Ofertë Spiro Lekës, Kombëtarja kontakton teknikun shqiptar që trajnon në Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2018 | 18:26

Ofertë Spiro Lekës, Kombëtarja kontakton teknikun shqiptar që trajnon në Itali

Drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Shqipërisë i kanë kërkuar trajnerit aktual të V.L Pezaros, Spiro Leka, të marrë përsipër drejtimin e Kombëtares kuqezi. Është ky lajmi që vjen nga Italia, konkretisht nga uebsajti “pianetabasket.com”, nën titullin “Shqipëria – Spiro Leka dhe Dallas Mur, dy mundësi për ekipin kombëtar”.

spiro leka

Sipas këtyre burimeve, tekniku i Vuele Pezaro ka kërkuar kohë dhe dëshiron të njihet me programet e sakta e të gatishmërisë financiare që ai të largohet nga klubi aktual për t’u rikthyer në vendin e tij të lindjes, në rolin e kreut të kombëtares sonë. Afati kohor që ai ka kërkuar për të marrë një vendim final skadon në muajin qershor. Gjithsesi, për ta joshur edhe më shumë Spiro Lekën, drejtuesit e basketbollit shqiptar kanë një plan të tyrin.

Ata janë duke bërë veprimet për të pajisur me pasaportë shqiptare edhe lojtarin amerikan, 23-vjeçarin Dallas Mur, nga Florida. Mediat italiane e cilësojnë ardhjen e basketbollisti Mur, si një “dhuratë” për trajnerin Leka, por mbi të gjitha për një përforcim, i cili do të rriste ndjeshëm edhe nivelin e skuadrës sonë përfaqësuese. Më parë, kombëtarja jonë është drejtuar nga dy trajnerë të tjerë të huaj, fillimisht qiprioti Antonis Kostandinidhis, i cili e dha dorëheqjen pas humbjes së thellë 113-37 nga Holanda dhe tashmë nga greku Antonis Doukas, i cili e mori këtë post më 7 tetor 2017, duke dështuar dhe ky me humbjet më të thella në histori.

Spiro Leka është një ish-basketbollist i Partizanit, ku luajti për 7 vite, por njëkohë- sisht edhe pjesë e Kombëtares kuqezi U-18, ndonëse pas viteve ’90 u shpërngul në Itali. Nga viti 2003 deri më sot, ai numëron 14 vite si trajner duke drejtuar skuadra italiane e san marineze si Morçiano Eagles, Titano (San Marino), Santar Kanxhelo, Stela Marris e së fundmi drejton skuadrën e Vuele Pezaro.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"