“Operacioni fshesa” te Flamurtari, zbulohet se kush do të largohet. Lojtari fal rrogat e një sezoni e gjysmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2020 | 8:58

“Operacioni fshesa” te Flamurtari, zbulohet se kush do të largohet. Lojtari fal rrogat e një sezoni e gjysmë

Largime në masë nga Flamurtari. Klubi vlonjat, nëpërmjet një deklarate për shtyp, komunikoi dje ndryshime rrënjësore në ekip pas emërimit në krye të stolit të brazilianit Marcelo Troisi. Veç largimeve do të ketë edhe shumë afrime. Futbollistët që do të vijnë kanë pëlqimin e trajnerit brazilian dhe janë një zgjedhje e tij. Drejtuesit kanë vendosur të ndërpresin kontratën me disa futbollistë, për shkak se janë paraqitur jashtë pritshmërive, sipas njoftimit zyrtar. 

Flamurtari2

Flamurtari njofton se emrat e futbollistëve do të publikohen në një njoftim të dytë dhe po punohet fuqishëm për përforcimin e ekipit në këtë merkato. “Në mbyllje të pjesës së parë të sezonit futbollistik 2019-2020 dhe objektivave të klubit Flamurtari Footboll Club, duke marrë shkak nga rezultatet, pritshmëritë në fushë dhe performancës së lojtarëve të cilët janë pjesë e klubit, Flamurtari FC vendos ndërprerjen e kontratës me disa futbollistë, të cilët do të bëhen publikë në një komunikim të dytë. Flamurtari FC vijon punën pa ndërprerje për përforcimin e skuadrës, riorganizimin dhe hyrjen fuqishëm në merkato për arritjen e objektivave në këtë sezon futbollistik. Flamurtari FC konfirmon se do të vijohet me përkushtim dhe pa ndërprerje për të përforcuar skuadrën me elementë cilësorë, duke përmbushur të gjitha detyrimet, por edhe për të konfirmuar se skuadra do të jetë ajo që kërkojnë objektivat e vetë klubit, por edhe të sportdashësve të shumtë vlonjatë”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.

LARGIMET

Drejtuesit e Flamurtarit kanë bërë një listë me emrat e futbollistëve që do të largohen. “Panorama Sport” ka zbuluar listën e skarcimeve, edhe pse klubi nuk e ka bërë ende të njohur publikisht. “Fshesa” do të kapë lojtarët shkodranë. Me përjashtim të Xhevahir Sukajt, pritet që të gjithë të tjerët të ikin. Kështu, Denis Pjeshka, Osli Gocaj, Ansi Nika, Jurgen Vrapi, Jurgen Vatnikaj mësohet, sipas burimeve pranë klubit, se janë në listën e zezë. Po ashtu, në listën e largimeve nuk përjashtohet as Kreshnik Nebihu.

partizani flamurtari1

Por, për kosovarin deri më tani drejtuesit nuk kanë një qëndrim të qartë. Largimeve nuk u shpëtojnë as vlonjatët. Burime zyrtare pranë klubit kanë konfirmuar dje për gazetën se në listën e të larguarve janë edhe Shaqir Haruni, Gersi Diamanti dhe Mateo Qarri. Por, për këta dy lojtarë nuk është vënë ende vetoja, drejtuesit nuk u kanë dhënë letrat dhe janë duke u menduar, pasi edhe mund të ndryshojnë qëndrim

DELIAJ 

Vlonjati Fjoralb Deliaj ka tërhequr dje letrat duke u ndarë me konsensus me Flamurtarin. 22-vjeçari ka qenë pjesë e Flamurtarit në sezonin 2014-2015, ndërsa u rikthye në sezonin 2017-2018 kur ekipi drejtohej nga Shpëtim Duro. Sezonin e shkuar, kur Flamurtari drejtohej nga Daja, por edhe në gjysmën e këtij sezoni, mbrojtësi Deliaj ka qenë një nga titullarët kryesorë të ekipit.

deliaj

Për “Panorama Sport”, Fjoralb Deliaj ka konfirmuar dje largimin nga Flamurtari. “Nuk jam më pjesë e Flamurtarit. Jam larguar me konsensus dhe tërhoqa letrat. Kam dhënë maksimumin për Flamurtarin, i uroj suksese klubit. Largohem për të provuar një aventurë të re”, përfundon Deliaj, i cili, sipas të gjitha gjasave, mund të transferohet në një klub në Maqedoninë e Veriut. Gazeta mëson se Deliaj përpara se të largohej, kërkoi pagat e prapambetura. Pasi nuk iu shlyen nga klubi, kërkoi letrat dhe u detyrua të falte rrogat. Dhe nuk janë pak, por një sezon i tërë (2018- 2019), si dhe tri paga që i përkasin sezonit aktual.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"