Omari, Singeri, Ljukshinovi, Kempesi… trajnerët e huaj në klubet shqiptare (PJESA II)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2022 | 19:06

Omari, Singeri, Ljukshinovi, Kempesi… trajnerët e huaj në klubet shqiptare (PJESA II)

NGA BESNIK DIZDARI
I dyti në tërësi është SAMO SINGER
Prof. Besim Qorri, një nga organizatorët dhe profesorët më të mirënjohur të sportit shqiptar, shkruante në gazetën “Besa” të viteve ‘30:

Besnik-Dizdari

“Qeveria Mbretnore po ban çdo sakrificë, tue harxhuem shuma të konsiderueshme për me ngrijtun sportin shqiptar në shkallën që meriton. Le të kuptojmë pra ma mirë qëllimin e sportit dhe le të mundohemi të nxjerrim nga ky jo vetëm të mirat fizike; por dhe ato morale mbasi vetëm atëherë mund të mburremi se kemi formuem nji djelmni të përsosur dhe kompakte, me vullnet të fortë, me shpirt inisiator për punë të mirë dhe sy të patrembun përpara rrezikut që damton interesat e nalta t’Atdheut t’onë të shtrenjtë”.

Dukej qartë që shteti po e vlerësonte gjithnjë e më fort sportin, kur dihej tashmâ se kampionati i kombëtar i futbollit ishte epiqendra e gjithë një lëvizjeje sportive që sa vinte e zgjerohej. Jemi në 1934. Ky është viti i kampionatit të 5-të kombëtar të Shqipërisë. I paraprin një ndeshje miqësore Skënderbeu – SK Tirana 2-1 ku ajo që duhet veçuar ishte dukja e një lojtari të ri 18-vjeçar i quajtur Riza Lushta, shqiptar i Kosovës nga Mitrovica, emri i të cilit do të sundonte të gjitha kampionatet që do të vinin më mbas.

Befasia më e madhe është se SK Tirana paraqitet në këtë kampionat me një trajner të huaj, hungarezin nga Greqia, Samo Singer, i cili do ta marrë sportklub Tiranën duke organizuar para së gjithash stërvitje të rregullta brenda javës nga ndeshja në ndeshje. Ndërkaq, dr. Stefan Shundi, komisar teknik i jashtëzakonshëm, i caktuar nga federata për SK Tiranën dhe sekretari i përgjithshëm të shoqërisë SK Tirana, Selman Stërmasi, njëkohësisht dhe lojtar i saj, cilësohen si dy njerëzit të cilët arritën që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit t’i siguronin edhe një rrogë mujore trajnerit Singer.

* 5 mars 1936. Trajneri Samo Singer në ditën e ndeshjes themeluese të Kombëtares së Shqipërisë.

* 5 mars 1936.
Trajneri Samo
Singer në ditën
e ndeshjes
themeluese të
Kombëtares së
Shqipërisë.

Kampionati i 5-të kombëtar që ishte gati për të filluar, ka 7 skuadra pjesëmarrëse: SK Tirana, Skënderbeu, Bashkimi Shkodran, Teuta, SK Kavaja, Elbasani, Vlora. Këto tri të fundit sot i “kemi zhdukur” në Kategorinë e Dytë dhe të Tretë! Tradita e madhe nëntokë!

Fillimi sensacional i kampionatit 1934 është ndeshja SK Tirana – Teuta 9-0! Është një ditë e bukur pranvere, plot diell dhe një erë e freskët flladit gjithë mjedisin e Shallvares të mbushur nga shikuesit e shumtë. Skeda e ndeshjes është kjo:

SK TIRANA: Rudolf Gurashi, Sabit Çoku, Foto Janku, Bik Jakova, Adem Karapici, Hasan Maluçi, Selman Stërmasi, Maliq Petrela, Haki Korça, Mark Gurashi, Halim Begeja.
TEUTA: Ilia Doraci, Kristaq Pisha, Nikolla Tirana, Ilia Beligradi, Nimet Tartari, Latif Sela, Adem Milla, Jorgji Zaguridhi, Nani (Jani) Sallata, Tom Gjiri, Anastas Moisiu.
GOLAT: M.Gurashi 5’, 10’, 35’, 36’, Petrela 22’, H.Korça 65, Petrela 80’
GJYQTAR: Ndoc Gera.

