Ofertë nga Greqia, kapiteni Husaj pranë… Olimpiakosit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2019 | 18:23

Ofertë nga Greqia, kapiteni Husaj pranë… Olimpiakosit

Hazmend Husaj, kapiteni i Kombëtares shqiptare të volejbollit zhvilloi një sezon fantastik në radhët e skuadrës franceze Turs, ku arriti që të fitojë në këtë sezon kampionatin dhe Kupën.

Husaj

Në një intervistë disa ditë më parë për “Panorama Sport”, Husaj njoftoi se në drejtim të tij kishte disa oferta të cilat po i shqyrtonte duke deklaruar se aventura e tij me Tursin kishte përfunduar. Tashmë duket se 31-vjeçari e ka gjetur ekipin e tij të ri.

Të paktën sipas raportimeve të mediave greke, Husaj do të jetë pjesë e Olimpiakosit. Thuhet se tratativa ndërmjet Husajt dhe gjigantëve helenë është në fazë të avancuar dhe palët janë shumë pranë marrëveshjes. Kujtojmë se Husaj ka eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare. Në sezonin 2009-2010 ai ishte pjesë e zviceranëve të Shenua.

Husaj

Në sezonet 2011- 2012 dhe 2012-2013 është aktivizuar respektivisht për ekipet e Katarit, Muharraq dhe Katar SC. Më pas Husaj u transferua në kampionatin italian, ku në sezonin 2013- 2014 ishte pjesë e Piaçencës, ku arriti të fitojë Kupën e Italisë.

Në sezonin 2014-2015 ai la Italinë për të kaluar në kampionatin turk, ku për një vit luajti për ekipin Maliye Piyango. Ndërsa për 3 vite me radhë luajti me Inegol derisa në 2018-ën vendosi të nënshkruajë për Turs.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"