Olainka gëzon Skënderbeun, futbollisti drejt Bundesligës. Ja sa mund të përfitojnë korçarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 23, 2020 | 23:43


Olainka gëzon Skënderbeun, futbollisti drejt Bundesligës. Ja sa mund të përfitojnë korçarët

Peter Olainka është një “minierë ari” për Skënderbeun. Nigeriani që solli 1 milion euro në arkën e klubit në kohën kur u transferua në Belgjikë dhe 300 mijë euro të tjera kur u rishit në Çeki, tashmë mund t’u shtojë një “thes” me para korçarëve. Pas sezoneve të suksesshme që sulmuesi ka zhvilluar te Slavia e Pragës, është pranë kalimit në Bundesligën gjermane. Transferim ky që do të sillte miliona për bardhekuqtë. Klubi ka në pronësi ende 15 për qind të kartonit të 24-vjeçarin, çka do të thotë që një rishitje do të sillte të ardhura që do t’u jepnin zgjidhje problemeve financiare.
olainka
Burime për gazetën bëjnë me dije se Peter Olainka është gati për një tjetër hap të madh. Kalimi në elitën e futbollit gjerman jepet si i sigurt. Në kushte të tilla është Skënderbeu ai që fërkon duart, pasi mund të përfitojë nga ky transferim një shumë që shkon deri në 800 mijë euro. Të gjithë në kampin bardhekuq shpresojnë që gjithçka të mbyllet me sukses dhe afrikani të përfundojë sa më parë këtë “operacion” merkatoje. Dhe nëse kjo ndodh, do të kishin mundësi që të zgjidhnin edhe çështjen e merkatos, që vazhdon të jetë e bllokuar për skuadrën e Julian Ahmatajt. Këto ditë do të jenë vendimtare për zhbllokimin e merkatos.
Skenderbeu Ahmataj
Burime zyrtare në klub thanë dje për “Panorama Sport” se po negociohet me ish-lojtarët kanë fituar gjyqet. Drejtuesit po tentojnë që të arritjen një marrëveshjeje për kryerjen e pagave të prapambetura dhe sipas rregullores së FIFA-s, në momentin që palët gjejnë dakordësi, mund të fitojnë të drejtën për të federuar lojtarët. Klubi është duke punuar me këtë çështje, por në të njëjtën kohë mbeten në pritje të arkëtimeve nga Kroacia për shitjen e Jorgo Pëllumbit dhe Agon Elezit. Paratë që do të vijnë nga Varazhdin mund të përdoren për të mbyllur këto borxhe. Klubi i ka bërë disa afrime, e megjithatë ata nuk janë zyrtarizuar. Bicaj, Qaqi, Govori, Çela, Rrapaj, Tereziu, Dujardi, Maliqi e Shabani presin lajme nga presidenti, pasi ndryshe nuk mund të firmosin dhe as mund të luajnë për sezonin 2020-2021.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com