Çka ishte ky fillim? Ndoshta duhet gjetur e gjithë e keqja e Teutës te mungesa e portierit Niko Dovana, por më fort tek organizimi i shkëlqyer i lojës të SK Tiranës nga trajneri Singer. Ndoshta te të dyja këto, megjithatë.

Por, ajo tjetër çka të bën përshtypje është se sulmuesi Mark Gurashi, vëlla i portierit Rudolf Gurashi, shpërthen me 4 gola. Dhe sot, 23 vjet mbas botimit të librit “Historia e Kampionateve të viteve ‘30″, më duhet të bëj një ndreqje gabimi, errata corrige, siç thuhet, mjaft interesante. Në libër kam shënuar se kryeshënuesi i kampionatit është ky Mark Gurash me 12 gola. Por paskam pasur “përulësinë” profesionale teksa kam shkruar se “Gurashi duhet të ketë shënuar më shumë gola”. Sot, gjej saktësinë e shënimit prej tij, jo 12, por të plot 24 golave! Ky “zbulim” meriton një shkrim të veçantë për më vonë, sepse të shënosh 24 gola nga 54 që ka shënuar gjithsej kampionia SK Tirana, përbën një nga rekordet më të rralla të të gjitha kampionateve të Shqipërisë, pra thuajse gjysmën e golave të saj. Një rekord që nuk po i hyj këtu të përimtoj, që pak a shumë në raport matematikor mund t’i afrohej vetëm Refik Resmja i vitit 1951 me 59 gola të shënuar prej tij nga 136 të Partizanit. Tash ia arrita të zotëroj skedat e ndeshjeve të 24 golave të Rudolf Gurashit. Për shembull, 4 gola Vlorës (në 8-0) e prapë 4 gola Durrësit (në 6-3).

Nuk është qëllimi ynë këtu që ta ripërshkruajmë hap mbas hapi këtë kampionat, por të përshkohemi tek arritja e trajnerit hungarez Samo Singer. Ndonëse nuk mund të rri pa rikujtuar se në ndeshjen e fituar 8-0 nga SK Tirana ndaj Vlorës, regjistrohet goli i parë i Riza Lushtës, 18-vjeçarit nga Mitrovica, të cilin trajneri Singer e vë titullar të padiskutueshëm, duke u bërë pra, trajneri i parë që “hodhi firmën” në përfshirjen për herë të parë në futboll kampional, të Lushtës legjendar të sportklub Tiranës apo të Juventusit të Torinos.

Në mbarim të fazës së parë të kampionatit, SK Tirana dhe Skënderbeu janë krejt pranë njëra-tjetrës: SK Tirana 12 pikë, Skënderbeu 10. Dueti Tiranë – Korçë vazhdon të interpretojë i vetëm. Duet që mbërrin thuajse i sinkronizuar në melodinë e tij te 1 korriku 1934 kur titulli i kampionit tashmâ po trokiste në derë.

Dhe hyjmë në stinën e finaleve të parakohshme. Është “finalja” SK Tirana – Skënderbeu në Fushën e Shallvares. Për çudi, është një ditë vere që shndërrohet në vjeshtë. Shi, baltë, terren i papraktikueshëm. Megjithatë, 2000-2500 shikues presin në ankth. Dhe nis tradita e ekzekutimit të Himnit Kombëtar para ndeshjes nën tingujt muzikorë të bandës, i kënduar prej lojtarëve dhe popullit. Ndeshja ndërkohë, ka tonet e finales së madhe. Shënon Samsuri i pari në të 4’ pas një gjuajtjeje të papritshme nga 20 metra larg, barazon mbas 5 minutash Mark Gurashi me 11-metërsh dhe po ky në të 25’ po me 11-metërsh. Dhe? Në të 76’ Samsuri nxjerr nga arkivi i tij i pashtershëm golin e barazimit. 2-2 në ndeshjen e parë të lëkundur të SK Tiranës. Mbetet gjithnjë 2 pikë largësia.

