Olimpiada / Smajlaj flet para garës: Problem me gjumin, por ndjek rekord për finalen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2021 | 16:34

Olimpiada / Smajlaj flet para garës: Problem me gjumin, por ndjek rekord për finalen

Një tjetër sportist nga i cili Shqipëria pret shumë në “Tokio 2020” është edhe atleti Izmir Smajlaj. Ish-kampioni i Europës në kërcim së gjati dhe rekordmeni i kësaj disipline në vendin tonë do të garojë nesër në orën 12:00, teksa do të marrë pjesë në kualifikuese. Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me kampionin shkodran, i cili tregon gjendjen e tij dhe objektivat për Lojërat Olimpike.

izmir-smajlaj

I vetmi problem për Smajljan deri më tani, duket përshtatja me ndryshimin e madh të orarit, por megjithatë atleti tregon se gëzon formë shumë të mirë, teksa i komentojnë kështu ditët e tij të para në kryeqytetin japonez. “Këto ditë kanë qenë shumë të mira. I vetmi problem që kam është se nuk jam ambientuar akoma gjumin për shkak se Tokio është 7 orë përpara. Megjithatë, besoj që deri ditën e garës do të jem ambientuar. Stërvitja deri tani ka shkuar shumë mirë. Jam në një gjendje shumë të mirë fizike. Besoj që nëse arrij të thyej rekordin kombëtar, do të jem pjesë e finales. Kam shumë shpresa, edhe pse konkurrenca është tepër e lartë. Në këtë formë që ndodhen kam shumë besim që do t’ia dal të futem në finale, më pas për të pretenduar për një renditje sa më të mirë”, shprehet atleti.

Siç dihet gara e kërcimit për së gjati përveçse kërkon një përgatitje shumë të lartë, vendoset gjithashtu nga detaje shumë të vogla të cilat bëjnë diferencën. “Është një garë që kërkon shumë fat. Bëhet fjalë për eliminatore, ku janë vetëm tri kërcime. Precizioni është shumë i lartë, por shpresoj që këmba të më rrahë mirë në pedanë dhe të arrij një rezultat historik”, përfundoi kampioni kuqezi. Garat kualifikuese të kërcimit për së gjati do të mbahen nesër duke nisur nga ora 12:00 deri në orën 14:55.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"