Ofertat/ Riedi do rikthimin e Salihit, Skënderbeu nuk heq dorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2016 | 10:40

Ofertat/ Riedi do rikthimin e Salihit, Skënderbeu nuk heq dorë

Hamdi Salihi vijon të jetë objekt dëshire në Austri. Kryegolashënuesi i sezonit të kaluar në kampionatin tonë ka marrë sërish ofertë për t’u rikthyer në vendin ku la gjurmë të paharrueshme me golat e shënuar.

Hamdi Salihi

Hamdi Salihi

Këtë herë është klubi i Riedit që ka kërkuar rikthimin e bomberit shkodran, ku ai arriti të shënojë 34 herë në 82 takime.

Riedi ishte edhe stacioni i parë i lojtarit të Skënderbeut në Austri, para se të transferohej te gjigantët e Rapidit të Vienës, në një lëvizje ku u përfituan 650 mijë euro prej kartonit. Nëpërmjet menaxherit, Stefan Reiter, mësohet se klubi austriak i ka bërë ofertë 32-vjeçarit.

Gjithsesi, në median austriake, përveç se bëhet i ditur interesimi, parashtrohen edhe vështirësitë e Riedit në realizimin e këtij transferimi.

Shkodrani ka një akord me klubin e Skënderbeut dhe këta të fundit nuk duan që ta lënë të largohet, duke ditur që është pjesë e rëndësishme e formacionit.

Austriakët e mbyllën edicionin e kaluar në vendin e shtatë, duke mos siguruar pjesëmarrjen në Europë dhe sivjet duan të formojnë një skuadër pretendente.

Për ta, Salihi jep garanci në repartin sulmues, pasi do e kishte shumë të thjeshtë përshtatjen me mentalitetin e skuadrës dhe mbi të gjitha ka shumë eksperiencë para portës. Nga ana tjetër, futbollisti është në dilemë për të ardhmen e tij.

Oferta nga Zvicra – Nëse do bëhej e mundur që Salihi të largohet nga Korça me dëshirën për të provuar një tjetër aventurë jashtë Shqipërisë, Riedi do të përballet me konkurrencë.

Duke iu referuar medias austriake, sulmuesi 32-vjeçar ka edhe një ofertë nga një klub i Superligës zvicerane, por pa zbuluar emrin. Statistikat e shkëlqyera të shkodranit, janë një arsye e fortë për të bindur skuadrat e huaja se ai është një goditje me vlera për repartin e avancuar. Ky muaj pritet të jetë vendimtar edhe për të vendosur zgjedhjen e lojtarit.

Karriera – Salihi ka luajtur me shtatë skuadra të huaja, ku suksesin më të madh e ka pasur në Austri, sidomos me Rapidin e Vienës.

Eksperienca e tij e parë ishte me grekët e Panioniosit, por që nuk pati sukses. Më pas, luajti me ekipe si Riedi, Rapidi, D.C. Junajtid në SHBA, Jiangsu Sainty në Kinë apo izraelitet Hapoel Ako dhe Hapoel Haifa.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"