Dr. Vasfi Samimi shkruan kështu për këtë ndeshje vendimtare në gazetën “Vatra”:

“Kuqalashët si një flakë i kanë dalë përpara kandidates kampione të vitit 1934 e kanë luejtë me te tue e ba si vegël. Në kët lojë skuadra e Tiranës ka qenë si një boksjer i shkatërruem dhe i mundun me knock-out. At ditë spektatorët besonin se zotësija e tiranasve në foot-ball kishte humb mbrenda 24 orësh e fluturue n’erë. Me lojën e keqe që Tirana ka zhvillue at ditë ka mohue të gjith triumfet qi ka korrë, e para Korçës u dukte si Elbasani e Vlona para sajë, kurse kuqaloshët dominonin fushën tue ia kalue topin shoqi – shoqit me lehtësi, dhe të matun të gjithë sulmet i kanë koncentrue në drejtim të portës së Tiranës tue ndezë kështu në çdo minutë nji zjarr të rrezikshëm para portës kandidate për kampionat. Në kët ditë të zezë të Sport-klubit, një fat i çuditshëm si një dorë e mshefët ka shpëtue të gjithë rreziqet prej shtyllave të bardha tue pasë mëshirë për skuadrën e dobët e të shkatërrueme”.

Megjithatë, “knockout”-i për të cilin përcakton plot stil dr. Samimi, në të vërtetë ishte lënë për mbas 7 ditëve, më 8 korrik, po në Shallvare. Do të ishte ndeshja SK Tirana – Bashkimi Shkodran (Vllaznia e sotme). Një Bashkim me 5-6 emra të rinj dhe një Tiranë me 11-shin e saj të mrekullueshëm. Kronika e kësaj ndeshjeje që do të ishte humbja e parë e SK Tiranës, madje para publikut të vet, thotë se gjithçka nisi me gjuajtjen e bukur të Gurashit të pritur me aftësi prej Ibrahim Dizdarit i cili do të bëhej, përveç të tjerave, rekordmeni i Shqipërisë në kërcimin me shkop, rekord që do të thyhej vetëm andej kah viti 1957. SK Tirana ka erën në krah dhe gjithnjë dueli Dizdari – Gurashi. Epërsia është e vendasve dhe zbritjet shkodrane të rralla. Ndërkaq, Maluçi humbet një tjetër rast. Bombardon Korça, bombardon Gurashi, thotë kronika e kohës, por Dizdari vetëm pret falë kërcimeve të tij karakteristike. Dhe arrin minuta fatthënë e 30-të e 1-0 për Bashkimin. Shënon Myzafer Pipa (vëlla i shkrimtarit e studiuesit tonë të madh Arshi Pipa) – ai që do të bëhej një jurist historik për Shqipërinë, i pushkatuar nga regjimi komunist në vitet ‘40. Shkodra kërkon vetëm të ruajë rezultatin, Tirana të paktën barazimin. Nuk ia arrin, madje një gjuajtje goli të Dervishit e ndal vetëm aftësia e portierit Rudolf Gurashi. 1-0 për shkodranët nuk ndryshon edhe pse Lushta i ri zhvillon një nga ndeshjet e tij më të rralla. 800 tifozë të ardhur nga Shkodra festojnë nga Shallvarja deri në zemrën e rrugëve kryesore të kryeqytetit. Kjo nuk ishte parë ndonjëherë.

Kur e ka lënë Shallvaren atë muzg të 8 korrikut 1934, SK Tirana ka ndier për herë të parë pikëpyetjen për titullin. Trajneri Samo Singer çuditet fort, ul kryet e nis e mediton për një rënie të pashpjegueshme të punës së tij… Por fati e ka dashur që Skënderbeu të mos shkojë më tej se 0-0 në Korçë me SK Kavajën. “Katastrofë!”, – e përcakton këtë ndeshje “Gazeta e Korçës”. Dhe SK Tirana që ngushëllohet duke mbetur në krye, veçse tejet e lëkundur, teksa ndien se fati i saj është në duart e të tjerëve. Më 15 korrik në javën e parafundit, ajo është spektatore sepse e ka pushim. Çon vëzhguesit e saj në Fushën e Vjetër të Shkodrës ku është ndeshja delikate Bashkimi Shkodran – Skënderbeu. Shkruan dr. Samimi te “Vatra”:

“Çudinat ma të mëdha në Kampionatin e 5-të ia ka ba team-i i Shkodrës i cili ka hye në kampionat si një pehlivan i qetë e me kokë t’ultë, mirpo në fund tregoj të gjith energjin e musklave dhe ngriti ballin me djersë kundrejt diellit e si bombë plasi në fund të kampionatit tue mund Tiranën e në shtëpin e vet dhe Korçën që e kishte mysafire. Shkodra nuk ndjeu gëzimin e kampionatit por ka shijue fitimin kundrejt skuadrës kampione”.

