i flakur në kategoritë e ulëta shumicën e qyteteve më tradicionale e më futbollistike të Shqipërisë. Dhe ku tre ndër më të famshmit për ne: si Vlorë, Elbasan e Gjirokastër madje në Kategorinë III (rrêjshëm II)!

Ndërkohë, një fakt mjaft interesant është ai tjetri. Duke qenë se këtë organizim, me datat e fillimit dhe me 10 skuadra e paska marrë Komiteti Ekzekutiv i FSHF me komisionin e tij të garave, kjo i vuri vulën mosekzistencës së asaj që u përpoqën ta quanin Liga Profesioniste e Futbollit. E kemi thënë me kohë që realisht kjo Ligë nuk ekziston, por tash FSHF e konfirmoi, duke nënkuptuar qartë se kjo Ligë nuk ekziston as në letër, përderisa nuk organizon asgjë, por të gjitha i organizon FSHF.

Nuk ta merr mendja se mund të ketë rrogëtarë të kësaj Lige, pra njerëz që paguhen, kur të gjitha detyrimet e saj si Ligë vazhdon t’i bëjë vetëm FSHF. Ndërkaq, unë për vete e kam të vështirë t’u besoj fjalëve se mund të formohet një shoqatë që mund t’u quaka “e Mbrojtjes së Kampionatit të Shqipërisë”.

E them këtë sepse askund nuk shoh një kundërshtar veprues të organizimeve të FSHF-së për kampionatin me vetëm 10 skuadra. Ia vlen të kujtosh se më 5 prill 2019, plot 2 vjet e 3 muaj më parë, gazeta “Panorama Sport” ka botuar dy faqe gazetë për atë që ajo e dytitullonte:

“Revoltat e klubeve” dhe “Klubet e Superiores votuan për shtimin e skuadrave”. Por deri më sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar plot 27 muaj, jo vetëm që nuk ka ndryshuar asgjë, por as që është denjuar të jepet një përgjigje zyrtare (jo personale) për këto kërkesa të shumicës së klubeve, që ishin afërsisht nja 30, çka tregon se ndodhemi përpara një drejtimi që është pak t’i thuash autokrat. Është një drejtim diktati i paprekshëm. Dhe është vërtet e çuditshme se ku i gjejnë forcat për kësisoji. Ndoshta e gjitha kjo vjen ngaqë heshtin qeveria a ministria, me të cilët ndoshta bashkohet edhe mbrojtësi më i madh i përhapjes së sportit në një shtet, që është Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Heshtin përballë këtij përjashtimi të skuadrave të qyteteve më tradicionale prej kampionatit kombëtar dhe FSHF duket sikur na thotë: “Ju s’keni punë e pra më lini mua në privatësinë time”, në një kohë që veç i saj nuk është futbolli qytetar i Shqipërisë. Sigurisht, ne e kuptojmë se ajo jo vetëm që “nuk ka frikë” askënd, por rrethohet prej një mjedisi të nënshtruar deri aty sa s’ka ku shkon më. Përbërja e këtij mjedisi janë llojshmëri nga më të ndryshmet. Inspektorë të pamerituar ministrorë a federalistë, këshilltarë të sporteve që s’dihet a i ka ndokund Shqipëria, – e diku në letër ekziston edhe Këshilli Kombëtar i Sportit.

E bashkë me këta edhe punonjës të heshtur të FSHF, vëzhgues a delegatë ndeshjesh – shumica e thellë vetëm nga Tirana – që nuk u dëgjohet assesi zëri – e ndoshta s’ka pse t’u dëgjohet teksa ndoshta vrapojnë me nxitim te honorarët e daljet televizive kryeulur e me buzëqeshje pa bëza. Pa harruar veprimtarë të futbollit që nuk ekzistojnë, gazetarë e analistë televizivë të nënshtruar më keq se në sistemin komunist e plot të tjerë.

