Ofertë për administrator të Vllaznisë, Suad Lici: Dua ta ndihmoj, po mendohem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 21:44

Ofertë për administrator të Vllaznisë, Suad Lici: Dua ta ndihmoj, po mendohem

Suad Lici është emri i vetëm, të cilit i është kërkuar që të jetë në krye të administrimit të klubit. Pas një mbledhjeje të zhvilluar nga bordi drejtues të premten, ka mbërritur edhe propozimi konkret për Licin. Ofertat për të nuk kanë munguar nga ana e kryebashkiakes së Shkodrës, që në momentin kur ai u licencua si drejtor teknik.

Por, ish-lojtari shkodran, që është i angazhuar me biznesin e tij privat, nuk ka dashur të angazhohet në detyrat e klubit. Situata aktuale që po kalon Vllaznia duket se e ka bërë Licin që të mendohet dhe ta shqyrtojë këtë ofertë që i është bërë nga drejtuesit. Propozimin e fundit Lici po e sheh me një seriozitet maksimal dhe kërkon që të mos nxitohet për sa i përket një përgjigjeje përfundimtare.

suad lici

LICI

Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar dje me Licin, i cili ka folur në lidhje me propozimin që i është bërë nga drejtuesit e Vllaznisë dhe për mundësinë që të bëhet administrator i klubit kuqeblu. “Në radhë të parë, i falënderoj të gjithë ata që përmendën emrin tim për këtë çështje. Propozimet nga ana e drejtuesve të klubit nuk më kanë munguar edhe më parë, por angazhimet më kanë lënë larg kësaj pune. Tani që situata te Vllaznia nuk është më e mira, jam ndalur dhe po e shikoj këtë propozim.

Angazhimet personale i kam të mëdha sërish, por në këto momente edhe unë po mendohem, pasi më duhet që të jap kontributin tim për Shkodrën. Po i mendoj të gjitha. Besoj se shumë shpejt do t’u kthej një përgjigje drejtuesve të klubit dhe atyre që më besuan. Nuk di se çfarë mund të them në këto momente, por dua që kur t’i marr përsipër gjërat, të mos ketë më kthim mbrapa. Nëse do të them po, atëherë do të them atë që do të bëj për këtë klub për ta kthyer skuadrën në Superiore dhe për të menduar edhe më gjatë. Edhe një herë, i vlerësoj ata që po besojnë tek unë, por nuk mund të them një përgjigje të prerë në këto momente”, u shpreh Lici në prononcimin e tij për gazetën.

ALTERNATIVAT

Një tjetër emër që u lakua për të qenë në krye të administrimit të klubit, ishte ai i presidentit të Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija. Ky i fundit, që njihet për vlerat drejtuese të klubit që ka në administrim, ishte një nga kandidatët potencialë që mund të jepte kontributin e tij edhe tek ekipi i parë. Por, ashtu si Lici, edhe Matija ka angazhime të tjera, të cilat mund ta pengojnë. Gjithsesi, edhe nëse do të jetë Lici në krye të administrimit të klubit, Matija sërish shikohet si një nga emrat që do të jetë shumë pranë klubit të futbollit Vllaznia. Ndërkaq, skuadra ende nuk ka nisur përgatitjet për sezonin e ri.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"