“Operacioni fshesa” te Tirana, shikoni 11 lojtarët me valixhe në duar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 23:25

“Operacioni fshesa” te Tirana, shikoni 11 lojtarët me valixhe në duar

Tirana do të zhvillojë një tjetër spastrim të madh në ekip. Janë të paktën 11 lojtarë që do të largohen nga skuadra apo janë me valixhe në duar. Skuadra do të ketë një ndryshim rrënjësor në prag të Champions Leagues dhe sezonit të ri. Në fakt, te bardheblutë janë afruar tre lojtarë, është edhe një i katërt që do të jetë shumë shpejt në ekip. Gjithsesi, ekipi kampion do të shkërmoqet. Rrezikojnë të largohen disa lojtarë që kanë dhënë shumë për skuadrën.

Tirana festa e golit ne derbi

Nga ana që do të ikin janë lojtarë me emër, dhe nga ata që nuk kanë luajtur pothuajse fare në këtë sezon. Gjithsesi, të premten do të vendoset përfundimisht se çfarë do të ndodhë. Fakt është që trajneri Emanuel Egbo ka vendosur se cilët do të rrinë dhe cilët do të largohen.

GJENDJA – Ky titull bardheblutë i gjen në një situatë me më shumë se gjysmën e skuadrës pa marrëveshje. Më saktë, janë më shumë se dhjetë lojtarë që nuk kanë marrëveshje. Në skuadër janë disa senatorë që nuk kanë një kontratë për sezonin e ri. Duke filluar nga Tefik Osmani, Kristi Vangjeli, Erando Karabeci, Edon Hasani, Majkëll Ngo, Idriz Batha e deri te Erjon Hoxhallari, janë të gjithë në pikëpyetje për sezonin e ri. Mësohet se disa prej lojtarëve me shumë gjasa ose nuk do t’u ofrohet marrëveshje e re, ose do të jenë vetë futbollistët që nuk do të pranojnë marrëveshjen.

Dy të tjerë, Ilion Lika dhe Gentian Muça, kanë marrëveshje të veçantë me presidentin dhe qëndrimi i tyre varet drejtpërdrejt nga Refik Halili, ose nga planet e tyre për të ardhmen e afërt që mund të jetë larg bardhebluve. Majkëll Ngo kërkon shumë para për të qenë në skuadër. Skuadra do të vuajë largimet e Ernest Muçit, i cili mund të shitet jashtë Shqipërisë, ndërsa Albi Doka ka mbyllur aventurën me ekipin e Tiranës.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"