Operoi gjurin dhe u rikthye pas 2 muajsh, Dunga: Skuadra tani po luan me zemër, pres me padurim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 12:17

Operoi gjurin dhe u rikthye pas 2 muajsh, Dunga: Skuadra tani po luan me zemër, pres me padurim…

Ismael Dunga humbi dy ndeshjet e fundit të dhjetorit për shkak të një dëmtimi në gju, për të cilin kreu edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Sulmuesi është rikthyer dje në qendrën stërvitore, teksa ka qëndruar jashtë fushave për më se dy muaj. Nën kujdesin e stafit mjekësor dhe stafit të trajnerit Egbo, Dunga ka nisur që të bëjë ushtrimet e para fizike dhe ato me top për të rigjetur formën e tij më të mirë në mënyrë që të rikthehet të jetë i gatshëm për skuadrën. Ditën e parë të rikthimit, pikërisht në ditëlindjen e 27-të, për “Panorama Sport”, lojtari i bardhebluve tregon periudhën e riaftësimit dhe si e ka gjetur ekipin në drejtimin e Egbosë.

dunga ne stervitje (1)

Dëmtimi 

Sulmuesi tregon periudhën për të cilën iu desh të qëndronte jashtë. “Ishte e vështirë, pasi për një futbollist mungesa e fushës është domethënëse. Megjithatë, pjesa që më lehtësonte gjithçka, ishte fakti që bëhej fjalë për një dëmtim në gjysmën e parë të sezonit dhe që kisha mundësi të rikthehesha për finalen e tij”, shprehet Dunga.

Rikuperimi 

Lojtari, që prej 16 dhjetorit kur i është dashur të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale, ka kryer edhe terapinë rikuperuese dhe tanimë po bën pjesën e fundit të ushtrimeve graduale me top, derisa të jetë në dispozicion të trajnerit. “Po pres më shumë dëshirë që të jem i gatshëm për të luajtur. Kam ndjekur programin që më është dhënë dhe tani do të punoj shumë që të rifitoj formën më të mirë”, vijon ai.

dunga (1)

Ekipi dhe Egbo 

Dunga është fjalëpakë, por lojtari tregon se çfarë ndryshon te Tirana, pasi ai është dëmtuar në periudhën kur klubi po kalonte situata të vështira, ndërsa tani është në krye. “Skuadra tani po luan me zemër. Ka bërë ndeshje të mira dhe kur e bën diçka të tillë, vijnë edhe rezultatet. Unë shpresoj shumë që të mbajë këto ritme deri në fund”, është shprehur 27-vjeçari.

Sulmi 

Në tetë ndeshje aktivizim në kampionat, sulmuesi ka shënuar tre gola. Mirëpo, edhe pse e gjen pjesën tjetër të sulmuesve në formë, Dunga shprehet optimist. “Unë kam dëshirë që të rikuperohem sa më shpejt që të jem në dispozicion të ekipit. Kur shënojnë disa sulmues, kjo është diçka e mirë që i shërben skuadrës, ndaj nuk shoh se do ta kem problem këtë pjesë”, ka deklaruar Dunga për gazetën.

/PANORAMASPORT.AL/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"