Ofertë për 2 futbollistë, e ardhmja e klubit të Kategorisë së Parë mbetet rebus/ Trajneri jep sinjale “divorci”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 20:12

Ofertë për 2 futbollistë, e ardhmja e klubit të Kategorisë së Parë mbetet rebus/ Trajneri jep sinjale “divorci”

Tërbuni “dogji” që të gjitha shanset për të kapur elitën. Direkt pas humbjes në Fier, skuadra ka marrë edhe pushimet. Dilemat për të ardhmen janë të mëdha ama, duke filluar nga pankina e për të kaluar te lojtarët. Me mbylljen e këtij muaji, skadojnë edhe kontratat. I tillë është rasti i Klajdi Kukës dhe Vilson Lilës, që zhvilluan një supersezon. Pukjanët janë zyrtarisht skuadra që ka pësuar më pak gola në 30 javë kampionat, vetëm 16.

Terbuni

Merita i takon pa dyshim portierit që veç grushtimeve të tij spektakolare, ka pritur edhe 5 penallti. Pas nuk mbeten as mbrojtësit, që kanë ofruar gjithnjë siguri në prapavijë. Kaq ka mjaftuar që direkt të vihen nën “lupën” e disa klubeve. Ofertat për ta nuk kanë munguar, ndaj nuk është habi që edhe të largohen. Paqartësi për vazhdimësinë ka edhe vetë trajneri. Elvin Beqiri jep sinjale largimi, në deklaratën e fundit që ka dhënë për “Panorama Sport”.

Teksa skanon ecurinë e ekipit, flet edhe për veten. “I kishim vënë vetes qëllim të mos e diskutonim qëndrimin në Kategorinë e Parë dhe të pozicionoheshim në pesëshen e parë të klasifikimit. Rrugës na u shtua ambicia për të kapur vendin e katërt, por nuk ia dolëm. Gjithsesi, arritëm deri në ‘play off’. Por për takimin me Apoloninë nuk kam shumë dëshirë të flas, sepse tani nuk ka më vlerë. Do të ishte më mirë që kjo sfidë të luhej në një fushë asnjanëse. Nëse do më pyesni çfarë na ka munguar këtë vit, do të thosha: Shënimi i golit. Ky ka qenë edhe problemi ynë kryesor. Nëse do të kishim qenë më të saktë para portave kundërshtare, do të ishim pozicionuar më lart në klasifikim.

Megjithatë, ne arritëm të realizojmë objektivin që i kishim vënë vetes në fillim të sezonit. A dëshiroj të drejtoj Tërbunin edhe sezonin tjetër? Dëshira dhe mundësia janë dy gjëra të ndryshme. U jam mirënjohës të gjithëve, duke filluar nga kryebashkiaku dhe njëherësh president i ekipit, Gjon Gjonaj, nënkryetarit, stafit tim, lojtarëve dhe tifozërisë së mrekullueshme. Kemi qenë si një familje dhe kemi dhënë më të mirën tonë për këtë fanellë. Por, le t’ia lëmë kohës. Fillimisht të pushojmë pak sepse ka qenë një sezon i lodhshëm”, përfundoi shkodrani i stolit të Tërbunit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"