Kështu pra, Bashkimi Shkodran – Skënderbeu 3-1! Ishte dita e madhe e sportklub Tiranës më tepër se e Shkodrës.

Ja dhe java e fundit. 14 korrik 1934. SK Tirana – SK Kavaja 4-0! Tashmë askush nuk mund ta përflasë më titullin kampion të SK Tiranës të trajnerit Samo Singer. Ndeshja me Kavajën, ndonëse konsiderohej e lehtë, e bën trajnerin Singer t’i kushtojë një vëmendje të veçantë duke kërkuar fitoren me çdo çmim. Për këtë ai bën edhe disa vendosje të reja në skuadër, ndryshim rolesh, gjë që përbënte një risi në kampionatin shqiptar. Mbi të gjitha ai shtyn Lushtën në vijën e sulmit duke e larguar nga ajo e mesit. Halim Begeja fiton më tepër hapësirë dhe ai bëhet një furnizues i çmueshëm topash për Korçën e Lushtën, ndërsa në vijën e mesit e sundon gjithçka Karrapici. Dhe 4-0, nga dy gola në çdo pjesë, Petrela e Lushta në të parën dhe Haki Korça (2) në të dytën.

Kur dëgjohet vërshëllima e mbarimit prej gjyqtarit Telemak Nushi, tifozët e sportklubit hyjnë në fushën e lojës dhe me kurora lulesh të përgatitura posaçërisht, mbulojnë të gjithë lojtarët kampionë. Më mbas, qindra tifozë së bashku me futbollistët, të prirë nga flamuri kombëtar dhe ai i klubit, vërshojnë rrugëve të kryeqytetit duke mos u ndërprerë kjo festë origjinale deri në orët e vona të natës.

Një ritual gëzimi i prirë si gjithmonë prej portierit Rudolf Gurashi i cili do të ishte shpirti dhe zemra e haresë së madhe të sportklub Tiranës. Ai Rudolf, futbollist e çiklist i shquar i Shqipërisë. Këngët e tij për të sotmen i ka risjellë muzikanti i shquar Agim Velaj e studiuesi i paharrueshëm Isa Alibali. E kujtoni këngën e mrekullueshme “S’ka ma të bukur se pranvera”, me fjalët e pashlyeshme: “S’ka ma t’ bukur se pranvera / Çilin lulet nji nga nji, / Ikin zogjët, lanë çerdhen, / Vijnë me g’zuemun përsëri”. Autori ka vetëm një emër: Rudolf Gurashi. Po dhe disa këngë të tjera ndër më të njohurat janë krijime të këtij portieri kampion. Nuk besoj se ka në botë një rast të tillë që një portier – kampion i madh i futbollit – të ketë kompozuar ndër këngët më popullore të kombit të tij. E regjimi thuajse e flaku tej. Kushedi sa herë më ka rregulluar edhe mua në vitet ‘70 biçikletën te njësia përballë kinema “17 Nëntorit” me duart e tij me mëngët e shpërvjelura të nxira prej grasos e vajit. Duar të arta profesionisti që kishin pritur sa e sa topa të fortë të kampionateve të Shqipërisë së viteve ‘30. Ndërsa atje përtej, në vijën e sulmit, i vëllai i tij, Marku, shënonte gola të pambarim… A i kemi nderuar sado pak Rudolf e Mark Gurashin?!…

Dhe shkojmë te 22 korriku 1934. SK Tirana është kampione për të 4-tën herë.

