Olainka: Mbyllet 1-1, për Skënderbeun shënon Xhejms

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2016 | 14:40

Olainka: Mbyllet 1-1, për Skënderbeun shënon Xhejms

Nga Belgjika, ku është duke u riaftësuar pas dëmtimit që po e mban larg fushave me ekipin e tij të ri, Gent, sulmuesi nigerian Peter Olainka rikthehet të flasë për Skënderbeun.olainka peter Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi që ka vulosur ndeshjen e fazës së dytë Skënderbeu-Partizani 1- 0 kujton me nostalgji atë takim, ndërsa parashikon që nesër në “Qemal Stafa” nuk do të ketë fitues.

“Besoj se këtë herë del 1-1, për Skënderbeun shënon Xhejmsi”, thotë ndër të tjera talenti nigerian, që në vetëm një vit e gjysmë në Korçë u kthye në një idhull.

Ai u transferua në janar te kampionët e Belgjikës për 1.1 milionë euro, duke vendosur një rekord, pasi ishte pa dyshim shitja më e madhe në historinë e klubeve shqiptare. Menjëherë pas tij, Skënderbeu shiti edhe Bernard Berishën tek Anzhi, i cili ka qenë një tjetër protagonist absolut te korçarët në sezonet e fundit.

Peter, që prej largimit nga Skënderbeu, duket se nuk po bëheni dot protagonist në Belgjikë me Gentin. Çfarë po ndodh me ju?

Unë jam duke kaluar shumë mirë në skuadrën e re, por ai dëmtim i pësuar në fillim të fazës përgatitore më ka lënë për një kohë të gjatë jashtë fushave, por gjithsesi tani jam drejt rikthimit. Po vazhdoj të stërvitem individualisht dhe po rris formën fizike.

Kur prisni të debutoni me skuadrën belge?

Një datë të saktë nuk mund ta them, por shumë shpejt do të jem në fushë. Ndihem mirë këtu dhe ekipi po ecën shkëlqyer në kampionat.

Skënderbeun e mendoni tashmë që jeni larguar?

Sigurisht që po. Flas gjithmonë me miqtë e mi në Korçë, sepse Skënderbeu është në zemrën time.

Me cilët nga lojtarët vijoni të keni më shumë kontakte?

Flas shpesh me Liridon Latifin, zakonisht me mesazhe. Por, edhe me Bakari Nimagën, me të cilin kam kontakte më të shumta. Janë dy nga miqtë e mi më të mirë dhe vazhdoj të mbaj lidhje me ta.

Po ndeshjet e Skënderbeut i ndiqni?

Sigurisht që po. Shoh çdo ndeshje të tyre, kuptohet sa herë që kam mundësi. I ndjek nga interneti sa herë kam kohë të lirë.

Si ju duket ekipi pa ju në fushë dhe pa Berishën, mendoni se është më i mirë apo më i dobët?

Ekipi po luan vërtet shumë mirë. Po mban vendin e parë me meritë dhe vijon rezultatet pozitive. Besoj se janë duke treguar forcën e tyre dhe po përballojnë mjaft mirë ngarkesën e kampionatit.

Xhejms ishte zgjedhja e Skënderbeut për t’iu zëvendësuar në repartin ofensiv. Cili është mendimi juaj për këtë lojtar?

Xhejms është një lojtar cilësor, me aftësi shumë të mira. Por, mendoj se nuk duhet t’i ushtroni presion. Ai është i aftë të ndryshojë fatet e një takimi dhe e ka treguar, pasi ka eksperiencën e duhur për ta bërë këtë. Prej vitesh luan në kampionatin shqiptar dhe është përshtatur shumë mirë me ekipin brenda një kohe të shkurtër.

Nesër luhet Partizani-Skënderbeu. Ju keni qenë i fundit që keni shënuar në këtë takim, si e kujtoni?

Ka qenë një ndeshje e fortë dhe shumë e luftuar. Ishte një përballje që mbylli aventurën time me Skënderbeun në Korçë dhe e kujtoj me shumë emocion atë takim. Goli im i fundit me Skënderbeun na dha mundësinë të shkëputeshim para tyre në renditje. Ishte një fitore e madhe.

Po këtë herë si e parashikoni, në një kohë që Skënderbeu shkon me katër pikë para?

Së pari, unë nuk mund ta humb një ndeshje të tillë kaq të fortë. Pres të jetë një lojë e bukur, por mbi të gjitha një ndeshje shumë e fortë. Partizani po kalon një moment të mirë dhe i duhet patjetër fitorja për të hapur kampionatin dhe luftën për titull, ndërsa Skënderbeu mbetet ekipi për t’u mundur. Skënderbeu shkon në Tiranë për dy rezultate, pasi edhe barazimi i bën punë, por fitorja do të mbyllte garën për titull.

Nuk na e thatë parashikimin?

Unë jam i mendimit se do të dalë barazim ose do të fitojë Skënderbeu. Por meqë ju po më kërkoni një rezultat të saktë, them se ndeshja do të përfundojë 1-1 dhe golin për Skënderbeun do ta shënojë Xhejms.

Mendoni vërtet se do shënojë Xhejms?

Po, po. Ai i di shumë mirë pikat e tyre të dobëta. I ka shënuar edhe kur ka qenë me Laçin. Prandaj, besoj se ai që do t’i ndëshkojë.

Si i keni parë polemikat e fundit të klubit me kapitenin Shkëmbi, por edhe Plakun, që doli kundër trajnerit Josa?

Të tregohem i sinqertë, nuk jam në brendësi të këtyre çështjeve. Në këto kushte, e kam të pamundur të jap një gjykim, më mirëkuptoni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"