Megjithatë, nuk të besohet se mund të formohet një shoqatë për mbrojtjen e kampionatit. Sepse, edhe nëse dikush guxon për këtë, do t’i sulen për ta ndalur. Befas, se si m’u kujtua një shoqatë “antike” kësisoji, që më vjen nga vitet ’30 të kohës së Mbretërisë. Ndodhi që mbas largimit të tij prej KATSH (organizmi shtetëror që drejtonte sportet asokohe) dr. Vasi Samimi – shkencëtari e profesori, gazetari i shquar, veprimtari po i madh politiko-shoqëror, drejtuesi dhe themelues i shquar në sportet në Shqipëri – siç kam treguar te libri kushtuar atij, bëhet nismëtar i krijimit pa dyshim të së parës shoqatë joqeveritare të sportit në historinë e Shqipërisë. E quajti “Grupi Mbrojtja e Sportit Kombëtar”.

Ishte një shoqatë tipike joqeveritare që kishte si qëllim jo të zëvendësonte qeverinë apo shtetin, apo qoftë dhe Federatën Sportive Shqiptare, siç quhej, por të merrte përsipër ato që të parat nuk i merrnin. Mbi të gjitha “të mbronte” sportin shqiptar. Shoqata kishte 10 parime, një lloj dekalogu, pa dyshim dekalogu i vetëm i derisotëm për sportin shqiptar. Ku midis të tjerave, ai fiksonte: “Vënien e gjithë diturive të anëtarëve të grupit në disponim të sportit shqiptar; asnjë ndihmë financiare prej federatës, por nga nismat e privatëve; propagandë e dobishme në shtyp; zbulim i talenteve më të mira; formim i shoqërive të vogla;

zbatim i ‘Fair Play’; kritikë autoriteteve për gjithçka që cenon emrin e mirë të sportit” e të tjera. Emrat për anëtarë rreth kësaj shoqate ishin edhe më domethënës: Ing. Qemal Butka, kolonel Aqif Përmeti, kolonel Oakley Hill, Said Toptani, dr.Samimi, dr.Jorgoni, dr.Ali Erebara, Eqrem Stërmasi, prof. Gaqo Gogo, Anton Mazreku, Ilia Daliu, Anastas Shundi, dr.Naim Vreto, Nikolla Verbica, dr.Stefan Shundi, Llazar Miha, Kleanthi Prosi, Jorgji Koja, Muhamed Halili, Hajdar Jakupi, prof. Avni Zajmi, Selman Stërmasi, Anastas Koja….

topat-fshf-superiore

Shumica universitarë e intelektualë të mëdhenj të Shqipërisë. I përmenda kështu, sepse emrat e tyre të paharrueshëm më nxisin të pyes: Sa intelektualë të shquar të sportit të sotëm shqiptar janë pjesëtarë, veprimtarë, ministrorë, olimpikas, punëtorë të përhapjes dhe drejtimit të vlerave të vërteta sportive? Por, le t’i kthehemi situatës sonë të tashme, që vjen gati një shekull mbas shoqatës së dr. Samimit.

Dhe lind pyetja tjetër konkrete: A me të vërtetë FSHF do të guxojë të organizojë përsëri edhe kampionatin 2021-‘22 me vetëm 10 skuadra, një pjesë e mirë e të cilave (e për këtë u duhen respektuar arritjet) janë vetëm kryesisht të qyteteve të vegjël, madje edhe qyteza? A vërtet do të heshtë ministria përkatëse, Këshilli Kombëtar i Sporteve, KOKSH, qeveria, bashkitë, futbollnjohësit e shquar, publiku?

E pra, vështirë që të mund të guxohet ende e të organizohet kështu ky kampionat. Dhe vështroni tash se çka është ai: Për ta shpjeguar këtë na u desh të shkojmë e të studiojmë paksa ndarjen administrative të Republikës së Shqipërisë. Dhe mësuam se 6 skuadra nga 10 me të cilat FSHF don të organizojë kampionatin kombëtar të Shqipërisë 2021-‘22, u përkasin vetëm dy qarqeve (prefekturave): atij të Tiranës dhe atij të Durrësit. Tek janë:

Qarku Tiranë:

SK TIRANA e Tiranës, PARTIZANI i Tiranës, DINAMO e Tiranës, EGNATIA e Rrogozhinës.