E mandej, komenti tjetër, i dr. Samimit, gjithnjë në gegërishten e tij elegante e plot figura, në gazetën “Vatra” që portretizon punën e trajnerit Samo Singer:

“Sport Klub Tirana, – shkruan dr. Samimi, – hyni në kampionat në formë të gatshme e pa fillue kalendari zyrtar kishte ba mjaft ndeshje e training serioz, të shpeshët në mes të javës. Tirana, tue qenë kryeqytet disponon nji numur të madh lojtarësh që kështu administratorët për formimin e nji skuadre të mirë e të fortë nuk kanë pasë vështirësina si ato të shoqnive të tjera. Shkaku i tretë ma me randësi asht ardhja e trajnerit ungarez, z. Singer, i cili me gjithë kohën e shkurtë, mungesën disiplinore e disa aksidenteve të tjerë qi kanë ngja n’administratën e Sportklubit, prapse prap ka qenë në gjëndje me i dhanë nji shpirt të ri skuadrës Blue – bardh. Skuadra e Tiranës këte vit nuk e mbante shumë topin në këmbë; nuk bante dribling të pakuptimtë e të pavlefshëm e nuk e prishte rrjedhën e lojës në drejtim të mirë në portën kundërshtare. Dobija e madhe e trajnerit ka qenë seleksionimi i mbrojtjes e të drejtave të disa lojtarëve të rinj, të cilët kanë luejt rrolin ma me randësi për fitimin e kampionatit. Përpos këtyre tri shkaqeve me randësi e disa të tjerave, Tirana ka hy në kampionat me një kondicion shumë favorabël dhe në fillim ka mundë, brenda e jashtë të gjitha skuadrat kundështare të mëdha e të vogla, me nji diferencë të madhe golash pa i lanë me marrë frymë”.

* 7 maj 1934. Kampionia SK Tirana duke u kthyer nga ndeshja e Korçës (2-0 me Skënderbeun) në kostumin civil (“in borgese”, siç thuhet) në një ndalesë në Lin të Pogradecit. I pesti në këmbë lart nga e majta, trajneri Samo Singer (Kjo foto e rrallë botohet nën kujdesin e Bektash Pojanit – autorit të parë të librit kushtuar sportklub Tiranës).

* 7 maj 1934. Kampionia SK Tirana duke u kthyer nga ndeshja e Korçës (2-0 me
Skënderbeun) në kostumin civil (“in borgese”, siç thuhet) në një ndalesë në Lin të
Pogradecit. I pesti në këmbë lart nga e majta, trajneri Samo Singer (Kjo foto e rrallë botohet
nën kujdesin e Bektash Pojanit – autorit të parë të librit kushtuar sportklub Tiranës).

Ky është përcaktimi analitik i dr. Samimit – më parë portieri i spikatur i Vlorës dhe SK Tiranës, një nga veprimtarët më të mëdhenj të sportit shqiptar të Paraluftës, një mendimtar i shquar, gazetar dhe organizator i mirënjohur, në këtë pasion të dytë të tij mbas blegtorisë së cilës i kushtoi jetën duke u shpërblyer si shumë intelektualë të këtij rangu me burgun e diktaturës.

Dhe kështu, SK Tirana 1934 është mbas Skënderbeut 1933, kampionia e parë shqiptare që njeh stërvitjet pak a shumë të kohës, e tejet të rregullta të javës falë trajnerit hungarez Singer. Duke u mbështetur te Rudolf Gurashi në portë e drejtuar me pjekuri prej kapitenit të saj Adem Karrapici e kapitenit tjetër shpirtëror Selman Stërmasi, duke pasur te Mark Gurashi një shënues tepër racional, me 24 golat e tij, duke gjetur një sinkronizim tejet interesant midis “veteranëve” Çoku, Maluçi, Begeja, Korça mënjanë dhe të rinjve Janku, Jakova, Petrela m’anë tjetër, duke prezantuar një 18-vjeçar të kalibrave europianë si Riza Lushta, kjo SK Tiranë 1934 pa dyshim ishte një nga kampionet më të spikatura të viteve ‘30. Ishte një kampione e një periudhe të re të futbollit të ri shqiptar, fuqizimit të tij, pa dyshim falë meritës së trajnerit hungarez Samo Singer.

Brenda dy viteve, 1933 dhe 1934, Shqipëria kishte pasur dy skuadra kampione me dy trajnerë të huaj: Qemal Omar i Skënderbeut dhe Samo Singer i sportklub Tiranës.

Nuk arrij të kuptoj, apo më mirë me thënë, përse më mbas nuk figuron trajner i SK Tiranës hungarezi Samo Singer. E them këtë sepse në kampionatet mbasardhëse, ato të viteve 1936 dhe 1937, trajneri është Selman Stërmasi.

