“OK” nga miqësorja me Besën, Apolonia gati për derbin me Lushnjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2020 | 22:09

“OK” nga miqësorja me Besën, Apolonia gati për derbin me Lushnjen

Apolonia ka fituar 2- 0 kundër Besës në miqësoren e zhvilluar pasditen e djeshme në stadiumin “Loni Papuçiu”. Ka qenë ky testi i tretë gjatë kësaj periudhe për skuadrën fierake, por fitorja e parë, pasi në dy takimet e tjera ka humbur me Egnatian dhe me Bylisin. Krahasuar me dy testimet e mëparshme, loja e Apolonisë ka pasur rritje në të gjitha aspektet dhe këtë e dëshmon edhe rezultati. Ishte nxemja e duhur para derbit me Lushnjën dhe trajneri Artan Mërgjyshi është dukur i kënaqur nga loja, edhe pse ai është nga ata trajnerë që kërkojnë gjithmonë më shumë nga grupi.
Apolonia-Bylis miqesorja logo
NDESHJA – Fierakët e nisin mirë ndeshjen, kanë qarkullim të dendur të topit, saktësi në pasime dhe krijojnë aksione të rrezikshme në portën e Dobjanit. Zaimaj organizon mirë lojën dhe Mihana, Gjata e Krasniqi bëhen shqetësues për mbrojtjen kavajase, duke shpërdoruar disa raste të volitshme për gol. Besa nga ana tjetër përpiqet të befasojë me anë të Onuh, Çelhakës dhe K.Hoxhës, por në prapavijën fierake ka siguri. Në minutën e 31-të, Krasniqi ndërpritet në mënyrë të parregullt në zonën kavajase dhe ka 11- metërsh për Apoloninë, të cilin e shndërron në gol Zaimaj. Edhe pas këtij momenti fierakët e mbajnë epërsinë e lojës dhe kanë edhe mundësi të tjera shënimi.
mergjyshi
Në pjesën e dytë, trajneri Mërgjyshi kryen shumë zëvendësime, ndërsa kolegu i tij Kashami pak lojtarë ka të gatshëm. Apolonia sërish shfaqet më mirë, por me daljen e Zaimajt loja e saj pëson rënie. Megjithatë, në minutën e 62-të Gjata do të dyfishojë shifrat me një gjuajtje të fortë brenda zonës. Në minutën e parafundit është Asllanaj që realizon, por gjyqtari e cilëson si të parregullt golin dhe gjithçka mbyllet 2-0.

Ka qenë një ndeshje mes dy ekipeve që luajnë në të njëjtin grup në fazën e fundit të kampionatit, ku Apolonia është në “vallen treshe” të pretendimit për Superioren, bashkë me Pogradecin dhe Lushnjën, ndërsa Besa është disi larg me pikë, por një skuadër e gatshme për t’u hapur probleme. Apolonia ka ende kohë që ta përgatisë derbin me Lushnjën, që për herë të parë këtë sezon do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit.

APOLONIA

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"