Operohet Basha, humb miqësoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2014 | 18:31

Operohet Basha, humb miqësoret

Migjen-BashaMigjen Basha nuk do të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare për tri miqësoret e radhës, ndaj Rumanisë, Hungarisë dhe San Marinos. Mesfushori i Torinos do të operohet të premten në Gjermani në këmbën e majtë, ndaj do të mungojë për disa kohë, derisa të rikuperohet plotësisht. Lajmi është bërë i ditur nga vetë lojtari, në një prononcim dhënë dje në mbrëmje mediave kosovare (ekspres). “Nesër (sot) do të operoj këmbën e majtë. Gjatë sezonit kam pasur disa probleme me këtë këmbë, dhe pas rezonancës që kam bërë në Gjermani mjekët më kanë thënë që duhet të operohem. Fatkeqësisht, pas këtij operimi, nuk do të mund të grumbullohem me Kombëtaren shqiptare për tri ndeshjet miqësore”, ka pohuar Migjen Basha. Mesfushori ka kaluar një sezon të mirë me Torinon në Serinë A dhe pavarësisht dhimbjeve në këmbë ai ka 24 ndeshje në elitën e futbollit italian. “Jam shumë i lumtur me sezonin e kaluar. Por, mos të kisha probleme me këmbën, do të ishte edhe më mirë, pasi do të luaja edhe më shumë. Pas operimit synoj të rikthehem edhe më i fortë”, ka theksuar lojtari i ekipit tonë përfaqësues. Basha ka kontratë me Torinon deri në verën e vitit 2015, teksa gjatë kësaj vere do të vendosë nëse do të vazhdojë me këtë skuadër apo do të transferohet në ndonjë klub tjetër. Sakaq, kujtojmë se trajneri i Kombëtares Xhani De Biazi nuk do të ketë të gatshëm për miqësoret as sulmuesin Armando Sadiku, i cili dëmtoi para pak ditësh ligamentet e gjurit, si dhe mesfushorin e Karpit, Ledian Memushaj. Edhe ky pati po të njëjtin problem. Në “pit-stop” mbetet ende Burim Kukeli, i cili aktivizohet pikërisht në pozicionin e Migjen Bashës. Gjithsesi kjo nuk duhet të përbëjë problem për teknikun italian, pasi ka një mesfushë të mbipopulluar ku nuk mungojnë zgjedhjet.

lorik cana4Cana ikën nga Lacio nëse qëndron Reja
Në pamje të parë duket një sezon i dështuar, edhe pse për të konfirmuar këtë gjë duhet pritur edhe java e fundit. Lacio është larg pjesëmarrjes në Ligën e Europës, për këtë arsye, në klub pritet të ketë një revolucion, si sa i përket largimeve, natyrisht edhe afrimeve. Në thuajse të gjitha repartet do të ketë lëvizje, të cilat do të prekin edhe Lorik Canën. Sipas mediave italiane (Corriere dello sport), konfirmimi i trajnerit aktual, Edi Reja në krye të skuadrës do të sillte largimin e Canës, kjo, më së pari, se mes tyre nuk ka pasur thuajse asnjëherë një lidhje të qëndrueshme profesionale, dhe për më tepër, shqiptari nuk llogaritet si titullar në skuadrën e Rejas. Loriku mund të rikthehet tek Olimpik Marseja në Francë, aty ku kaloi periudhën më të mirë të karrierës së tij nga 2005-a deri në 2009-n. “Cana joshet vazhdimisht nga Marseja, klub që mund të paguajë 4 milionë euro për kartonin e tij”, shkruan, ndër të tjera, media italiane.

MavrajMavraj intrigë merkatoje, por s’ka ende zyrtarizim
Mërgim Mavraj mbetet në qendër të vëmendjes së mediave gjermane. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare është nën lupën e disa klubeve, por, sipas “ligazëei.de”, shqiptari nuk ka vendosur ende përfundimisht nëse do qëndrojë te Grojther Fyrthi apo do të largohet. Nga njëra anë, është Këlni, klub ky që sapo është ngjitur në elitën e futbollit gjerman, drejtuesit e të cilit e bëjnë fakt të kryer afrimin e mbrojtësit te skuadra e tyre, teksa, nga ana tjetër, është St.Pauli, që këmbëngul me një ofertë goxha të mirë. Gjithsesi, Mavraj kërkon me çdo kusht që të luajë në elitën e futbollit gjerman, ndaj edhe opsioni i dytë duket pak i besueshëm. Në rast të një ngjitjeje në Bundesligën e Parë të Grojter Fyrthit, me shumë gjasa, Mavraj do ta rinovojë kontratën, e cila skadon më 30 qershor të këtij viti. Në të kundërt, ai do largohet në një skuadër tjetër, pse jo edhe jashtë Gjermanisë. Në plan të parë mbetet Lacio. Drejtori sportiv, Igli Tare, nuk i ka kursyer elozhet për Mavrajn, pavarësisht se ka pohuar se Lacios s’i intereson një lojtar si ai. Mbetet për t’u verifikuar më së pari nëse Fyrthi do të ngjitet në elitë dhe nëse Këlni apo ndonjë klub tjetër në Gjermani do të ofrojnë një kontratë më të mirë financiare.

Edgar Cani te BariÇani: Goli më zhbllokoi, ia dedikoj… Elenës
Edgar Çani kishte tetë muaj që nuk shënonte në Serinë B në Itali, por të martën arriti që t’i japë fitoren skuadrës së tij, Bari ndaj ish-ekipit, Karpit. Natyrisht që kjo e ka lumturuar sulmuesin kuqezi, i cili ka treguar dje emocionet e atij goli. “Ia dedikova golin të fejuarës sime, Elenës, e cila më ka qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe tejet të vështirë për mua. Bëmë një ndeshje të madhe kundër Karpit dhe tani duam që të fitojmë edhe ndaj Çitadelës për të ëndërruar edhe më shumë. E dimë se do kemi përpara një skuadër shumë të mirë dhe të organizuar. Do të nevojitet Bari më i mirë për të fituar, por unë mendoj se nëse do të vendosim ekuilibrat e duhur në fushën e lojës dhe do të shfrytëzojmë në maksimum rastet, atëherë do të dalim me pikë të plota edhe nga kjo përballje”.

“Luaj me Shqipërinë e Kosovën”
Qendërmbrojtësi kosovar i Helsingborgut në Suedi, Loret Sadiku ka konfirmuar në një intervistë për mediat e atij vendi (Sportbladet.se), se dëshiron që të mbrojë, për aq sa të mundet, si ngjyrat e Kosovës edhe të Shqipërisë. “Luajta me Kosovën dhe ishte një emocion i paparë, të gjithë flisnin për ndeshjen dhe kjo më dha shumë moral. Por unë do të dëshiroja që të luaja edhe për Shqipërinë, duke qenë se për momentin mund t’i vesh pa problem që të dyja fanellat. Në fund të fundit është i njëjti komb”, – pohoi Sadiku.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"