Olsi Rama ndjek skuadrën në stërvitje, Gega vë sulmuesit në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 17:45

Olsi Rama ndjek skuadrën në stërvitje, Gega vë sulmuesit në provë

Partizani nuk harron adetin e kryerjes së një seance stërvitore me bar natyral në qytetin e Elbasanit, teksa ditën e djeshme të kuqtë u zhvendosën në kompleksin “Pepa”. Ajo që bie në sy këtë periudhë te kryeqytetasit është harmonia në ekip, kjo ndoshta e lidhur edhe me rezultatet e arritura, përveç frymës që ka arritur të përcjellë në skuadër tekniku Gega.

Partizani

Seancën e djeshme stërvitore e ndoqi nga afër edhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Olsi Rama, i cili për disa momente takoi edhe teknikun për të mësuar më konkretisht rreth gjendjes që po kalon ekipi. Drejtori erdhi pak minuta pasi kishte startuar stërvitja dhe qëndroi deri në fund të saj, duke marrë edhe informacionet që i duheshin rreth klubit që drejton.

STËRVITJA

I pari që mbërrin në kompleks është elbasanasi Ardit Hila, të cilit nuk i “durohet” deri sa të mbërrijë i gjithë ekipi, por bën disa ushtrime të lehta vetë. Më pas, e gjithë skuadra vihet nën urdhrat e Gegës dhe nisin normalisht seancën stërvitore. Pak vrapime dhe kuadrat për të kaluar më pas tek ushtrimet më të forta nga ana e përgatitësit atletik të skuadrës. Gega provoi më pas disa situata loje, teksa vendosi sulmuesit përballë mbrojtësve, me këta të fundit që nuk duhet t’i lejonin të godisnin portën dhe të shënonin.

partizani-7-770x470

RIVALITETI

Duket sikur këtë sezon te të kuqtë është një “luftë” e fortë edhe për sa i përket formacionit dhe kjo u pa në lojën brenda grupit, ku askush nuk i lëshonte “pe” kundërshtarit në lojë. Me sa duket, lufta për një vend në formacionin e këtij Partizani është e madhe, edhe pse në këto ndeshje të fundit duket sikur Gega po u qëndron fanatik të njëjtëve lojtarëve. Sigurisht, rezultatet e mira të “detyrojnë” të mos vësh lëvizje në fushë.

TË DIFERENCUARIT

Të vetmit që bënë një stërvitje të diferencuar pasditen e djeshme ishin dy mbrojtësit Eneo Bitri dhe Alma Vakili, të cilët bënë vetëm vrapime përreth fushës dhe më pas luajtën me topin vetëm me njëri-tjetrin. Pjesa tjetër e skuadrës ishte OK dhe nuk pritet të ketë probleme për ndeshjen me Luftëtarin.

dritan-mehmeti-partizani-470x353

Sigurisht, mungoi kapiteni Alban Hoxha, për shkak të dëmtimit që pësoi në grumbullimin e Kombëtares. Të kuqtë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë deri tani në kampionat dhe janë të vetëm në krye, ndërsa të dielën do të presin në “Selman Stërmasi” skuadrën e Luftëtarit ku do të kërkojnë fitoren për të vazhduar rrugën drejt titullit kampion.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"