E pra, Samo Singer është gjithnjë në Shqipëri. Madje, dy vjet më vonë, më 5 mars 1936, ai është trajneri që përzgjedh dhe nxjerr për herë të parë në fushën e lojës Kombëtaren e Shqipërisë përmes ndeshjes Kombëtarja A – Kombëtarja B 2-0. Kampioni i SK Tiranës, futbollisti, intelektual Haki Korça, më ka dhuruar në Toronto të Kanadasë ku jetonte prej vitesh, foton origjinale të kësaj Kombëtareje themeluese, e cila ka formuar mbulesën (kopertinën) e librit tim “Libri i Kombëtares”. Kjo foto unikale sot pa ia nda, bën xhiron e pafund të përmendjeve, të shkrimeve, të botimeve, prej plagjiatorëve e amatorëve asisoj – çka është normale. Por anormalja është se askush nuk përmend origjinën e zotëruesit të saj, që e ruajti në albumin e vet për 60 vjet në mërgim dhe që ia fali një gazetari shqiptar, i cili ishte mik i burrit të motrës së tij, dr.Vasfi Samimit, me fragmente të shkrimeve të të cilit u mbush edhe ky shkrim i sotëm kushtuar sportkklub Tiranës 1934 dhe trajnerit të saj, hungarezit Samo Singer. Për fat, Haki Korça nuk do të mendonte se mbas pak vitesh ky gazetar do të bëhej autor i Veprës 9 të kolanës së veprave të dr.Samimit, që me aq sakrifica e përkushtim ia botuan të bijtë e doktorit tonë, Ergjini e Genci.

Në numrin e 12 shkurtit 1936, në gazetën “Sporti Shqiptar” trajneri Samo Singer shkruan kryeartikullin me titull “Formimi i skuadrës Kombëtare të Footballit në rrugë të mirë”. Ky është shkrimi paraprirës që do të sendërtonte themelimin e Kombëtares sonë. Midis të tjerave Singeri shkruan:

“…Rradha e Shqipërisë. Sot këto çape të bujshëm po fillon t’i ndjejë një shtet tjetër i vogël si Uruguaj. Shqipëria. Zëri kombëtar kërkon prej çdo vendi skuadra kombëtare. Kjo është dëshira e djalërisë dhe kjo është prap dëshira e popullit, që e do sportin… Sporti i këtij vendi duhet të rrijë krah për krah me ate të shteteve të tjerë të Ballkanit, pse djemtë e Shqipërisë janë të lindur me cilësi të çmuara dhe të përshtatura për sportin… Ngjyrat kombëtare të fanellës së footballit do t’i mbajë pa influencë moshe dhe pa influencë shoqërije ay që do të jetë më i mirë se shoku. Djemve shqiptarë i jap më në funt këte porosi që duhet të jetë e shtrenjtë për ta: të gjithë së bashku me fuqi përpara!”

Shihet qartë se gjithë këto fjalë të një filozofie të gati të 90 vjetëve më parë sa aktuale që qenkan edhe për të sotmen!…

Hungarezi Samo Singer është kështu trajneri i parë i një klubi të kampionatit të Shqipërisë që bëhet trajner i Kombëtares së Shqipërisë, madje trajneri themelues i saj. Është në panteon, që sigurisht ne ende nuk e kemi sendërtuar në futbollin tonë.

Dhe… Qemal Omar e Samo Singer! Dy të parët. Po cili është trajneri i tretë i huaj në kampionatin e Shqipërisë? Nikollai Ljukshinov apo Mario Kempes?

Do të mundohemi t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje të vështirë në shkrimin e ardhshëm…

(Për vazhdimësi shiko shkrimin pararendës në “Panorama Sport” të 8 janarit 2022).

* RIPRODHIMI I SHKRIMIT ËSHTË I REZERVUAR.
—————
* BIBLIOGRAFIA:
– Gazeta “Vatra” 1934.
– “Gazeta e Korçës”, 1934.
– Gazeta “Sporti Shqiptar” 1936
– “Historia e Kampionateve të Shqipërisë – Vitet ‘30″, Libri i parë.
– “Libri i Kombëtares”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"