Operacioni në këmbë, Cetkoviç: Rikthehem në nëntor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2015 | 20:01

Operacioni në këmbë, Cetkoviç: Rikthehem në nëntor

cetkovicMarko Cetkoviç ka qenë një nga protagonistët e edicionit të kaluar për Laçin. Në finalen e fundsezonit me Kukësin, malazezi u aktivizua duke u sforcuar jo pak, në mënyrë që skuadra të mbërrinte sa më lehtë te trofeu. Megjithatë, dëmtimi i mesfushorit bardhezi u komplikua më tej, duke bërë që futbollisti në fjalë të mos shmangte dot ndërhyrjen kirurgjikale. Të dhënat e para rezultojnë se Cetkoviç ka dalë me sukses nga ky operacion në këmbë, ndërkohë që stafi mjekësor i ka rekomanduar pushim absolut për një kohë të pacaktuar.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, futbollisti ka deklaruar me shumë mundësi se do të rikthehet në fushën e blertë në javën e parë të muajit nëntor.

“Ishte një ndërhyrje e pashmangshme. Në pjesën e fundit të kampionatit të kaluar kam ndjerë mjaft dhimbje. Përtej terapive të ndryshme është dashur ndërhyrja kirurgjikale si e vetmja alternativë për të shmangur këtë problem shëndetësor”, tha Cetkoviç. Në vijim lojtari shtoi se për momentin është në kontakt të vazhdueshëm me skuadrën. Gjithashtu, mesfushori shprehu keqardhjen që nuk ka mundur të jetë pjesë e grupit në fazën përgatitore.

“Klubi i Laçit zgjodhi një klinikë në Zagreb për të riaftësuar disa nga futbollistët e tij. Jo vetëm unë, por edhe Zefi pati shërbime bashkëkohore të kësaj qendre spitalore në shtetin kroat. Ndihem mirë dhe jam i bindur se shumë shpejt do të vijë dita kur unë të zbres në fushë e të rinis përgatitjet individuale. Me Laçin mbaj kontakte të vazhdueshme. Jam në dijeni që skuadra është drejtuar në Maqedoni, aty ku shokët e mi do të stërviten për një periudhë 10-ditore. Më vjen keq që nuk mund të jem pjesë e grupit këto ditë. Sigurisht që Laçi dhe drejtuesit e tij do të dinë të sillen si profesionistë, ndërsa në eventet zyrtare do ta thonë fjalën e tyre”, e mbylli deklaratën e tij mesfushori malazez i Laçit. Isuf Myrtaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"