Olimpiada Dimërore 2018 në Kore, ja sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2018 | 22:08

Olimpiada Dimërore 2018 në Kore, ja sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë

Lojërat Olimpike Dimërore 2018, të njohura zyrtarisht si Lojërat XXIII Olimpike Dimërore, do të zhvillohen në Pjong Çeng të Koresë së Jugut për 17 ditë, nga 9 deri më 25 shkurt 2018, dhe është një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare shumësportëshe të rangut botëror.

olimpiada

Pjong Çengu: Qyteti mikpritës korenaojugor është përzgjedhur që para 7 vitesh (më 6 korrik 2011) nga ana Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) pas zhvillimit të seancës së 123-të të IOC në Durban të Afrikës së Jugut. Pjong Çeng e fitoi ofertën e tij në raundin e parë të votimit duke marrë më shumë vota (63 vota) sesa Mynihu(25 vota) dhe Anesi (7 vota), ndërkohë që ka humbur në votimet e LOD (Lojrat Olimpike Dimërore) më 2010 dhe 2014.

Pjong Çengu ka stadiumin “Olimpik” me një kapacitet prej 35 mijë vendesh dhe ka një sipërfaqe prej 80 mijë m2, në lartësinë prej 740 metrash mbi nivelin e detit. Ngjitur me stadiumin do të jetë një sallë ekspozite olimpike dhe sheshi i medaljes që do të presë ceremonitë e medaljes. Stadiumi olimpik i Pjong Chengut do të jetë një vend i përkohshëm për ceremonitë e hapjes dhe të mbylljes së Olimpiadës Dimërore 2018. Për Korenë e Jugut këto do të jenë Lojërat e Dyta Olimpike, pasi në vitin 1998, në Seul, u organizuan Lojërat Verore. Ndërsa qyteti olimpik i Pjong Çeng-ut do të jetë qyteti i tretë aziatik që do të organizojë Lojërat Dimërore, pasi dy të parat ishin në Sapporo, Japoni (1972), dhe Nagano (1998)

suela mehilli

Pjesëmarrësit: 90 shtete që do të aktivizohen në 7 lloje sportesh të ndara në 15 disiplina. Lojërat e mëparshme u zhvilluan në Soçi (Rusi 2014), ku morën pjesë 88 shtete me 2873 sportistë në 7 lloje sporti të ndara në 15 disiplina, kurse lojërat e ardhshme do të zhvillohen në Pekin më 2022.

Shqipëria: Në delegacionin shqiptar do të jenë në përbërje vetëm dy sportistë, Erjon Tola dhe Suela Mëhilli, ndërkohë që pritet dhe një i tretë, Marsel Biçoku, duke qenë përfitues të bursave olimpike për përgatitjen e tyre. Shpresohet në një përfaqësim dinjitoz, ndonëse pretendimet janë minimale për medalje në Korenë e Jugut. Sportistët tanë do të garojnë në javën e dytë të Lojërave Olimpike Dimërore, pasi disiplina e sllallomit gjigant dhe special është në fund të aktivitetit.

Kështu që, ekipi shqiptar do të jetë i pranishëm në Kore që në fillim (9 shkurt) për ceremoninë e hapjes së Lojërave, të flamurit dhe të parakalimit. Flamurmbajtësi i Shqipërisë ende nuk është përcaktuar se kush mund të jetë prej sportistëve tanë. Ai do të përcaktohet nga Ekzekutivi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në mbledhjen më të afërt të tij. Deri më tani janë marrë masat përgatitore lidhur me veshjet, përfaqësimin e ekipit, ceremoninë e dorëzimit të flamurit, udhëtimin, i cili në fakt është i vështirë sepse bëhet fjalë për një vend të largët dhe është e vështirë të gjenden bileta të lira. KOKSH është në pritje të konfirmimit të ceremonisë së dorë- zimit të flamurit në presidencë.

erjon tola

Kosova: Sipas presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, përveç Albin Tahirit, i cili nuk do të jetë garuesi i vetëm që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, do t’i bashkohet dhe skiatorja Fiona Rrusta. Kosovari Tahiri e ka fituar normën olimpike dhe do të garojë në Olimpiadën Dimërore në pesë disiplina, ndërkohë që është duke u përgatitur jashtë vendit për këtë eveniment.

Koreja e Veriut: Interesant është fakti se në këto lojëra dimërore do të dërgojë një delegacion edhe vendi fqinj, ai i Koresë së Veriut. Ky është një lajm i rrallë, pasi palët janë takuar për herë të parë pas më shumë se dy vitesh për arsye politike. Gjithashtu mësohet se delegacioni koreanoverior do të paraqitet në Korenë e Jugut i përbërë nga atletë, zyrtarë dhe nga tifozë.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"