Qarku Durrës:

TEUTA e Durrësit, KASTRIOTI i Krujës.

Kjo do të thotë se 60 për qind të skuadrave pjesëmarrëse janë brenda vetëm dy qarqeve (prefekturave) ose, më saktë, të një qerthulli brenda të cilit këto 6 skuadra nga 10 gjithsej, nuk janë më tepër se nja 30-40 km larg njëratjetrës!…

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë. Kështu, këtë kampionat mund ta quajmë pa frikë një kampionat “topografikisht” thuajse lokal, pra jo “kombëtar” në kuptimin e mirëfilltë gjeopolitik dhe shpirtëror njëkohësisht.

Pjesa tjetër i mbetet këtij 40-përqindëshi:

Qarku Shkodër:

VLLAZNIA e Shkodrës.

Qarku i Korçës:

SKËNDERBEU i Korçës.

Qarku i Lezhës:

KF LAÇI i Laçit.

Qarku i Kukësit:

KF KUKËSI i Kukësit.

Pa harruar se skuadra e Kukësit ka jetuar gjithnjë në Tiranë dhe në Kukës vetëm sa shkonte një herë në dy javë për të zhvilluar ndeshjen e radhës. Edhe kjo ngjet vetëm në Shqipëri. Vetëm para nja 15 vjetëve, në kampionatin 2005-‘06, kemi përjetuar 30 për qind të skuadrave nga kryeqyteti. Kur ishte pra treshja SK Tirana – Partizani – Dinamo.

Por shih cilat ishin të tjerat: ishin Vllaznia e Shkodrës, Teuta e Durrësit, KS Elbasani, Besa e Kavajës, Skënderbeu i Korçës apo KS Lushnja. Dhe e kujtoni se cila e fitoi titullin kampion. E fitoi skuadra e Elbasanit, qytet tradicional sa i sportit po aq dhe i futbollit, i cili sot ka stadiumin më modern europian, ndërsa skuadrën e ka në Kategorinë III.

Deri këtu i keni braktisur skuadrat e shquara të Shqipërisë me organizimet tuaja të dështuara, Qofsha i gabuar, por, përveç të tjerave, po të lejohen që të organizojnë këtë kampionat me 30 për qind të skuadrave nga Tirana apo me 60 për qind të skuadrave vetëm nga dy prefektura, them se qysh tash dihet kush e fiton.

Doemos një skuadër kryeqytetase. Kjo, jo vetëm për numrin e pabarabartë me shtatë të tjerat të ndeshjeve në fushën e tyre, por edhe ngaqë dihet se të ashtuquajturat “aleanca” – përcaktim i urryer ky për “Fair Play”-n sportiv – do të bëjnë ligjin në këtë hartë “lokale” të kampionatit të “Shqipërisë së Mesme”.

Kështu, përderisa Jugu i Shqipërisë me në krye Flamurtarin e Vlorës, Luftëtarin e Gjirokastrës – të cilëve nëse më lejohet, po u shtoj edhe atë që ruan “kufirin” e lumit Shkumbin, që është skuadra e Elbasanit – të tre në Kategorinë III, ky Jug pra, është flakur tej pa mëshirë e dhimbje. E gjitha kjo them se nuk mund të jetë punë shoqatash, por punë qeveritare e shtetërore, urgjente madje, nëse vërtet e dimë mirë se çka është një kampionat kombëtar futbolli për një popull europian. Sigurisht, nëse vërtet edhe populli ynë është europian.

E, ndërkaq, rreth e rrotull mbetet një pyetje – enigmë që tash 10 vjet nuk mori përgjigje: Përse kanë kaq dëshirë arrogante a kryeneçe ta organizojnë kampionatin e Shqipërisë me vetëm 10 skuadra? Këtë, ndonëse do të mundohemi, e kuptojmë se nuk e kemi fort të lehtë për ta zbuluar. Sidoqoftë, tema jonë, që për futbollin shqiptar mbetet sa e papranueshme dhe po aq tronditëse, nuk do të ndalojë këtu…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"